1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: AfD në rritje - demokracia në rrezik?

19 Dhjetor 2023

Alternativa për Gjermaninë, AfD, është më popullore se kurrë. Në Pirna të Saksonisë kjo parti pjesërisht e ekstremit të djathtë fitoi për herë të parë zgjedhjet për kryetar bashkie.

https://p.dw.com/p/4aJs9
Tim Lochner, kryebashkiaku i parë nga AfD
Tim Lochner fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie në Pirna (landi federal i Saksonisë) më 17 dhjetor 2023 si kandidat i AfDFotografi: Sebastian Kahnert/dpa/picture alliance

Tim Lochner quhet njeriu, emri i të cilit do të hyjë në historinë e Alternativës për Gjermaninë. 53-vjeçari fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie në Pirna (landi federal i Saksonisë) më 17 dhjetor 2023 si kandidat i AfD, duke qenë vetë i paparti. Qyteti në kufi me Çekinë, ku jetojnë 39.000 banorë, është i pari, ku një kryetar bashkie është populist i krahut të djathtë.

AfD përjeton prej vitesh një valë suksesesh. Në tetor ajo arriti rezultate dyshifrore në zgjedhjet në landin e Bavarisë (14,6 përqind) dhe në landin e Hessenit (18,4 përqind). Në qershor fitoi zgjedhjet në qarkun Sonneberg në landin e Tyringjisë.

AfD në tre lande gjermane „e dëshmuar si e djathtë ekstreme“

Ndërkohë për shkak të tendencave ekstremiste AfD është gjithnjë e më shumë në shënjestër të autoriteteve të sigurisë. Në dhjetor Shoqata e landit të Saksonisë u klasifikua nga Enti për Mbrojtjen e Kushtetutës si "e dëshmuar si ekstremiste e djathtë". E njëjta gjë ndodhi në Saksoni-Anhalt në nëntor dhe në Tyringji në 2021. Janë edhe pesë lande federale, ku partia po vëzhgohet si i ashtuquajturi rast i ekstremizmit të djathtë.

Në tetë landet e tjera gjermane nga gjithsej 16 dhe si rrjedhojë në gjysmën tjetër të Gjermanisë për AfD-në nuk vlen as njëri dhe as tjetri vlerësim. Retorika e tyre agresive dhe kontaktet me mjedise ekstremiste si lëvizja antimigrante Pegida (Europianët Patriotë kundër Islamizimit të Perëndimit) shihen në mënyra shumë ndryshe nga ana e shtetit.

Kandidati i AfD, Tim Lochner
Kandidati i AfD, Tim LochnerFotografi: Sebastian Kahnert/dpa/picture alliance

Si duhet të raportojnë mediat për AfD-në?

Edhe mediat gjermane kanë mundim të gjejnë mënyrën e duhur të sjelljes me AfD-në. Revista “Stern” u kritikua nga shumë anë, sepse kishte vendosur si titull të kopertinës një intervistë mbi idetë e kryetares së partisë dhe grupit të saj parlamentar, Alice Weidel. Akuza kryesore: asaj i është ofruar platformë e panevojshme.

Intervistuesja e televizionit publik Sandra Maischberger moderoi një debat mes kryetarit të nderit të AfD-së Alexander Gauland dhe ish-ministrit të Brendshëm gjerman Gerhart Baum. Që të dy burra të moshuar, që e kanë përjetuar epokën naziste si fëmijë. Njëri ka qenë për 40 vjet anëtar i Unionit Demokristian (CDU), përpara se të kalonte në AfD, tjetri demokrat i lirë (FDP) që nga viti 1954.

“Përballemi me një valë të ekstremitmit të djathtë”

Për Baum, i cili si ministër i Brendshëm deri në vitin 1982 luftoi terrorizmin e majtë të Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe (RAF), një gjë është e sigurt: "AfD është krahu parlamentar i një lëvizjeje, që arrin deri në shtresat e mesme". Një borgjezi që sipas ekspertëve po radikalizohet gjithnjë e më shumë. “Ne jemi të ekspozuar ndaj një vale ekstremizmi të djathtë”, thotë 91-vjeçari, i cili angazhohet prej dekadash për lirinë dhe të drejtat civile.

Gauland mbrohet kundër akuzës, sipas të cilave AfD është kundër demokracisë: “Kjo është një përpjekje e Entit për Mbrojtjen e Kushtetutës që të na delegjitimojë”. Por kjo nuk përkon me realitetin. “Përkundrazi ne jemi madje për një demokraci, në të cilën të ketë më shumë referendume popullore”, thotë 82-vjeçari. Një pretendim ky i bazuar në programin e partisë.

Cilat janë pikëpamjet e AfD-së për nocionin human?

