Göttingen: Infeksionet e reja me COVID-19 përplasin verbalisht qytetin dhe komunitetin rom | Gjermania | DW | 08.06.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Göttingen: Infeksionet e reja me COVID-19 përplasin verbalisht qytetin dhe komunitetin rom

Familjet rome në Göttingen mohojnë konsiderimin e tyre si burim i infeksioneve të reja me COVID-19. Së fundi ka rritje të infeksioneve kryesisht në radhët e komunitetit rom në qytet, shumica e tyre vijnë nga Kosova.

Në qytetin e Göttingenit gjatë dy javëve të fundit ka pasur të paktën 120 infeksione të reja me virusin COVID-19. Si rrjedhojë qyteti i ka mbyllur shkollat dhe po kryen testet përkatëse për hulumtimin e  shkallës së infekstionit. Sipas të dhënave zyrtare gjatë dy ditëve të testimit masiv të njerëzve në një bllok banimi në Göttingen numri i të infektuarve ka qenë minimal. Vlerësimi i shumicës së provave të marra ende nuk është përmbyllur, deklaroi përfaqësuesja e shërbimit social të bashkisë Petra Broistedt në fundjavë.

Deri të shtunën (06.06) janë testuar 300 nga 600 banorë gjithsej të këtij objekti. Objekti i banimit, që ndodhet në periferi të Göttingenit, konsiderohet si epiqendra e infeksioneve të reja. Qyteti mendon, se në këtë bllok banimi janë shkelur rregullat e ruajtjes së distancës, në radhët e familjeve myslimane me shumë pjestarë që kanë festuar bashkarisht festën e ëmbëlsirave.

Të premten (05.06) u njoftua për 120 persona të infektuar, ndër të cilët 39 janë nxënës shkolle. Në këtë bllok banojnë kryesisht romë nga Kosova. Komuniteti rom ndërkaq është ankuar duke thënë se po përballet si rrjedhojë e deklaratave të tilla me diskriminim. Nuk është e ërtetë të jetë festuar fshehurazi përkundër rregullave në një xhami, theksohet në deklarimin zyrtar të komunitetit rom në këtë qytet. Sipas këtij komuniteti janë respektuar rregullat e higjenës dhe ruajtja e distancës. Informacionet, se gjatë festës së ëmbëlsirave janë zhvilluar edhe festime private, kanë dalë prej vet pjestarëve të familjeve në fjalë.

Sipas të dhënave të shtabit lokal të krizës, shumë janë infektuar gjatë festimeve private në bllokun e banimit në qendrën Iduna. Mendohet se virusi është përhapur në një bar shisha, ku janë mbledhur të rinj pas festës. Administrata e qytetit ka komunikuar, se shumë nga personat e rrethit familjar "persona të kontaktit të gradës së parë" nuk u janë përgjigjur ftesave për testin ndaj virusit. „Pacienti zero" i identifikuar mund ta ketë përhapur virusin në qytet, sepse ai ka shëtitur në qendër të qytetit pa e respektuar detyrimin e karantinës.

Pasojat si rrjedhojë e përhapjes së infeksioneve për qytetin janë të rënda: janë mbyllur aktualisht 13 shkolla dhe kopshte fëmijësh dhe rreth 100 fëmijë e nxënës duhet të qendrojnë në karantinë. Kryetari i bashkisë udhëzoi izolimin e të gjithë kompleksit të banimit. Familjet që banojnë këtu janë romë nga Kosova që kanë lidhje familjare dhe krushqie mes tyre. Ata janë larguar nga vendi i tyre prej luftës dhe e pas saj edhe prej diskriminimit. Statusi i qendrimit që kanë ata është ende i pasqaruar dhe ata qendrojnë aktualisht me lejen e përkohshme të qendrimit në Gjermani.