1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EU Finanzen Griechenland

4 Tetor 2011

Ministrat e Financave të BE konsultohen për gjendjen në Eurozonë dhe për rrugët e daljes nga kriza. Falja e borxheve bëhet më e mundshme, mendon Bernd Riegert.

https://p.dw.com/p/12leD

Kemi të bëjmë me diçka, që dihet: gjysma e politikës ekonomike është psikologji. Konfirmimin për këtë e ofrojnë pikërisht ato, që mund t'i quash palë konflikti në debatin për vazhdimin e ndihmave financiare ndaj Greqisë.

Qeveria greke pohon se pa këto tetë miliardë euro nga fondi i emergjencës i BE që tani nuk është në gjendje që të paguajë dhe duhet t'u mbetet borxh për pensione dhe paga nëpunësve në sektorin shtetëror. Ministrat e Financave të 16 vendeve të tjera të euros, të cilët e kanë euron si monedhë të përbashkët, thonë tani se Greqisë paratë i duhen vetëm në nëntor. Vetëm po të bëjë përpjekje të tjera Greqia, vetëm atëherë ajo do të marrë para të tjera. Pra të dyja palët përpiqen të shtojnë presionin, faktet ekonomike me sa duket nuk luajnë më rol.

Bankat evropiane nën presion

Bernd Riegert
Bernd RiegertFotografi: DW

Që Greqia nuk do t'i respektonte këtë vit kufijtë e deficitit, për të cilat qe rënë dakord më parë, kjo është e qartë më e vonta që nga pranvera e hershme. Se pse tregjet financiare reagojnë me rënie të kurseve ndaj konfirmimit të këtij lajmi nga ministria greke e Financave, mbetet e paqartë, ose më saktë psikologji. Banka franko-belge Dexia- Bank dhe banka të tjera, të cilat kanë hua shtetërore greke po përjetojnë presione të mëdha, sepse tregjet e parandiejnë shumë kohë në avancë se çfarë do të ndodhë.

Një falje e pjesshme e borxheve Greqisë, me pjesëmarrjen e kreditorëve, kjo do të vijë herët a vonë. Sa më gjatë të presësh, aq më e vështirë bëhet gjendja.

Kjo falje e pjesshme e borxheve do të jetë e nevojshme të bëhet ndoshta që në nëntor, prandaj po zvarritet lëvrimi i pjesës tjetër të kredisë për Greqinë. Për një ristrukturim të borxhit duhet të përgatiten para së gjithash kreditorët. Këta janë banka evropiane, por edhe amerikane, të cilat mbajnë ende borxhe shtetërore greke. Kreditor kryesor është para së gjithash Banka Qendrore Evropiane, e cila u bleu bankave private një pjesë të madhe të borxheve shtetërore greke. Por më fort ristrukturimi i borxheve do të prekë vetë bankat greke, tek të cilat ka marrë para borxh shteti grek. Në të vërtetë përpjekjet e BE dhe të FMN për të shpëtuar Greqinë kanë të bëjnë me shpëtimin e sistemit evropian të bankave dhe me mbështetjen e tij.

EFSF duhet të mbështesë bankat

Po del megjithatë në pah se nuk mund të shpëtohen të gjitha bankat evropiane dhe greke. Disa do të bëhen pjesë e listës së të ashtuquajturave Bad Banks, siç duken punët në rastin e bankës franko-belge Dexia. Për këtë bankë nga ana tjetër duhet të bëhet garant Fondi Evropian i Shpëtimit EFSF, pra takspaguesi evropian. Kjo mund të ndodhë vetë atëherë, kur marrëveshjen e re të EFSF ta kenë nënshkruar të 17 shtetet e euros. Kjo nuk ka ndodhur ende, Hollanda dhe Sllovakia ende nuk e kanë bërë ratifikimin. Në parlamentin sllovak do të votohet më e vonta deri në 14 tetor. Por aprovimi vazhdon të jetë i pasigurtë. Edhe për këtë arsye dhënia e ndihmës Greqisë do të shtyhet deri në nëntor.

Poltika kërkon të fitojë kohën e duhur për të përgatitur faljen e pjesshme të borxheve Greqisë. Por ende është e paqartë se ç'efekt do të ketë një hap i tillë ndaj vendeve të tjera të krizës, si Spanja dhe Italia dhe te bankat e tyre.

Kërkohen vendime

Më 17 tetor kryetarët e shteteve dhe të qeverive do të takohen për takimin tjetër të nivelit të lartë. Atëherë duhet të merren vendime. Parrulla "Edhe më tej kështu" nuk mjafton më.

Autor: Berndt Riegert

Redaktoi: Auron Dodi