1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erdogani kërkon fajtorët

Serkan Demirtas/ Auron Dodi30 Dhjetor 2013

Kryeministri turk lan hesapet në skandalin e korrupsionit. Erdogani flet për shtet brenda shtetit, i cili drejtohet nga bota e jashtme. Disa e shohin fajin te një klerik nga SHBA.

https://p.dw.com/p/1AiHl
Kryeministri turk Erdogan
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Rexhep Taip Erdogani e shijon festën. Në ditën e dhjetë pas bërjes së njohur të skandalit të korrupsionit dhe ryshfeteve ai ka udhëtuar në Manisa, në një qytet të vogël në Perëndim të Turqisë. Atje e atë e presin dhe e brohorasin mijëra mbështetës. "Me ndihmën tuaj dhe me mbështetjen e Zotit ne do ta fitojmë këtë luftë", u thotë ai mbështetësve të tij rreth 90 ditë para zgjedhjeve lokale në rajon. "Unë dëshiroj që t'u tregoni të gjithëve, se kush e ka vullnetin nacional në këtë vend". Sfidues Erdogani premton se do ta çlirojë qeverinë e tij nga "organizatat ilegale" dhe nga "shteti brenda shtetit". Shumë besojnë se për zbulimin e skandalit përgjegjësinë e mban lëvizja Gülen. Ajo drejtohet nga predikuesi Fethullah Gülen, i cili jeton që prej viteve 90 në SHBA. Kjo lëvizje ka aleatë në drejtësi dhe polici dhe përfaqësohet fort në institucione të rëndësishme të shtetit. Por kjo nuk është për t'u çuditur, sepse Lëvizja Gülen dhe partia e Erdoganit AKP ishin dikur partnere. Ato qenë aleate në luftën kundër ushtrisë turke.

Kundërshtarët janë tradhëtarë

Erdogani vetë nuk përmend emra dhe mbetet tek insinuatat. "Për fat të keq ekziston një organizatë, një grup, që formohet brenda shtetit", tha ai të shtunën në mbrëmje (28.12.2013). Këtë grup e drejtojnë forca të huaja. Kritikët e akuzojnë presidentin se u është kthyer modeleve të vjetra. Të gjithë kundërshtarët ai i damkos si armiq, tradhëtarë ose spiunë të huaj. Ahmet Akan nga gazeta e përditshme Hyrriyet mendon se kjo është problematike. "Këtë krizë nuk mund ta kapërcesh duke u vënë pikëpyetje drejtësisë, gjykatave dhe prokurorëve. Kështu vendi sillet buzë greminës", shkroi ai të shtunën (28.12.2013)

Konflikti me Fethullah Gülen-in (majtas) po ashpërsohet
Konflikti me Fethullah Gülen-in (majtas) po ashpërsohetFotografi: picture-alliance/dpa/AP

Ekspertët dhe gazetarët besojnë se skandali aktual mund ta rrezikojë qeverisjen e partisë AKP të Erdoganit, e cila qeveris që prej dhjetë vjetësh. Opinioni publik turk reagoi i shokuar, kur pa pamjet e miliona eurove, të cilat ndodheshin në kartone këpucësh në shtëpinë e drejtorit të bankës shtetërore Halkbank. Pamje të tjera tregonin makina që numëronin para në vendbanimin e djalit të një ish-ministri të brendshëm.

Zgjedhjet lokale do të masin pulsin

Zgjedhësit turq do të kërkojnë një reagim të qartë ndaj këtyre akuzave, beson sociologu i njohur Bekir Agirdir. "Eshtë një mendim i gabuar i përhapur gjerësisht, se publiku është mësuar me korrupsionin", shkruan ai në një analizë në revistën Online T24. Zgjedhjet lokale në 30 mars mund të sjellin qartësi. Ato konsiderohen si test për zgjedhjet presidenciale gushtin e ardhshëm. Shumë besojnë se Erdogani do të kandidojë sërish. Por atëherë ai duhet të jetë i sigurtë që partia e tij do të vazhdojë të ketë një shumicë të rehatshme te zgjedhësit.