1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dorëheqja kishte kohë që pritej

17 Shkurt 2012

Presidenti gjerman Christian Wulff po pranon pasojat: drejtësia gjermane ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe ka njoftuar se do të nisë hetime mbi bazën e dyshimeve për marrjen e përfitimeve.

https://p.dw.com/p/144hb

Dyshimi fillestar i prokurorëve nga Hanoveri shënoi për Christian Wulff fundin në postin e presidentit federal. Edhe pse vlen pafajësia deri sa të jepen prova për fajësinë, Christian Wulff nuk mund të qendronte më në postin më të lartë, duhet të shmangeshin dëmet e mëtejshme ndaj institucionit të presidentit federal. Dorëheqja duhej të ishte bërë më parë për të mos thënë shumë më parë. Një mbyllje dramatike për Christian Wulff-in i cili prej javësh përpiqet të largojë nga vetja skandalin rreth personit të tij duke treguar një "lëkurë të regjur" dhe duke përdorur retorikë të sjellshme. Por nuk ia doli mbanë. Dhe është mirë kështu, kjo flet për pavarësinë e drejtësisë dhe gazetarisë në Gjermani.

Historitë dhe kryetitujt rreth shfrytëzimit të shtëpive të shtrenjta të pushimeve, pranimit të ftesave dhe përzierjes së interesave politikë dhe ekonomikë nga ish kryeministri i Saksonisë së Poshtme Christian Wulff, u transformuan në një roman me disa vëllime, prej të cilit protagonisti megjithë dëshirën, nuk mund të shkëputej më. Kërkesa e prokurorisë e bën të qartë seriozitetin e situatës: nuk bëhet fjalë për vepra penale kavalereske, por për shqyrtimin e çështjeve të cilat mund të kenë relevancë në aspektin penal.

Risia ishte megjithatë rruga si u arrit deri tek dorëheqja: për herë të parë në historinë e Republikës Federale Gjermane u kërkua heqja e imunitetit për mbajtjen e postit më të lartë të shtetit. Një hap i tillë është sa logjik aq edhe dramatik - në pjesën më të madhe të rasteve politikanët dhe mbajtësit e posteve politike tërhiqen përpara se të arrihet tek një hap i tillë, përpara se besueshmëria e postit të tyre dhe klasës politike në përgjithësi të dëmtohen. Këtë duhej të kishte bërë edhe Christian Wulff, madje shumë kohë më parë.

Ute Schaeffer, Kryeredaktore e Deutsche Welles
Ute Schäffer, Kryeredaktore e Deutsche WellesFotografi: DW

Posti i presidentit federal jeton nga besueshmëria dhe neutraliteti i mbajtësit të postit, shkurt nga integriteti personal. Në ndryshim me vendet e tjera në të cilat pushteti ekzekutiv i presidentit arrin deri tek influencimi e madje manipulimi i vendimeve parlamentare dhe juridike: ai është para së gjithash përfaqësuesi më i lartë, dhe si instancë morale duhet dhe mundet të merret me diskutime të rëndësishme për vlerat dhe temat e mëdha të shoqërisë dhe politkës në Gjermani dhe t'i shoqërojë me qendrim të qartë. Pavarësisht nga fakti që Christian Wulff nuk ka arritur ta bëjë këtë as në 18 muajt e kaluar në aspektin përmbajtësor, ndërkohë ai nuk i përmbush më kushtet për këtë.

Ende një numër i konsiderueshëm njerëzish në Gjermani dhe jashtë vendit e konsiderojnë Wulff-in një viktimë të një fushate mediatike. Por, sipas mendimit tim mediet në rastin e Wulff-it kanë bërë vetëm punën e tyre: informim në rastet kur politika dhe politikanët kanë afërsi të tepruar ndaj grupeve të tjera të interesit. Këtë e bëjnë gazetarët në të gjithë botën, dhe ndryshe nga Gjermania përballen me rreziqe të mëdha në kryerjen e kësaj pune.

Në rastin e Wulff-it gazetarët iniciuan diskutimin për marrjen e mundshme të përfitimeve dhe e vazhuan atë, ata përcaktuan axhendën. Kjo është detyra e tyre! Dhe kërkesa e prokurorisë tregon se edhe drejtësia në Gjermani mund të punojë e pavarur dhe profesionale edhe kur është fjala për mbajtës postesh të larta.

Është e drejtë që kjo të bëhet në mënyrë konsekuente. Dhe dëmet e mëtejshme ndaj postit të presidentit duhet të shmangen me çdo kusht.Gjermania - klasa e saj politike, pavarësia dhe soliditeti i institucioneve tona demokratike - gëzojnë besueshmëri të lartë në të gjithë botën. Ne kërkojmë demokraci, shtet ligjor dhe liri mendimi nga të tjerët. Për këtë arsye është e drejtë që në rast dyshimi për shkelje të rendit tonë ligjor, pavarësisht nga rëndësia e personit, të zbatohen këto parime edhe Gjermani, pa "pse" dhe "nëse".

Autor: Ute Schäffer

Redaktoi: Eliana Xhani