Dominon refuzimi | Politika | DW | 19.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Dominon refuzimi

Si reagon bota arabe ndaj programit bërthamor iranian? Dyshohet se Irani është duke punuar për konstruktimin e bombës atomike. Teherani e ka përgënjeshtruar shpesh këtë.

default

Irani me hapjen e komplekseve atomike, të mbyllura dhe të vulosura prej Agjencisë Ndërkombëtare Atomike, bëri të qartë qëllimin e vet: se programi i pezulluar atomik në vend duhej të riaktivizohej. Opinioni zyrtar në botën arabe e hedh poshtë këtë politikë dhe e sheh programin atomik iranian si një rrezik për të gjithë rajonin. Madje edhe vetë gazetarët kritikë e mbrojnë qëndrimin e qeverive të tyre.

Po kështu edhe gazetari libanez Jozef Samaha. Në artikullin e tij për gazetën "Al Safir" të mërkurën ai mendon, se arabët, ashtu si të gjithë popujt e tjerë në botë, janë kundër përhapjes së armëve të asgjësimit në masë. Ai akuzon bashkësinë ndërkombëtare, se po nxit përhapjen e këtyre armëve në mënyrë direkte dhe indirekte. Për këtë ai jep shembullin e Pakistanit dhe të Indisë. Megjithatë ai beson, se Irani ka të drejtë për një program atomik civil.

Gazetari kuvajtjan Ali Rumeihi është kundra. Sipas tij programi bërthamor iranian përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për rajonin e Gjirit Persik: "Perëndimi s´ka besim tek Irani, por edhe shumë vende arabe kanë frikë për zhvillimet e reja politike në Iran. Epoka e Chatamit ka marrë fund dhe sot Irani është në duart e një qeverie radikale."

Mediet në Arabinë Saudite në komentet e tyre pasojnë pozicionin e qeverisë në Riad. Gazetari saudit Jamal Banoun: "Mendimet e gazetave saudite nuk ndryshojnë nga opinioni zyrtar. Ato janë kundër përhapjes së armëve të asgjësimit në masë në rajon."

Ali Ibrahim i gazetës pro-saudite "Ascharq-al-Avsat" beson, se Irani deri para pak kohësh ka qenë mjaft pragmatik dhe ka mundur t´i mbrojë interesat e veta. Qysh pas rëzimit të Sadam Huseinit në Irak, ky vend gjithnjë e më shumë ka fituar influencë në rajonin e Gjirit Persik. Deklaratat radikale të presidentit iranian Ahmedinexhad, sipas gazetarit Ibrahim, të çojnë në dy konkluzione: ka mundësi që Mullahët janë shumë më entuzaistë nga ç´mendohet për ndërtimin e një bombe atomike. Bashkësia ndërkombëtare tek e fundit do ta pranojë këtë ashtu si në rastin e Pakistanit dhe të Indisë. Ose, i gjithë diskutimi për programin atomik iranian s´është gjë tjetër veçse shprehje e një lufte për pushtet mes forcave radikale dhe atyre reformatore në sistemin e Teheranit.

Mediet në botën arabe lidhur me çështjen e Iranit mbrojnë dy pozicione të kundërta, mendon Abdal Bari Atvan, kryeredaktor i gazetës ndërkombëtare "Al Quds": "Kampi i parë është korri i vendeve të Gjirit Persik, që shpesh herë kanë qenë dakord me politikën amerikane në rajon. Kampi i dytë beson, se ShBA ndjekin një politikë të padrejtë ndaj rajonit: në një kohë që nuk flitet asnjë fjalë për programin bërthamor të Izraelit. ShBA do të bombardojnë Iranin pa e shpallur këtë në avancë me bujë."

Me këtë gazetari Atvan konfirmon, se për aq kohë sa Izraelit i pranohet përpara opinionit ndërkombëtar një program i veti atomik, në botën arabe vazhdimisht do të ketë zëra që do të kërkojnë të njëjtën të drejtë edhe për Iranin.

  • Data 19.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqrA
  • Data 19.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqrA