FRONTEX-i nis patrullimin e kufirit Shqipëri-Greqi | Ballkani | DW | 21.05.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

FRONTEX-i nis patrullimin e kufirit Shqipëri-Greqi

Fillon zbatimi i marrëveshjes Shqipëri-FRONTEX. 50 oficerë të FRONTEX-it vendosen në kufirin e gjelbër Shqipëri-Greqi. 

FRONTEX-i (Agjensia e Rojes Kufitare dhe Bregdetare të BE), nisi të martën(21.05.2019), patrullimin e kufirit të gjelbër Shqipëri - Greqi. Ekipe të përbashkëta, të përbëra nga oficerë të policisë kufitare nga 11 vende të BE, mes të cilëve edhe nga Gjermania dhe oficerë të policisë kufitare të Shqipërisë do të kontrollojnë dhe inspektojnë kufirin për të parandaluar kalimet e pa autorizuara, emigracionin e paligjshëm dhe krimin ndërkufitar.  

Fillimisht 50 oficerë të FRONTEX u vendosën të martën në pikat e kalimit kufitar në Kakavijë dhe në Kapshticë, të konsideruara si pikat më të nxehta të kalimit të emigrantëve të paligjshëm nga Greqia në Shqipëri, në orvatje për të kaluar më pas në vendet e BE. 

Operacionin e përbashkët e prezantoi të martën në Tiranë, Komisioneri i BE  për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, që vuri në dukje se misioni FRONTEX , “hap një kapitull  të ri të bashkëpunimit BE- Shqipëri dhe është një moment historik në bashkëpunimin e BE me rajonin”.

“Ekipet e FRONTEX-it, në prani dhe bashkëpunim me oficerët shqiptarë të kufirit, do të kryejnë  kontrolle dhe inspektime për të  parandaluar kalime të pa autorizuara të kufirit. Shqipëria është pjesë e familjes europiane, ne kemi sfida të përbashkëta,” tha Avramoupoulos, në fjalën përshëndetëse të prezantimit të misionit. 

Fabrice Leggeri, kreu i  FRONTEX vuri në dukje në konferencën për shtyp se “ky është operacioni i parë i përbashkët  në territorin e një vendi fqinj jo anëtar të BE”

Rama:  26.5% më shumë se 2018 fluks emigrantësh nga Greqia

Kryeministri Rama e vlerësoi fillimin e misionit të FRONTEX me disa përfitime të ndërsjellta si “shkëmbimin e informacionit, analizën e riskut dhe përballimin e flukseve migratore nga vende  të treta.”  
“Shqipëria është përballur me një rritje të flukseve të migracionit të paligjshëm 6,7 herë më shumë në vitin 2018 krahasuar me vitin 2017 dhe 26,5 herë më shumë këtë vit, Janar - Prill 2019 në krahasim me një vit më parë,” tha Rama.

Ai vuri në dukje se emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve drejt BE është ”zvogëluar dhe ka  arritur në shifra të papërfillshme”.

Përmasat e misionit të FRONTEX-it në Shqipëri

Konkretisht 50 oficerë të FRONTEX  u vendosën të martën në kufirin e gjelbër mes Shqipërisë dhe Greqisë, në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës. Ekipet e përbashkëta që ata do të formojnë me oficerët e policisë kufitare të Shqipërisë do të kenë 16 automjete patrullimi përgjatë kufirit Shqipëri-Greqi, për të luftuar kontrabandën e emigrantëve të paligjshëm dhe krimin ndërkufitar.  

Kreu i FRONTEX-it, Fabrice Leggeri, tha në konferëncën për shtyp se marrëveshja me  Shqipërinë nuk ka afat kohor. FRONTEX-i ka nënshkruar marrveshje të ngjashme edhe me Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë. Por Shqipëria është vendi i parë në rajon, ku u vendosën oficerë kufiri nga 11 vende të BE në kufirin e gjelbër Shqipëri - Greqi.