Gernot Erler mbi sfidat e rinisë ballkanike | NRS-Import | DW | 13.09.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

NRS-Import

Gernot Erler mbi sfidat e rinisë ballkanike

Rinia duhet të rifitojë besimin tek zhvillimi e integrimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor, thotë në intervistë për Deutsche Wellen, Gernot Erler, President i Shoqatës për Europën Juglindore.

Deutsche Welle: Shumë të rinj nga Ballkani duan të largohen drejt vendeve të BE, si i shikoni Ju gjendjen e të rinjve në Ballkan dhe në Europën Juglindore, aktualisht?

Gernot Erler: Më interesantja në këtë konferencë është që ne mësojmë nga vetë të rinjtë se, çfarë përvojash kanë pasur, si e shohin ata të ardhmen dhe cilët janë faktorët kyç që vendosin për qëndrimin e tyre në atdhe apo për emigrimin e tyre në një vend të Bashkimit Europian. Këtu shihet qartë, se sigurimi i vendeve të punës dhe të ardhmes janë faktorët kryesorë. Nga njëra anë këto vende munden të përfitojnë nga emigrimi i të rinjve, por ka disa të dhëna që tregojnë se një pjesë kërkon që të largohet për të mos u kthyer më ose të paktën nuk e kanë në plan në fillim që të kthehen përsëri në vendet e tyre. Të dhëna që ndryshojnë nga vendi në vend.

Cili do ishtë mesazhi juaj për qeveritë e vendeve të Ballkanit për t'u zgjidhur ky problem?

Gernot Erler: Mesazhi është gjithmonë i njëjti, largimi nga ryshfeti, si në rastin e blerjes së diplomave. Kjo natyrisht që i demotivon të rinjtë, kur në kohën e tyre të studimeve shohin raste të tilla, pra kur nuk vlerësohet merita, por pagesa në para ose klientelizmi. Të rinjtë këtu thonë qartë, që kjo duhet të marrë fund dhe kështu me këtë do të luftohej një shkak i largimit të të rinjve.

Kë shikoni si sfidën kryesore të të rinjve në Ballkanin Perëndimor?

Gernot Erler: Sfida kryesore është ende gjendja sociale dhe dallimi në paga mes vendeve të tjera dhe Ballkanit, si edhe pasiguria për integrimin në Bashkimin Europian. Integrimi në BE ende është aspiratë e këtyre vendeve, por duket se ka ngecur, edhe pse që nga viti 2003 ata e kanë të drejtën për integrim në BE

Shiko videon 03:16

Të dëgjohet me kujdes zëri i të rinjve

.

Ju jeni për një kohë të gjatë president i Shoqatës për Europën Juglindore. A keni parë ndonjë ndryshim në këtë kohë sa u përket vendeve të rajonit?

Gernot Erler: Janë bërë 20 vite si President i Shoqatës për Europën Juglindore. Kishte kohëra, kur temat e integrimit ishin me rëndësi të veçantë, por kjo ka ndryshuar, sepse nuk ka një datë konkrete, se kur do të integrohen këto vende në Bashkimin Europian. Viti 2025 është një datë kyçe që është përfolur, edhe vetë zoti Junker, tha që deri atëherë disa vende të Ballkanit Perëndimor do të bëhen anëtarë të BE. Por kjo datë nuk është më e besueshme, sepse ka një ngecje të proceseve të integrimeve. Pas Slovenisë dhe Kroacisë nuk është integruar më asnjë vend tjetër edhe pse ka patur bisedime të shumta. Këto dyshime kanë ndryshuar shumë çka dhe duhen gjetur mënyra të tjera për stabilizimin e këtyre vendeve.

Ku mundeni ju si Shoqatë të ndikoni më shumë për stabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor?

Gernot Erler: Ne duhet t'i stabilizojmë këto vende duke i mbështetur në drejtim të sundimit të ligjit, të luftimit të korrupsionit dhe aktiviteteve kriminale. Duhet të krijohen kushte për brezat e rinj, që ata të kenë një të ardhme në vendet e tyre, t'ju jepet një farë sigurie që edhe vendi i tyre është në zhvillim. E gjitha është një çështje e përzgjedhjes së strategjive të mençura dhe ndonjëherë është e rëndësishme të fokusohesh në një vend, sikurse Procesi i Berlinit që ka për fokus Bosnje-Hercegovinën. Por natyrisht neve na duhet strategji për të gjithë rajonin, jo vetëm për disa vende.

Gernot Erler është President i Shoqatës për Europën Juglindore, me qendër në Mynih. Intervista me Deutsche Wellen u zhvillua gjatë Konferencës „Formësimi i së Ardhmes të të Rinjve në Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore" në Këln.

 

Intervistën e zhvilloi Arbër Bajrami, Aida Salihbegovic.

 

Audio dhe video për temën