Kryetari i fraksionit të AfD-së në landin gjerman të Tyringjisë Björn Höcke pyeti duke folur si i ftuar në një tubim të Pegida-s në Dresden: "Çfarë ka mbetur në fakt nga populli gjerman?" Sipas perceptimit të tij me sa duket jo shumë. Retorika e Höcke-s përdor shpesh terma si "shkëmbimi i popullsisë", "afrikanizimi", "orientalizimi", "islamizimi" dhe "vdekja e popullit".

Logoja blu e AfD
Fotografi: Klaus-Dietmar Gabbert/dpa/picture alliance

Është kjo gjuhë dhe kjo mendësi, që shkakton shqetësime tek kundërshtarët e AfD-së si Gerhart Baum. "Ata kanë një mënyrë nacionaliste të menduari, që përjashton njerëzit me origjinë tjetër dhe fe tjetër", thotë ai në një debat me Alexander Gauland. Dhe kush përjashton njerëzit, cënon dinjitetin e tyre human. “Kjo është akuza kryesore, që u bëjnë atyre juristët e gjykatës kushtetuese”.

"Ne nuk përfaqësojmë një ideal nacionalist"

Në fjalët e Gauland gjithçka tingëllon krejt ndryshe: "Ne nuk përfaqësojmë një ideal etnik, por përfaqësojmë një bashkësi kulturore. Po, ne jemi kundër imigrimit masiv të njerëzve, që vijnë nga një kulturë krejtësisht e huaj për ne."

Sipas mendimit të deputetit të Bundestagut Marco Wanderwitz, AfD duhet të ndalohej. Si fëmijë dhe adoleshent kristiandemokrati përjetoi diktaturën e Gjermanisë Lindore, e cila u përmbys me një revolucion paqësor në 1989. Akuza e tij kryesore drejtuar populistëve të djathtë: “Dinjiteti njerëzor vihet në pikëpyetje fare hapur”.

Të ndalohet AfD?

Kësaj teme revista "Der Spiegel" i kushtoi në nëntor një artikull dhjetë faqesh të pasqyruar në ballinë me titullin: "Të ndalohet AfD?" Vlerësimet e ekspertëve, nëse ky hap ka sukses, janë të ndryshme. Instituti Gjerman për të Drejtat e Njeriut, i financuar nga Bundestagu, në një opinion juridik del në përfundimin se shanset janë të mira. Arsyeja: AfD shpërfill në mënyrë konsekuente të drejtat themelore.

“Pikërisht historia gjermane ka treguar, se rendi bazë i lirë demokratik i një shteti mund të shkatërrohet, nëse qëndrimet johumane nuk hasin në kohën e duhur në rezistencë energjike, por janë në gjendje të përhapen dhe të mbizotërojnë,” argumenton drejtorja e institutit, Beate Rudolf.

Në një përfundim tjetër arrin studiuesja e së drejtës Sophie Schënberger nga Universiteti i Dyseldorfit: "Nga ajo që shoh në materialet e disponueshme publikisht, nuk e di, nëse kjo është e mjaftueshme për të ndaluar partinë në mbarë vendin." Dhe nëse aplikimi në Gjermani do të ishte i suksesshëm, AfD mund t'i drejtohet Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ajo thotë se është shumë skeptike, që një ndalim i AfD do të vlejë atje.

Për historianin Heinrich August Winkler, nuk ka dyshim se demokracia është nën presion, jo vetëm në Gjermani. Në një intervistë për "Tagesspiegel" ai shpreh një optimizëm të kujdesshëm: "Unë ende besoj, se forcat liberale të demokracisë perëndimore do të rezultojnë më të forta se kundërshtarët e arritjeve të iluminizmit".

Fuqia e re e partive nacionale populiste

Por ai është shumë më skeptik se 30 vjet më parë pas revolucioneve paqësore në Evropën Qendrore Lindore dhe ribashkimit të Gjermanisë. “Shqetësues është fakti, se partitë nacionale populiste e marrin fuqinë e tyre nga të gjitha kampet politike”, paralajmëron Winkler. Me fjalë të tjera: demokracia ndodhet nën presion nga shumë anë.

Në sondazhet aktuale për zgjedhjet e vitit 2024 në landet Brandenburg, Saksoni dhe Tyringji, AfD prin kudo me kuota 30 për qind e më shumë. Perspektivë për të marrë pjesë në ndonjë qeveri ajo nuk ka, sepse askush nuk dëshiron të bëjë koalicion me të. Ky është një dallim domethënës në krahasim me vendet e tjera në Evropë, ku partitë populiste dhe ekstremiste të djathta janë prej kohësh në pushtet: Italia, Hungaria, Finlanda apo Suedia përbëjnë një tendencë, fundi i së cilës është vështirë të parashikohet.

 

Deutsche Welle Marcel Fürstenau Kommentarbild ohne Mikrofon
Marcel Fürstenau redaktor dhe autor i DW për politikën dhe historinë bashkëkohore