Francë: Të rëndësishme votat nga skajet e spektrit politik të djathtë
3 Maj 2012Tani të rëndësishme janë mbi të gjitha votat nga skajet e spektrit politik të djathtë. Për to po luftojnë dy rivalët në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale në Francë. Në skajin e kampit të djathtë janë rreth 18 për qind e elektoratit, ata që votuan për kandidaten e Frontit Nacional Marine Le Pen dhe bënë që ajo të fitonte papritur aq shumë në raundin e parë. Për shkak të sistemit elektoral francez prej kësaj fitoreje Marine Le Pen nuk ka ndonjë dobi, sepse në balotazh kanë të drejtë të marrin pjesë vetëm dy fituesit e raundit të parë të votimit. Por votuesit dhe përkrahësit e Frontit Kombëtar mendojnë se në zgjedhjet parlamentare të qershorit do të arrijnë suksese të mëdha.
Sidomos Nicola Sarkozi po përpiqet të fitojë në zgjedhjet e balotazhit votat e spektrit të djathtë. Atij i nevojiten dy të tretat e votave të votuesve të Frontit Kombëtar për të fituar në mënyrë të tillë që të mundë edhe kandidatin socialist Hollande. Kjo duket pothuajse e pamundur, sepse Marine Le Pen u sugjeroi pak para votimit vendimtar të 6 majit përkrahësve te saj që në shenjë proteste të abstenojnë, në vend që t'u rekomandonte që të votojnë për Sarkozynë. Sipas saj mes Sarkozy dhe Hollande nuk ka ndonjë dallim, sepse ata janë që të dy skllevër të politikës së kursimit.
Megjithatë Nikolas Sarkozi po përpiqet të fitojë votat e Frontit Kombëtar edhe pse e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me ta. Në një miting elektoral në Paris Sarkozy tha: "Mbështetësit e socialistit François Hollande janë mbledhur nën flamurin e kuq. Ne jemi mbledhur nën flamurin tringjyrësh të Republikës Franceze. Ne duam projekte të mëdha për këtë vend të madh me emrin Francë. Ne nuk duam që të gjithë të jenë njëlloj, ne nuk duam urrejtje, ne nuk duam luftë klasash, ne nuk duam socializëm."
Sarkozy po përdor në fjalimet e tij elektorale tema tipike dhe fjalorin e krahut të ekstremistëve të djathtë. Ndër këto tema përfshihet edhe marrëveshja e arritur në mes të muajit prill mes ministrit të Brendshëm francez Claude Guéant me homologun e tij gjerman, Hans-Peter Friedrich, për të ndryshuar Marrëveshjen e Shengenit.
Meqenëse Sarkozi kishte zgjedhur si ditë për të mbajtur fjalimin e tij 1 Majin, kundërshtari i tij, François Hollande, u tall në një miting të organizuar në Never me faktin që kundërshtari i tij donte të festonte në këtë ditë "punën e vërtetë": "Papritmas, kandidati Sarkozy zbuloi 1 Majin. Unë nuk e di se çfarë ka bërë ai deri tani në ditën e 1 Majit. Mendimet e tija intime ai nuk na i ka treguar, të paktën deri tani jo. Por këtë vit ai i bën ftesë vetvetes. Dakord kjo është e drejta e tij. Por unë nuk se kandidati e përvetëson vlerën e punës, sepse vlerën e punës e mbrojmë ne të gjithë së bashku."
Autor: Miroslaw Jablonski/Pandeli Pani
Redaktoi: Aida Cama