1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fantazi terminologjike

Anila Shuka25 Janar 2007

Kryenegociatori për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, do t'u prezantojë përfaqësuesve të Grupit të Kontaktit të premten në Vjenë për herë të parë planin e tij për të ardhmen e Kosovës.

https://p.dw.com/p/ArZK
Martti Ahtisaari
Martti AhtisaariFotografi: AP

Vendet anëtare të Grupit të Kontaktit do të përfaqësohen nga diplomatët e ngarkuar për këtë punë, pra një rang nën drejtorët politikë, i tha Dojçe Veles ministria gjermane e punëve të jashtme. Vendtakimi është i fshehtë po ashtu edhe përmbajtja e propozimit, i cili tërësisht ose pjesërisht, do t'u prezantohet një javë më vonë, më 2 shkurt, Prishtinës dhe Beogradit.

"Sovranitet i kufizuar", "pavarësi e kushtëzuar", "pavarësi e survejuar", "sovranitet që duhet fituar", - këto e të tjera terma lidhur me propozimin e të ngarkuarit të OKB-së për Kosovën Martti Ahtisaari, kanë kohë që qarkullojnë nëpër media. Sipas njoftimeve më të fundit të agjencive të lajmeve ka mundësi që Ahtisaari fillimisht të mos e përcaktojë terminologjokisht stastusin e ardhshëm të Kosovës. Franc Lotar Altmann nga Instituti "Shkenca dhe Politika" në Berlin thotë se propozimi do të përmbajë "disa formulime që karakterizojnë kufizimin e sovranitetit, por që gjithashtu do të lënë mundësi interpretimi të mëtejshëm për të dyja palët."

Arësyeja për këtë është që të dyja palët të kenë mundësi t'ua "shesin" atë votuesve sipas interesave përkatëse. Kjo do të thotë, "që shqiptarët të thonë, që nuk shkruhet më që ne do të jemi pjesë e Serbisë, ndërsa serbët të thonë që këtu nuk shkruan "pavarësi e plotë me të gjitha të drejtat", vazhdon Altmann. "Në një rast të tillë ekziston një shpresë që të mos merret një "Jo" absolute nga të dyja palët," por ai shton se "shpresa është shumë e vogël".

Altmann është i mendimit se gjithsesi, në bazë të propozimit të Ahitsaarit, Kosova faktikisht do të bëhet e pavarur. Shenja për këtë janë krijimi i ministrisë së jashtme, kompetencat e vendimmarrjes, e drejta për të marrë kredi nga Banka Botërore dhe për të nënshkruar në mënyrë të pavarur kontrata ndërkombëtare. Pala serbe sipas këtij formulimi mund të thotë: "Edhe në rastin e Malit të Zi ishte e njëjta gjë dhe megjithatë na takonte ne. Edhe Mali i Zi kishte ministri të jashtme, ndërsa Serbia jo, edhe Mali i Zi kishte një njësi të vetën monetare e kështu me radhë. Edhe prapë mund të thuhej që nuk ishte i pavarur."

Pavarësisht se si do të quhet, Altmann është i mendimit se faktikisht do të jetë një sovranitet i kufizuar, ku Bashkimi Evropian do të ketë të dretjë të ndërhyjë, në një formë të ngjashme si në Bosnjë: "Në mënyrë të veçantë sa u përket të drejtave të pakicave, sepse këtu nuk duhet të vijë puna kurrsesi deri tek një situatë, ku të thuhet që u dhamë shqiptarëve një sovranitet të plotë, megjithëse nuk ishim të sigurtë se a do t'i plotësonin me të vërtetë të gjitha standardet," - sqaron Altmann.

Sipas raporteve të mediave, në propozim parashikohet dhe ngritja e Ministrisë së Mbrojtjes. Eksperti për Ballkanin, Franc Lothar Altmann, është skeptik: "Unë jam i mendimit se asnjë shtet në Ballkan nuk duhet të ketë një ushtri të vetën. Por është e mundshme që të kriohet një lloj trupe ndërhyrëse në raste krizash. Kjo është në interes të amerikanëve. Megjithëse unë personalisht mendoj që do të ishte më mirë që si Serbia, Bosnja, ashtu edhe Kosova të çarmatosen e nuk do të kishte nevojë për ushtri."

Gjithsesi, Altmann është i mendimit se shanset janë shumë të vogla që propozimi i Ahtisaarit të pranohet tërësisht nga të dyja palët. Dhe kjo do ta vështirësonte edhe kalimin e tij në Këshillin e Sigurimit, pasi Rusia e ka thënë disa herë, se do të vërë veton në rast se palët nuk bien dakord. Nga Ahtisaari dhe Bashkësia Ndërkombëtare kërkohet shumë fantazi diplomatike por edhe terminologjike.