1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillojnë sërish bisedimet Prishtinë - Beograd

Bahri Cani7 Shtator 2006

Në Vjenë vazhduan sot bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës, për të ashtuquajturat çështje teknike. Në rend dite sot është çështja e decentralizimit dhe qytetit të ndarë të Mitrovicës. Ndërsa nesër do të bisedohet për trashëgiminë kulturore dhe të drejtat e komuniteteve

https://p.dw.com/p/Arct
Salla e bisedimeve në Vjenë
Salla e bisedimeve në VjenëFotografi: AP

Atmosfera në prag të takimit të sotëm ishte shumë më e ftohtë se herave tjera. Fitohet përshtypja se as vetë anëtarët e delegacioneve nuk e besonin mundësinë e
ndonjë marrëveshjeje konkrete për çështjen e decentralizimit.

Që prej fillimit të bisedimeve, delegazioni serb për herë të parë refuzoi të deklarohet për media. Gazetarët mbetën pa përgjigje se si ka kaluar takimi para bisedimeve i delegacionit serb me ndërmjetësuesin kryesor për çështjen e statusit, Marti Ahtisari. Nga disa qarqe qeveriare në Beograd është kërkuar që Ahtisari të kërkojë falje e
madje edhe të tërhiqet nga posti i tij, për shkak të deklaratës me të cilën sugjeron se populli serb mban përgjegjësinë për politikën e kaluar të ish diktatorit Sllobodan Millosheviq.

Në një deklaratë të dhënë mbrëmë, udhëheqësi i delegacionit serb Sllobodan Samarxhiq tha se ata janë të gatëshëm për vazhdimin e bisedimeve, mirëpo: "Unë kam frikë se bisedimet po zhvillohen nën hijen e zhvillimeve të mëdha rreh Kosovës dhe Metohisë. Fjala është për mundësinë që Ahtisari t'i japë sugjerimet e tij para Këshillit të Sigurimit në seancën e ardhshme më22 shtator. Spekulohet edhe me mundësin që të paraqesë sugjerimet për statusin përfundimtar, gjë që pengon në masë zhvillimin e bisedimeve," pohon Samarxhiq duke shtuar se ata do të presin raportimin para Këshillit të Sigurimit dhe më pas do të marrin vendim se çfarë duhet bërë.

Me zotin Ahtisari u takuan sot edhe anëtarët e delegacionit kosovar. Udhëheqësi i delegacionit, zëvendëskryeministri Lutfi Haziri tha se delegazioni i Kosovës është përgatitur mirë për këto bisedime. Për këto çështje ka debatuar edhe parlamenti. "Ne do të debatojmë pr kufijtë e komunave në Kosovë. Delegacioni i Kosovës ka ofruar krijimin e pesë komunave të reja plus zgjërimin e një komune ekzistuese. Kosova ka ofruar që serbët të udhëheqin komunat ku janë shumicë, në një Kosovë të pavarur. Komunat duhet të kenë kompetencat e njëjta ndërsa qytetarët të jenë të barabartë," theksoi Haziri.

Në anën tjetër edhe pala serbe mbetet në qëndrimet e mëparshme se në Kosovë duhet krijuar 12 komuna të reja me shumicë serbe. Deri tani nuk ka lëvizje drejt afrimit të këtyre qëndrimeve. Afrim qëndrimesh nuk ka as në çështjen më të ndjeshme deri tani, qytetin e ndarë të Mitrovicës. Haziri konfirmoi se në këtë takim në veçanti do të bisedohet edhe për: "Komunën e Mitrovicës, ku formula jonë mbetet e njëjtë si më parë: një qytet me dy komuna ku duhet të krijohen parakushtet për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët dhe integrimin e saj."

Pala serbe ka kërkuar që Mitrovica e vermut të jetë komunë më vete ose t'i bashkohet Zvecanit. Më në fund, sot do të flitet edhe për kompetencat e komunave, ku
mosmarrveshjet poashtu janë shumë të mëdha. "Në çështjen e kompetencave qëndrimet jo vetëm që nuk janë ofruar, por janë largura. Në propozimin ndërkombëtar flitet për të gjitha komunat në Kosovë, ndërkohë që ne jemi të interesuar për komepetencat e komunave me shumicë serbe," theksoi Sllobodan Samarxhiq.

Ndërsa Haziri u shpreh se prozonimi i tyre bazohet mbi parimet e kartës evrpiane për të komunat dhe dokumentet tjera ndëkrombëtare, duke konkluduar: "Ne jemi këtu dhe jemi të bindur se gjendemi afër zgjidhjes së çëshjteve teknike. Statori dhe tetori do
të jenë muaj kritik. Ne besojmë se Kosova po shkon drejt pavarësisë dhe se bashkësia ndërkombëtare do e njohë pavarësinë, me qëllim që edhe ne të jetojmë si
qytetarë normalë," pohon udhëheqësi i delegacionit kosovar.