1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekonomia gjermane shënon rritje të vogël

25 Gusht 2022

Pavarësisht nga lufta në Ukrainë, ekonomia gjermane është rritur pa pritur dhe është rikthyer në nivelin e saj para pandemisë së koronas. Deficiti publik gjerman, nga ana tjetër, ka rënë ndjeshëm.

https://p.dw.com/p/4G2Nl
Gjermani - Salzgitter prodhim baterish per automjete
Fotografi: Julian Stratenschulte/dpa/picture alliance

Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit 0.1 për qind midis prillit dhe qershorit në krahasim me tremujorin e mëparshëm, njoftoi të enjten Zyra Federale e Statistikave (Destatis), duke korrigjuar një vlerësim të shpejtë të mëparshëm. Fillimisht u fol për një stanjacion të zhvillimit ekonomik. Në fillim të vitit u shënua një rritje e mëtejshme prej 0.8 për qind.

"Pavarësisht nga kushtet e vështira ekonomike globale, ekonomia gjermane është paraqitur mirë në dy tremujorët e parë të vitit 2022”, tha kryetari i Destatis-it, Georg Thiel. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2019, pra pak para fillimit të pandemisë së koronas, rezulton se PBB është kthyer për herë të parë në nivelin e para krizës në pranverë.

Konsumi dhe tregtia janë në rritje

Sipas Zyrës, ekonomia është mbështetur mbi të gjitha nga shpenzimet konsumatore private dhe publike. Heqja e pothuajse të gjitha kufizimeve të koronas në fund të marsit rizgjoi dëshirën për të udhëtuar, sipas Destatis. Shpenzimet për shërbimet në fushën e strehimit dhe hotelierisë si dhe transportit u rritën ndjeshëm në tremujorin e dytë: "Konsumi privat edhe më i fortë ishte ai që parandaloi rënien e produktit të brendshëm bruto”, shpjegoi drejtori shkencor i institutit IMK, pranë sindikatave, Sebastian Dullien.

Konsumi dhe tregtia si mbështetje e konjukturës

Sipas Destatis, tregtia me vendet e tjera gjithashtu është rritur në përgjithësi. Megjithëse në tremujorin e dytë, si rezultat i luftës në Ukrainë, eksportet e mallrave në Rusi ishin dukshëm më të ulëta se në fillim të vitit, kompanitë raportuan eksporte gjerësisht të qëndrueshme: pavarësisht nga ndërprerjet e zinxhirëve të furnizimit në mbarë botën, eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0.3 për qind nga tremujori i parë. Megjithatë, importet u rritën me 1.6 për qind nga tremujori i kaluar.

Atmosferë jo e mirë në ekonomi

Megjithatë, atmosfera në ekonominë gjermane është e keqe. Indeksi i klimës së biznesit Ifo ra në 88.5 pikë në gusht nga 88.7 pikë në korrik. Bizneset ishin më pak të kënaqura me biznesin aktual. Perspektiva për muajt e ardhshëm ka mbetur pothuajse e pandryshuar dhe dukshëm pesimiste. Pasiguria mes bizneseve mbetet e lartë. Sipas informacioneve nga Instituti Ifo në Mynih, performanca ekonomike pritet të tkurret sërish në tremujorin e tretë.

Kryeekonomisti Thomas Gitzel i bankës së Lihtenshtajnit VP Bank tregon se Gjermania me rritjen e saj të dobët ndodhet në vendet e fundit të eurozonës. Rritje dukshëm më të forta të PBB u regjistruan në disa vende, si Spanjë (1.1%) dhe Itali (1.0%).

Deutschland Salzgitter | Herstellung von E-Komponenten im VW-Werk
Fotografi: Kai-Uwe Knoth/Volkswagen AG

Bundesbank-a ka druhet një recesion për shkak të krizës së gazit

Sipas Gitzel-it, ekonomia gjermane performoi më mirë në tremujorin e dytë sesa do të sugjeronte shifra e thjeshtë e rritjes: "Kërkesa e brendshme u rrit fuqishëm. Megjithatë, sektori i ndërtimit qe një barrë e rëndë. Por nëse merrni parasysh tremujorin aktual, mund të themi se Gjermania është tashmë në recesion”. Rritja masive e kostos së jetesës ka prekur fuqinë blerëse dhe industria në të njëjtën kohë penalizohet nga kostot e larta të energjisë dhe mungesa e produkteve të ndërmjetme.

Bundesbank-a pret që performanca ekonomike të "qëndrojë në vend" gjatë verës dhe të kalojë në recesion në dimër dimrit si rezultat i krizës së gazit. Lufta gjashtëmujore ruse kundër Ukrainës do të vazhdojë të rëndojë gjithashtu ekonominë gjermane për vitet në vijim, siç tha së fundmi kryetari i DIW Marcel Fratzscher në një intervistë me Reuters.

Deficiti publik ra ndjeshëm

Pavarësisht rëndësave në lidhje me luftën në Ukrainë dhe pandeminë e koronas, deficiti publik gjerman ra ndjeshëm në gjysmën e parë. Deri në fund të qershorit, federata, landet, bashkitë dhe sigurimet shoqërore shpenzuan së bashku 13.0 miliardë euro më shumë se sa mblodhën, njoftoi të enjten Zyra Federale e Statistikave. Deficiti korrespondon me 0.7 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Në gjysmën e parë të vitit 2021, deficiti ende arriti në 75.6 miliardë euro, që korrespondonte me një normë deficiti prej 4.3 për qind. Bundesbank-a gjithashtu pret një deficit për të gjithë vitin, por ai pritet të jetë më i ulët se në vitin 2021, i cili ishte 3.7 për qind. Arsyeja për këtë është ulja e barrës tatimore për shkak të krizës së koronas.

aud/ul/fab (rtr, ifo)