1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gagica: Kur ndahet shtëpia – ndahet edhe pasuria

Esat Ahmeti19 Janar 2007

Në Shtutgart u mbajt së fundi mbledhja e aktivave të degës në landit e Baden-Vyrtenmbergut. Shumica e pjesëmarrësve në të vendosën që të kalojnë nga ‘Lidhja Demokratike e Kosovës’ në ‘Lidhjen Demokratike’

https://p.dw.com/p/ArZV
Nga fushata elektorale e LDK-së -presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova
Nga fushata elektorale e LDK-së -presidenti i ndjerë Ibrahim RugovaFotografi: AP

Kosovës këtë muaj i është shtuar edhe një parti e re politike. Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci dhe mbështetësit e tij, të pakënqaur me rezultatet e Kuvendit të VI-të të LDK-së përfundimisht më nuk janë anëtarë të kësaj partie. Këshilli nisëmtar i partisë së re ‘Lidhja Demokratike’ ka konstituar ndërkohë organet drejtuese dhe ka zgjedhur për kryetar Akademik Nexhat Dacin. Zhvillimet e fundit u reflektuan edhe në degët e partisë në diasporë.

Deutsche Welle: Zoti Gagica, 17 vite aktivitet në Lidhjen Demokratike të Kosovës, sa është e rëndë ndarja, si po e përjetoni atë?

Hafiz Gagica: Nuk është e lehtë. Nga vet fakti që është dhënë një kontribut me një emër, që kemi pas nevojë të ndërtojmë një emër dhe një filozofi të re politike të shqiptarëve në Kosovë dhe jashtë vendit, por ja që ndodhin edhe këto dhe jeta vazhdon. Ne duhet të rikthehemi pjesërisht në vitet e 90-ta të ndërtimit të filozofisë të unifikimit të faktorit politik shqiptar dhe të ecim tutje.

Deutsche Welle: Për shkaqet e përçarjes prej Kuvendit të fundit të LDK-së është folur dhe shkruar shumë. Pyetja ime ësht: çka ndikoi konkretisht që deri tek kjo ndarje të vij edhe këtu në Gjermani?

Hafiz Gagica: Shikoni, kjo ndarje ka filluar që moti edhe sa ishte presidenti Rugova gjallë, mendoj një pjesë e kryesisë të LDK-së ka pasur dhe ka ndërtuar një filozofi të diferencimit politik, do të thoja të vlerave nacionale të kuadrove që nuk janë të shumta në Kosovë dhe jashtë saj. Siç thotë Eqrem Kryeziu, një prej nënkryetarëve të LDK-së, një testim demokratik. Tragjikisht ai filloi edhe në Gjermani në mars të vitit të shkuar kur detyroi kryesinë të deklarohet apo prononcohet konform interesit të ngushtë të kryesisë së LDK-së për puçin që bënë pas vdekjes së Rugovës dhe ajo reflektoi dukshëm në anëtarësi dhe simpatizues të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjermani dhe vendet tjera perëndimore.

Deutsche Welle: LD-ja e re në Kosovë apo siç jemi mësuar të dëgjojmë edhe ndryshe ‘Krahu i Dacit’ përvec elektoratit dëshiron të marrë edhe gjysmën e pasurisë së LDK-së. A ballafaqoheni me probleme të tilla edhe këtu në Gjermani?

Hafiz Gagica: Këtu nuk kemi pasuri dhe LDK nuk ka ndonjë pasuri që trashëgon nga e kaluara. Ka disa zyra që janë kryesisht zyra të institucioneve të Kosovës që janë marrë me qera. Por është qesharak rasti i Gjilanit përshembull, ose i Ferizajit dhe vendeve të tjera kur dihet se shumica absolute e elektoratit të LDK-së në Gjilan ka kaluar në mbështetje të projektit të Nexhat Dacit apo siç quhet tani Lidhja Demokratike. Dhe është mëse normale që kur ndahet shtëpia ndahet edhe pasuriasikur të kishte, por në këtë rast fatkeqësisht nuk ka. Më tepër ka një filozofi politike që ndan një grup nga një grup tjetër.

Deutsche Welle: LDK në Gjermani ka qenë një ndër degët kryesore të këtij subjekti politik dhe për një kohë bartës i aktiviteteve të shumta për Kosovën jashtë vendit. Tani kur kemi edhe një krah tjetër shtrohet pyetja çfarë do të ndodh me arkivin e degës së LDK-së në Gjermani?

Hafiz Gagica: Kjo degë ka vite që nuk është kujdes për arkivin ose për të kaluarën e saj. Ajo ka qenë ose është marrë më tepër me një politikë shumë të ngushtë të një grupi të kryesisë së LDK-së. Nuk e di, ka vite që nuk kanë zyrë dhe nuk janë kujdes për të kaluarën e tyre. Më shumë janë kujdes për momentin ad hok të veprimeve të caktuara, nuk mirrem me atë. Eshtë me rëndësi që ne kthehemi pjesërisht në vitet 90-ta ku shqiptarët nuk kanë qenë të organizuar dhe kemi ndërtuar një filozofi të re të organizimit dhe të komunikimit me vendin ku jetojmë dhe me Kosovën të shkëmbejmë dhe të ndërtojmë filozofinë e përkrahjes së njëri-tjetrit. Domethënë Lidhja Demokratike tani është në fazën e rikonsolidimit të saj në Gjermani dhe vendet e tjera dhe besoj se kjo do të vazhdoj.