Evakuohen diplomatë rusë nga Tbilisi - Krizë mes Gjerogjisë dhe Rusisë | Politika | DW | 29.09.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Evakuohen diplomatë rusë nga Tbilisi - Krizë mes Gjerogjisë dhe Rusisë

Avioni i parë me diplomatët rusë dhe të afërmit e tyre të evakuuar mbërriti të premten (29.09) në Moskë. Disa qindra rusë janë larguar gjithsej nga Gjeorgjia. Me këtë Kremlini shpreh indinjatën për arrestimin e nëntë oficervë rusë, që të gjithë këta punonjës të shërbimit sekret ushtarak, GRU. Përveç kësaj njësitë gjeorgjiane kanë rrethuar shtabin e trupave ruse, sepse dyshojnë, që atje ndodhen të dyshuar të tjerë. Por qarkullojnë fjalë, se këta ndërkohë janë larguar përmes një sistemi tuneli të vjetër të sovjetikëve.

Gjeorgjia bllokon kuartierin e trupave ruse

Gjeorgjia bllokon kuartierin e trupave ruse

Rusët akuzohen nga pala gjeorgjiane për spiunazh dhe minim të përpjekjeve gjeorgjiane për antarësimin në NATO. Ministri gjeorgjian i mbrojtjes Irakli Okruashvili tha: "Ka ende shumë persona, që duhet të arrestohen. Bllokada ndaj shtabit të trupave ruse do të shfuqizohet vetëm, nëse personat që fshihen atje dhe dyshohen për terrorizëm do të ekstradohen."

Homologu i tij rus dhe zëvendëskryeministri i Rusisë, Sergej Ivanov reagoi në mënyrë të pazakontë i indinjuar: "Të arrestuarve u bëhen akuza të pamenduara, madje do të thoja absurde. Oficerët akuzohen për spiunazh dhe organizim të sulmeve terroriste, të cilat ata gjoja i kanë ushtruar përpara disa vitesh. Por duhet të theksohet, se tre ose katër të arrestuar kanë mbërritur vetëm përpara tre muajsh në Gjerogji."

Moska ka tërhequr ambasadorin e saj nga Tbilisi dhe nuk lëshon më viza për gjeorgjianët. Deputeti i Dumës ruse, Andrej Kokoshin në një intervistë radiofonike shpreh mendimin: "Tërheqja e ambasadorit është në përputhje me të gjitha normat ndërkombëtare dhe një veprim i drejtë dhe serioz diplomatik. Pas kësaj mund të pasojnë të tjera masa."

Në Dumën, janë shtuar tonet agresive, madje ka edhe zëra luftarakë që kërkojnë lirimin me dhunë të ushtarëve rusë. Gjeorgjia akuzohet, se po orientohet gjithnjë e më shumë nga Amerika.

Raportet ruso-gjeorgjiane janë përkeqësuar në mënyrë dramatike qysh pas marrjes së pushtetit nga presidenti Shakashvili. Kjo ka të bëjë edhe me faktin, se Shakashvili synon që provincat separatiste të Osetisë jugore dhe të Abkazisë të lidhen sërish me Tbilisin. Kritika që ngre ministri i mbrojtjes Okruashvili është:
"Dita e sotme tregon, se ne nuk i pranojmë agjentët dhe spiunët. Deri më sot këta njerëz siç duket kanë menduar, se s´kanë pasur të bëjnë me shtetin e Gjeorgjisë, por me territoret gjeorgjiane, që s´kanë as kufij dhe as strukturë shtetërore."

Njerëzit që jetojnë në këto rajone ndërkaq janë të orientuar nga Rusia. Edhe në këto provinca janë dislokuar trupat ruse të paqes, të cilat Gjeorgjia i akuzon për njëanshmëri. Në Gjerogji janë dislokuar gjithsej 3.000 ushtarë rusë, të cilët duhet të tërhiqen deri në vitin 2008. Ministri rus i mbrojtjes Ivanov kundërshton:
"Situata dhe klima në këtë vend të kujtojnë gjendjen në vitin 1937. E gjitha kjo është provokacion. Siç duket ato kërkojnë konfrontimin maksimal. Qëllimi është që të shkëputet vëmendja nga problemet, me të cilat përballet Gjeorgjia. Sa i përket popullit gjeorgjian më vjen vërtetë shumë keq."

  • Data 29.09.2006
  • Autor Horst Kleuzer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqoQ
  • Data 29.09.2006
  • Autor Horst Kleuzer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqoQ