1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rex Tillerson zëvendësohet si ministër i Jashtëm i SHBA

13 Mars 2018

Trumpi e bëri deklaratën sapo Tillersoni u kthye nga një udhëtim diplomatik në Afrikë. Postin Tillersoni e mbante që prej shkurtit 2017.

https://p.dw.com/p/2uEzD
US-Außenminister Rex Tillerson
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Ernst

Presidenti i SHBA, Donald Trump shkarkon ministrin e Jashtëm të SHBA, Rex Tillerson. Pasardhës i tij do të jetë shefi i CIA-s, Mike Pompeo. Lajmin e bëri të njohur Trump në twitter. Trumpi shkruan se është i bindur që Pompeo do të bëjë punë të shkëlqyer.

Rex Tillerson USA
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Harrer

Pasardhëse e Pompeos në post, drejtore e re e CIA-s do të bëhet Gina Haspel. Trumpi shkruan se ajo është e para grua në këtë post.

Tillerson, që më parë ishte drejtues ekzekutiv dhe kryetar i gjigantit energjetik ExxonMobil e mori detyrën e sekretarit të shtetit pak pas marrjes së mandatit nga Trumpi, në shkurt 2017.

Vitin e kaluar në medie qarkulluan disa herë lajme për mundësinë e shkarkimit të Tillersonit. Por Shtëpia e Bardhë i përgënjeshtroi ato, duke thënë se Tillersoni do të qendrojë në post.  

65 vjeçari pati mbrojtur disa herë pozicione, që dallohen prej atyre të Presidentit të SHBA, për shembull në konflikt me Korenë e Veriut. Trumpi e akuzoi për humbje kohe ministrin e tij të Jashtëm, për shkak të përpjekjeve të tij për një zgjidhje diplomatike të konfliktit.

Mike Pompeo
Mike Pompeo Fotografi: picture-alliance/AP Photo/M. B. Ceneta

Të hënën Tillersoni u bashkua me qeverinë britanike, e cila e akuzon Rusinë për atentatin me helm në Angli ndaj ish-agjentit të dyfishtë Sergej Skripal. Pak më parë, Shtëpia e Bardhë nuk kishte pranuar që të bënte këtë interpretim.

Ky ndërrim në personel në administratën e Trumpit është në vazhdën e ndryshimeve të vazhdueshme të personelit që prej marrjes së mandatit të Presidentit të SHBA. Javën e kaluar bëri të ditur këshilltari ekonomik i Trumpit, Gary Cohn se do të largohet nga posti. Edhe shefja e komunikimit dhe mikja e ngushtë e Trumpit, Hope Hicks shpalli dorëheqjen.