1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fortifikatë kundër Stalinit- 60 vjet Plan Marshall

Joachim Lenz5 Qershor 2007

60 vjet më parë, më 5 qershor 1947, u paraqit më në fund nga amerikanët Plani Marshall për rindërtimi i Gjermanisë dhe fqinjëve të saj evropianë

https://p.dw.com/p/Ar7s
Një protrtet në akuarel i George C. Marshall-it nga E.H. Baker në vitin 1947
Një protrtet në akuarel i George C. Marshall-it nga E.H. Baker në vitin 1947Fotografi: AP

Evropa, dy vjet pas fundit të Luftës II Botërore: Njerëzit vujanë nga uria, ekonomi kombëtare të rrënuara. Fuqitë fituese aleate nuk kanë vendosur ende se çfarë do të bëhet me Gjermaninë. Vetëm një gjë është e qartë: Prej këtij vendi nuk duhet të lindë më kurrë luftë. 60 vjet më parë, më 5 qershor 1947, u paraqit më në fund nga amerikanët Plani Marshall. Me anë të tij rindërtimi i Gjermanisë dhe i fqinjëve të saj evropianë ishte aq i suksesshëm saqë katër prej tyre janë sot ndër ekonomitë më të mëdha e të fuqishme të botës, që takohen rregullisht në samitet e G8-ës, si këtë javë në vendin bregdetar të kurimit Heiligendamm. Një vështrim me historinë e Planit Marshall:

Pranverë 1947. Shefi i George Marshall-it, presidenti Harry Truman, kishte kapur një rekord të ri negativ në sondazhet për popullaritetin. Pas dimrit më të rëndë në Evropën e shkatërruar nga lufta sundonin sipas fjalëve të Marshall-it 'uria, dëshpërimi, varfëria dhe kaosi'. Uashingtoni sapo kishte miratuar 20 miliardë dollarë për programe të ndryshme ndihme të pasluftës dhe ishte në humor për sakrifica të reja, qofshin ato edhe për ish-aleatë apo ish-kundërshtarë.

Moska që ende kishte qenë aleati kryesor në fitoren mbi Gjermaninë naziste, u identifikua në një kthesë dramatike si rivali më i madh i Amerikës në të ardhmen. George Kennan, i ngarkuari me punë i ambasadës së SHBA në Moskë, paralajmëroi në të njohurin 'telegram të e gjatë' të shkurtit 1946 për marrinë e Stalinit për akspansion. Presidenti kishte shpallur në mars 1947 'Doktrinën Truman' duke e angazhuar Amerikën në mbrojtjen e Greqisë dhe të Turqisë nga rreziku komunist.

Politika e jashtme e Uashingtonit gjendej para një kthese historike kur më 5 qershor George Marshall-i në fjalimin me rastin e mbylljes së vitit shkollor në Universitetin e Harvardit parashtroi një plan të padëgjuar. Karriera e shkëlqyer ushtarake e kishte sjellë ushtarin George Catlett Marshall deri në postin e shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, të cilin ai e mbajti nga 1939-a deri në 1945-ën. Marshall-i ishte planifikues dhe strateg kryesor i përpjekjeve aleate në luftën kundër Gjermanisë hitleriane. Në gjykimin e Winston Churchill-it Marshall-i ishte 'organizatori i vërtetë i fitores'.

I emëruar në fillim të 1947-ës nga presidenti Harry Truman si ministër i jashtëm, dhe i pajisur me një shtab të shkëlqyer bashkëpunëtorësh, mes tyre Dean Acheson dhe George Kennan, Marshall-i e shfrytëzoi fjalimin e tij të Harvardit për të folur për detyrimin e Amerikës kundrejt Evropës së shkatërruar.

'Është logjike që Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë gjithçka munden për të kontribuar në shëndoshjen e ekonomisë botërore...'

Kontinentit të shkretuar i mungojnë kapitali, njerëzit, lëndët e para, ushqimet dhe besimi në monedhën vëndase, tha Marshall; rrënimi politik, social dhe ekonomik mund të ndalet vetëm me anë të ndihmës nga Shtetet e Bashkuara, superfuqia e vetme ekonomike e asaj kohe. Leukoplasti nuk mjafton, Evropa ka nevojë për kurim për tu shëruar. Vetëm me rifitimin e besimit nga njerëzit në të ardhmen ekonomike të vendit dhe kontinentit të tyre janë të mundura paqja dhe stabiliteti, deklaroi Marshall.

Ai përmendi një kusht: 'Përpara se qeveria e Shteteve të Bashkuara të vazhdojë me përpjekjet e saj për përmirësimin e gjendjes dhe të ndihmojë botën evropiane në gjetjen e një nisjeje drejt rimëkëmbjes, shtetet evropiane duhet të merren vesh për atë që u duhet më urgjentisht...'

Për ditë me radhë nuk u dallua rëndësia e fjalimit të Marshall-it. Edhe vetë zëdhënësi i departamentit të shtetit e quajti nismën e Marshall-it 'fjalimë rutine pa vlerë lajmi'. Pastaj ajo shpërtheu si me sahat. 'Plani Marshall' u kthye në, siç tha më vonë Churchill-i, 'veprën më vetëmohuese të historisë. Në korrik pasoi revista 'Foreign Affairs' artikulli legjendar i shënua me 'X' i drejtorit të shtabit të Marshall-it George Kennan, ku skicohej politika e 'kufizimit' të Bashkimit Sovjetik.

Brenda pak muajve Evropa Perëndimore u morr vesh për 'Programin Evropian të Rindërtimit', të propozuar prej Marshall-it dhe të financuar nga Uashingtoni. Nga 1948-a deri në 1951 kaluan nga Amerika në Evropë para, mallra dhe shërbime me një vlerë prej 13,5 miliardë dollarësh - me vlerën e sotme më shumë se 115 miliardë dollarë. Qytetarët amerikanë që në fakt donin të ndaheshin prej triskat, të shijonin paqen dhe t'i gëzoheshin konsumit, u dhanë 16 shteteve evropiane rreth një për qind të prodhimit të tyre kombëtar.