1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Funksionimi mё i mirё i tregut tё punёs nё Shqipёri

Arben Muka
24 Tetor 2016

Nga një projekt kualifikimi dhe punësimi që po zbatojnë në Tiranë dy organizata joqeveritare nga Shqipëria dhe Gjermania kanë përfituar rreth 700 vetë, 90 përqind e të cilëve i përkasin grupmoshës 15 – 35 vjeç

https://p.dw.com/p/2RZsM
Albanien Tirana Skanderberg Platz
Fotografi: picture-alliance/robertharding

Marsela, rreth të tridhjetave, është e divorcuar dhe nga martesa me ish-bashkëshortin ka tre fëmijë. Jeton larg qytetit të origjinës dhe familjes me fëmijët e saj, për të cilët kujdeset pa asnjë lloj ndihme sociale. Ajo është dhe rast i ushtrimit të dhunës në familje dhe i varfërisë ekstreme. Në këtë situatë Marsela është kontaktuar nga një organizatë joqeveritare e profilit socio-humanitar, DEV-AID, që e ka përfshirë në njërin prej projekteve tё  veta, quajtur "Tё bёjmё tregun e punёs tё funksionojё pёr grupet nё nevojё!”. Mbështetja është me synim që Marsela të kryejë kursin për kuzhiniere që më pas të ketë mundësi punësimi. "Shpresoj që ta mbyll me sukses kursin, sepse me një certifikatë profesioni kam mundësi të zë punë dhe t'i bëj halleve të jetesës”, thotë Marsela.

Albanien DEV AID Marsela
Marsela një nga përfitueset e projektit mbështetës të DEV-AID-itFotografi: DW/A. Muka

Por Marsela nuk është përfituese e vetme nga projekti mbështetës i DEV-AID-it. Në evidencat e kësaj organizate joqeveritare janë rreth 700 persona që janë përfshirë në harkun kohor nga prill 2014 deri në shtator 2016, prej  të cilëve, gjysma janë integruar në tregun e punës nëpërmjet ndërmjetësimit për punësim dhe inkurajimit për vetëpunësim në profesionet e përfituara nga ndjekja e kurseve.

Punёsimi i shtresave në vështirësi

DEV-AID ka tre vjet që funksionon dhe fokusi kryesor është të mbështesë dhe përfaqësojë komunitetet në zhvillim në fushën e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe progresit social në tërë aspektet. Po ashtu ekspertët dhe bashkëpunëtorët e organizatës ofrojnë shërbime komunitare, nëpërmjet orientimit, ndërmjetësimit, informimit dhe dhënies së alternativave për përmirësimin e kushteve socio-ekonomike dhe politike. Pikërisht një prej angazhimeve kryesore të DEV-AID-it është "Tё bёjmё tregun e punёs tё funksionojё pёr grupet nё nevojё!”, në partneritet me Drejtorinë Rajonale të Formimit Profesional Publik Nr.4, të Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, si dhe me mbështetjen financiare nga organizata gjermane Brot fur die Welt, BfdW, me qendër në Berlin.

Albanien DEV AID
Fotografi: DW/A. Muka

Drejtuesja e projektit Endrita Cici thotë se qëllimi mbetet integrimi në tregun e punës i grupeve në vështirësi të shoqërisë nëpërmjet arritjes së objektivave specifike të tilla si, realizimit të kurseve të ofruara nga formimi profesional publik për të  përmbushur më mirë nevojat e tregut të punës, rritja e aksesit në formimin profesional publik për grupet në vështirësi, rritja e aksesit në tregun e punës për këto grupe nëpërmjet punësimit në tregun formal.

"Përfituesit në këtë projekt janë kryesisht përfaqësues të shtresave në vështirësi të shoqërisë, persona me të ardhuara minimale jetese, kryesisht të përfituara nga skema e ndihmës ekonomike ose tregu informal i punës, punëkërkues afatgjatë të papunë, migrantë të brendshëm, të rinj që punojnë në rrugë, individë me nivel të ulët arsimor ose pa arsim te detyrueshem, të rinj që kanë braktisur shkollën, emigrantë te rikthyer në vendin e origjinës në kërkim të një pune, komuniteti rom dhe egjyptian, jetimë socialë dhe biologjikë, persona me aftësi të kufizuar fizike dhe mendore, si edhe gra dhe vajza viktima të dhunës në familje dhe trafikimit. Rreth 90 përqind e përfituesve i përkasin grupmoshës 15 – 35 vjeç dhe pjesa e mbetur i përkasin grupmoshës 35-45 vjeç”, thotë Cici për Deutsche Welle-n.

Kombinimi i aktiviteteve promovuese nё qendёr dhe komunitet

Në mjediset e organizatës mësojmë se shërbimet që u ofrohen përfituesve janë të larmishme dhe kryesisht me karakter social: që prej regjistrimit në kurs dhe deri në certifikim dhe më pas integrim në tregun e punës, përfituesit e qendrës referuar nga OJF-të e rrjetit janë objekt i mbështetjes së përditësuar nga stafi i DEV-AID. Psikologia dhe ndërmjetësja e punësimit në projekt, Andja Trasja, përmend propagandimin e formimit profesional afatshkurtёr si njё mjet i rёndёsishёm drejt punёsimit nepermjet aktiviteteve promovuese nё qendёr dhe nё komunitet, por dhe aktivitetet masive ndёrgjegjёsuese. Ndër shërbimet janë dhe aktivitetet masive informuese, sociale, kulturore me pёrfituesit e qendrёs sipas nevojave, thotë Trasja për Deutsche Welle-n.

Albanien Andja Trasja
Andja TrasjaFotografi: DW/A. Muka

"Po kështu bëjmë trainime për aftësimin interpersonal të përfituesve në përballjen e ardhshme me tregun, jepet informacion i pёrgjithshёm pёr funksionimin e strukturave shtetёrore lidhur me aplikimin pёr punёsim dhe pёrfitime tё tjera sociale tё pёrfituesve, realizohen ndёrhyrje sociale dhe ndjekje e progresit social tё pёrfituesve, individualisht dhe nё grup sipas problematikave, jepet asistencë dhe mbёshtetje social-psikologjike sipas rasteve, mbështetje ligjore, ndёrmjetёsim i praktikave profesionale pranё njёsive tё bizneseve lokal pas certifikimit, ndërmjetësim për punësim etj.”

Mbështetja gjermane jo thjesht financiare

Bashkëpunimi me organizatën gjermane Brot fur die Welt ka nisur që prej muajit prill 2014, fillimisht me një kontratë me kohëzgjatje 1 vit e gjysëm, e cila më pas u vijua nga kontrata e dytë me afat 3 vjeçar që përfundon pas rreth dy viteve 

"Mbështetja e BfdW për DEV-AID-in për të arritur realizimin e objektivave të projektit nuk është thjeshtësisht financiare por tejet kësaj, konsiston edhe në mbështeteje profesionale për ngritje kapacitetesh organizative, duke mundësuar trajnimin e stafit dhe konsultim të vazhdueshëm lidhur me metodat e reja të ndërhyrjes”, shton Andja Trasja,  psikologe dhe ndërmjetëse në projektin "Tё bёjmё tregun e punёs tё funksionojё pёr grupet nё nevojё!”.