1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjidhja - qarkullimi i lirë i mallrave dhe njerëzve

Aida Cama
30 Korrik 2020

Këshilli Atlantik mblodhi dje në një takim virtual liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që ranë dakord për bashkëpunim ekonomik. Qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave, është hapi i parë.

https://p.dw.com/p/3g8if
Screenshot Atlantic Council  - Wesbalkangipfel
Fotografi: atlanticcouncil.org

Çdo dekadë nxjerr nga një emërtim të ri për të folur për ne të Ballkanit. Ne të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut Bosnjë Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë. Tani ne quhemi “Gjashtëshja”, një emërtim që pason “Ballkanin Perëndimor”, që u fut në përdorim ku duhet të flitej për ne, pa Bullgarinë dhe Rumaninë, që u futën në BE.

“Gjashtëshja” u mblodh të martën virtualisht në një samit rajonal të organizuar nga Këshilli i Atlantikut, një think tank amerikan për politikën e jashtme, me qendër në Uashington. Pjesëmarrës Rama, Hoti, Vuçiqi, Pendarovski, Tegeltija dhe Sakulic. Në takimin virtual ata kanë folur fillimisht me njëri tjetrin dhe kanë rënë dakord për çka janë mbledhur. Më pas ata dolën para publikut, po ashtu virtualisht.

Wilson: Korsi të gjelbërta

Presidenti i Këshillit Atlantik, Frederick Kempe shpjegoi synimet e organizatës së tij: “Riintegrimi i angazhimit amerikan në rajon, lidership më të madh amerikano- europian në rajon, dhe bashkëpunim më të shpejtë të aktorëve për të nxitur demokracinë, sigurinë dhe prosperitetin.” Hapat që duhen ndjekur: qarkullimi i lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, përcaktim i projekteve ku duhet investuar dhe ndjekja e zbatimit të projekteve.

Screenshot Atlantic Council  - Wesbalkangipfel
Fotografi: atlanticcouncil.org

Zëvendëspresidenti i Këshillit Atlantik, Damon Wilson tregon çfarë është arritur në këtë takim të parë të gjashtëshes mes përfaqësuesve nga BE, përfaqësuesve amerikanë dhe partnerë rajonalë. “Rezultati i takimit është rënia dakord për krijimin e korsive të gjelbërta,” thotë Wilson, pra heqja e barrierave dhe qarkullimi i lirë i mallrave dhe njerëzve.

Rama: Recesioni kapërcehet me rritjen e bashkëpunimit 

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski foli për Korridorin Dhjetë, korridori që lidh Salzburgun me Selanikun, një degë e të cilës kalon nëpër Prilep, Manastirin, Florinë dhe Igumenicë. Për të flitet edhe në Marrëveshjen e Prespës, të arritur midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Ajo që kërkon Pendarovski është akses i lirë në portin e Selanikut.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili e ka inicuar këtë takim, mendon se recesioni ekonomik i shkaktuar nga pandemia korona mund të kapërcehet duke rritur bashkëpunimin midis vendeve të rajonit. “Unë e kam të qartë se kushdo që e komplikon bashkëpunimin, pavarësisht nga argumentat që përdor, e bën këtë vetëm për arsye politike dhe nisur nga gjykime dritëshkurtra,” tha Rama. Ai kërkoi rezultate për Shengenin e Ballkanit Perëndimor, për të cilin është rënë dakord nëntorin e kaluar si dhe mbajtjen e premtimeve financiare nga institucionet ndërkombëtare.

Screenshot Atlantic Council  - Wesbalkangipfel
Fotografi: atlanticcouncil.org

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti thotë se rajoni ka punuar për integrimin, megjithatë ende vazhdon të jetë i fragmentuar sa i përket integrimit ekonomik, për shkak të pengesave burokratike dhe legjislacionit. Në infrastrukturë, ende nuk ekzistojnë lidhje midis vendeve të rajonit. Tregjet në çdo vend janë të vogla prandaj ne mund të plotësojmë njëri tjetrin, nëse bashkojmë tregjet në sektorë të caktuar.

Vuçiq: Pritjet e gjata të kamionëve harxhojnë 26 milionë orë në vit

Dragica Sakulic, ministre e ekonomisë në Mal të Zi, mendon se nismat rajonale duhen arritur me harmoni reciproke dhe se çdo nismë na sjell më pranë anëtarësimit të plotë në BE. Për investime ajo përmendon sektorin e gjelbërt dhe atë digital, si sektorë me perspektivë zhvillimi.

Zoran Tegeltija, kryetar i Këshillit të ministrave të Bosnjë Hercegovinës, foli për pritjet e gjata demoralizuese në kufi për industrinë e transportit, turizmin, por edhe njerëzit e zakonshëm, sidomos kur vijnë nga vendet fqinje që janë anëtare të BE. Ai kërkon investime në infrastrukturë.

Edhe presidenti serb Vuçiq, flet për pritjet e gjata të kamionëve, që harxhojnë 26 milionë orë në vit duke pritur në kufijtë e brendshëm. Nëse shkurtohen këto pritje, mund të kursehen shumë para, -thotë ai. Ai përmendi idenë e mëparshme të ngritjes së një autostrade Nish –Prishtinë, të cilën ai e quan shumë të rëndësishme. Ai fton serbët të vizitojnë Shqipërinë, dhe shqiptarët të vizitojnë Serbinë. Vuçiq po ashtu thotë se pjesa më e madhe e eksporteve serbe shkojnë në Europë, dhe më pak në vendet e rajonit. “Megjithëse ne të gjithë duam të bëhemi pjesë e BE, prioritet mbetet bashkëpunimi rajonal,” shton ai. Nëse ne bashkëpunojmë me njëri tjetrin do të respektohemi më shumë nga BE dhe USA, thotë Vuçiq. Sa i përket diferencave politike midis vendeve të rajonit, ai thotë për përplasjen Beograd- Prishtinë se “do mundohemi ta zgjidhim këtë çështje, megjithëse unë nuk jam krejtësisht optimist për këtë”.

Edhe kryeministri Rama, edhe Presidenti Vuçiq shprehën gatishmërinë që në të ardhmen takime si ky i sotmi të zhvillohen një herë në muaj.