1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Fitorja e Trump vota për ndryshimin dhe kundër statuskuosë"

10 Nëntor 2016

Albert Rakipi për DW: Donald Trump fitoi se u ofroi ndryshimin amerikanëve të zemëruar me statuskuonë politike.

https://p.dw.com/p/2SUFc
Albert Rakipi AIIS
Fotografi: DW/A. Ruci

DW:  Z. Rakipi, shumica e politikanëve, qytetarëve të Shqipërisë donin dhe mbështetën fitoren e Hillary Clinton, nisur nga kontributi i saj në çështjen shqiptare dhe sidomos i ish Presidentit Clinton. Ndërsa ju keni patur nje mendim ndryshe,  në një bisedë që patëm javën e kaluar, unë fanse e fortë e znj. Clinton, si një mundësi e kapërcimit të barrierës gjinore, pra fanse për gruan e parë, Presidente të SHBA-së. Por doli parashikimi juaj. Atëhere, cilët faktorë ndikuan në fitoren e Trump, që ju ndoshta i hamendësuat, kur nuk iu bashkuat shumicës në shpresën, deri në siguri, për fitoren e Hillary Clinton?

 

Albert Rakipi: Të duash të fitojë një kandidat/e dhe të arsyetosh apo hamendësosh, si thoni ju, nëse kandidati/ja që pëlqen do të fitojë ose jo janë dy gjëra të ndryshme. Deri në ditën e fundit besimi dhe shpresa ishin të plota: Sekretarja Clinton do të ishte Presidentja e re e SHBA. Por faktori themelor, që e bëri kandidatin Donald Trump, të kapërcejë të gjitha pengesat ishte i pranishëm edhe në ditën e votimit… Ky faktor është pa mëdyshje zëmërimi i qytetarëve me elitën politike, institucionet, establishmentin politik të SHBA. Fakt është tanimë që ky lloj zemërimi nuk është vetëm në SHBA, por po shndërrohet në një dukuri globale.  E kemi parë në disa vende të konsoliduara demokratike në Europë. Çfarë bëri Donald Trump? Ai u ofroi zgjedhësve ndryshimin, përkundrejt stuskuosë egzistuese dhe vazhdimësisë që Hillary Clinton përfaqsonte. Sigurisht, kur them që u ofroi/propozoi ndryshimin nuk e kam fjalën për ndryshimin që lidhet me zëvendësimin e administratës së demokratëve me një administrate të re, atë të republikënëve. Jo. Fitorja e Donald Trump nuk është vota kundër demokratëve dhe votimi për Republikanët. Është vota për ndryshimin, vota kundër statuskuosë me të cilën qytetarët amerikanë janë të revoltuar. Trump thjesht u priu atyre në lëvizjen për prishjen e kësaj statuskuoje. Trump nuk përfaqsonte as njërën, as tjetrën pjesë të establishmentit politik në SHBA. Ne e pamë sesi ai mundi rivalët e tij brenda  Partisë Republikane. Nga ana tjetër ndoshta Senatori Bernie Sanders, nëse do të kishte marrë nominimin e demokrateve, nuk ka qenë pa gjasa të udhëhiqte me të njëjtin sukses "revoltën" kundër establishmentit dhe statuskuosë ndonëse nuk ishte një outsider si Donald Trump. Ky i fundit fitoi kundër të gjithëve madje edhe kundër disa gazetarëve, analistëve, qendrave të sondazheve dhe kërkimit, që parashikuan fitoren e ish-sekretares Clinton. Arsyeja është e thjeshtë: të gjithë sa më sipër janë pjesë e establishmentit dhe reflektojnë kulturën e statuskuosë për nga konceptet, idetë, me të cilat kuptojmë dhe shpjegojnë politikën përfshirë edhe mënyrën sesi i bëjmë analizat dhe sondazhet.

Ka një lloj shock-u, përmbajtjeje, shqetësimi në Europë lidhur me fitoren e Donald Trump. Cili është komenti juaj?

Nuk mendoj që udhëheqësit europianë janë në shock. Ajo që mendoj është se padyshim rezultati i këtyre zgjedhjeve presidenciale në SHBA përbën një surprizë të madhe.  Dhe ndër arësyet pse ato janë surprizë është edhe dështimi i elitave politike europiane për të kuptuar dhe administruar zemërimin e qytetarëve ndaj statuskuosë. Natyrisht, që janë të pritshme ndryshime në mardhëniet ndërkombëtare, por në mënyrë thelbësore këto zgjedhje presidenciale në SHBA dhe rezultati i tyre duhen parë si revolucione në politkat e brendshme të vendeve demokratike.

Si do t'i zhvillojë Amerika me President Donald Trump marrdhëniet euro- atlantike, sidomos ato SHBA-BE dhe SHBA-NATO? 

Duhet të presim për të parë "Doktrinën Trump" në punët e jashtme të SHBA-së. Janë një numur çështjesh të rëndësishme të bashkëpunimit euroatlantik përfshirë të ardhmen e  NATO-s,për të cilat  Presidenti Trump gjatë fushatës ka ofruar qasje kontradiktore .

Marrdhëniet me rajonin, Shqipërinë?

Ka një shqetësim lidhur me  premtimet e Presidentit të zgjedhur Trump për një qasje izolacioniste të SHBA-së në punët e jashtme. Por, tani për tani, vetëm mund të spekulohet. Gjithsesi mendoj që çdo hap që administrata e ardhshme amerikane do të bënte drejt një politike izolacioniste, do të kishte implikime të jashtëzakonëshme në shkallë globale, përfshirë edhe rajonin tonë dhe sigurisht edhe Shqipërinë. Është shumë e rëndësishme të ketë më shumë vëmëndje të SHBA-së ndaj rajonit të Ballkanit. Sidomos po të mbajmë parasysh se BE-ja nuk është në ditët e veta më të mira. Por a është e mundur kjo  kur bota   ballafaqohet me  sfida shumë serioze  si  kriza ekonomike, e emigracionit, konnfliktet rajonale  dhe  paqëdnrushmeria  në rajone shumë strategjike për sigurinë dhe paqen globale? Kjo mbetet për t'u parë. E vërteta është.që në Shqipëri ka një mbështetje spektakolare për të zhvilluar dhe forcuar marrdhëniet me SHBA-në.  Por  Shqipëria duhet t'i thellojë dhe t'i mbrojë ato me ide të reja që pëpputhen me  interesat shtetërore.  Mendoj që është e gabuar p.sh. përpkjekja e politikanëve shqiptarë për të siguruar mbështetje në Uashington,  jo për interesat e  Shqipërinë por për ato afatshkurtëra politike.

Dr. Albert Rakipi është Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Marrdhënie Ndërkombëtare në Tiranë.