1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa ime: Evropianolindorëve u pëlqen Trumpi

Boris Kalnoky
10 Nëntor 2018

Pas përçmimit për Trumpin në Evropën Perëndimore qëndron një antiamerikanizëm i thellë. Në Evropën Lindore Trumpi lë përshtypje më të mirë - sepse atje i shohin më pozitivisht SHBA.

https://p.dw.com/p/37yb4
Boris Kalnoky
Fotografi: privat

Kur Donald Trumpi thotë diçka shpesh ajo është shokuese, vulgare - dhe është e saktë, mendon publicisti konservator i SHBA, Tucker Carlson. Ai e përjetoi në lëkurën e vet, kur foli me përçmim për flokët e Trumpit. Ai ia ktheu: modeli i flokëve të Carlsonit është vërtet më i mirë, por atij, Trumpin e kërkojnë më shumë për seks ("I get more pussy"). Si mund ta thuash një gjë të tillë, u habit Carlsoni, por iu desh të pranojë që Trumpi kishte të drejtë. 

Te ne në Evropën Lindore gjëra të tilla i thonë pa problem, edhe politikanët tanë dinë të sillen në mënyrë shumë të pagdhendur. Për shembull presidenti i Çekisë, Milos Zeman ("vdekje abstinentëve dhe vegjeterianëve"), i cili tha njëherë që mbrojtësve të ambjentit duhet "t'u vësh flakën, të urinosh mbi ta dhe ta kriposësh atë që mbetet prej tyre". Ose dora e fortë e Polonisë Jaroslaw Kaczynski, i cili i karakterizoi migrantët si bartës të "parazitëve dhe protozoeve" (kafshëve prehistorike, njëqelizore).

Ky është ndoshta një shkak se pse Trumpi ka më shumë sukses te ne, se te gjermanët. Neve na pëlqen provokimi, meshkujt me dy palë mustaqe dhe fjalët e thëna troç - po qenë fjalë të vrazhda, aq më mirë. Por nuk është vetëm stili i Trumpit, që bën që atë ta refuzojnë në Gjermani dhe në vende të tjera në BE të vjetër, por ta vlerësojnë në lindje të BE. Në lindje atë e pëlqejnë, sepse pëlqejnë Amerikën. Në pjesën e vjetër të BE Amerikën në parim e pëlqejnë më pak, megjithëse - veçanërisht në Gjermani - mendojnë se janë vetë Perëndimi. Perëndimi, ne në lindje e dimë, është Amerika (dhe Anglia). Vetëm këta të dy janë të gatshëm që në rast nevoje të luftojnë për lirinë. Pjesa tjetër është një Evropë kontinentale e fiksuar pas burokracisë, e tërbuar pas rregullave, kur vjen puna frikacake, elitave intelektuale të së cilës do t'u kishte pëlqyer që ta pengonin presidentin e atëhershëm amerikan Ronald Reagan që ta fitonte luftën e ftohtë.

Skepticizmi i evropianoperëndimorëve (dhe i gjermanëve) ndaj Amerikës është i matshëm. Për shembull në Gjermani - sipas një studimi të Institutit Kërkimor Pew - vetëm 30 përqind e gjermanëve dhe 38 përqind e francezëve kanë një përfytyrim të mirë për SHBA - por 70 përqind e polakëve dhe 63 përqind e hungarezëve. E gjitha kalon në skizofreni, po të shikosh vlerësimin për Kinën. 54 përqind e gjermanëve kanë një përfytyrim pozitiv për Kinën. Kina komuniste, diktatoriale shihet pra më pozitivisht se SHBA demokratike. Në Poloni dhe në Hungari është e kundërta. Gjithsesi, të paktën 58 përqind e gjermanëve preferojnë që t'i shohin SHBA si fuqi drejtuese e botës (por 19 përqind do të preferonin Kinën). Polonia ka qëndrim më miqësor ndaj Amerikës: 68 përqind i duan SHBA si fuqi drejtuese, vetëm gjashtë përqind Kinën.

Kështu që ndonjëri te ne në Evropën Qendrore Lindore e pyet veten se çfarë po ndodh në mendjet e gjermanëve. Te ne, imazhi i SHBA dhe mendimi për Trumpin janë dy gjëra të ndryshme. Te gjermanët dhe në përgjithësi në Evropën Perëndimore jo. Besimi te Trumpi në Lindje të Evropës (te rreth 35 përqind) është vërtet më i madh se në Perëndim (rreth 10 përqind), por edhe te ne është i kufizuar, edhe nëse këtu dinë ta çmojnë stilin e tij llërëpërveshur të drejtimit. Sipas studimit të Pew, paraardhësin e Trumpit, Barack Obama gjithashtu e konsideronin më të besueshëm te ne. Por në një kohë kur besimi te presidenti i SHBA pas zgjedhjes së Trumpit ra edhe në Evropën Qendrore Lindore, imazhi pozitiv i SHBA mbeti i paprekur. Nuk mund të thuash të njëjtën gjë për Evropën Perëndimore.  Në Evropën Perëndimore SHBA  i dënuan nën Presidentin George W.Bush, i quajtën të mrekullueshme nën Obaman dhe tani i dënojnë sërish nën Trumpin.

Nga kjo mund të nxjerrësh vetëm konkluzionin që ne në Lindje shikojmë më me vëmendje dhe mendojmë në mënyrë më realiste.

Stili personal i Trumpit? Tamam karakter. Neve na pëlqejnë karakteret. Qëndrimi i tij për migrimin? Edhe te ne njësoj e shohin. Politika e tij "Amerika e para"? Edhe te ne e njëjta gjë është, Orbani thotë "Hungaria e para", në Varshavë thonë "Polonia e para". Por meqenëse Hungaria dhe Polonia nuk janë Amerikë, kjo do të thotë se Trumpit nuk duhet t'i besosh - ai nuk do të mirën tonë, por atë të amerikanëve. Dhe ne nuk duam të mirën e tij, por tonën. Po kjo është normale - dhe e ndershme.

Pyetja që i shtrohet vetes në Evropën Qendrore Lindore (por me sa duket këtë pyetje e shtrojnë më pak se në Evropën Perëndimore), është ku përkojnë dhe ku nuk përkojnë interesat tona. Lufta tregtare e Trumpit kundër BE? Na dëmton, sepse dihet që ne jemi në BE. Dobësimi politik i BE? Kjo mund të na ndihmojë, po të duan të na imponojnë evropianët gjëra që i refuzojmë. Pra deviza është që të mbrohemi, aty ku Trumpi dhe SHBA na dëmtojnë, t'u bëjmë qejfin, për ato drejtime ku sjellin gjëra pozitive dhe në llogari të fundit të kërkojmë kompromise pragmatike.

Në mënyrë më parimore megjithatë Trumpi mbron idenë që SHBA duhet të jenë dhe të mbeten vendi më i fuqishëm i botës. Make America great again! Kjo është garancia më e fortë e sigurisë, që mund të përfytyrojmë. Një Amerikë, e cila nuk dëshiron të dominojë më, është një Amerikë që nuk është në gjendje as të na mbrojë. Është fare e sigurtë që nuk do të jenë gjermanët që do të na mbrojnë, kur të jetë puna pisk, as francezët. Të na mbrojnë për shembull nga rusët. Me ta ne sigurisht na pëlqen që të bëjmë biznese, për aq kohë sa nuk na rrezikojnë.