1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dita vendimtare - Sundimit të Gadafit po i vjen fundi

22 Gusht 2011

Pas 42 vjetësh sundimi në Libi pushtetit të Gadafit po i vjen fundi. Në kryeqytetin Tripoli njerëzit presin me brohoritje kryengritësit. Sipas të dhënave të veta, kryengritësit kontrollojnë 95% të Tripolit.

https://p.dw.com/p/12L6G
Gëzimi i popullit për sukseset e rebelëve në Tripoli
Gëzimi i popullit për sukseset e rebelëve në TripoliFotografi: dapd

Gjashtë muaj pas fillimit të kryengritjes në Libi është paralizuar regjimi i Gaddafit. Sipas njoftimeve të shumë korrespodentëve pjesë të mëdha të kryeqytetit Tripoli tani ndodhen nën kontrollin e kryengritësve. Sipas të dhënave të veta, kryengritësit kontrollojnë 95% të Tripolit. Komandantët e kryengritësve thonë se ka kapitulluar garda personale e pushtetmbajtësit Muammar al-Gaddafi. Kanali televiziv arab Al Xhazira transmetoi pamje, ku shihen njerëz në rrugët e Tripolit duke përshendetur fitoren e kryengritësve. Ende nuk dihet vendndodhja e dikaktorit Gaddafi. Ai disa herë u ka bërë thirrje ithtarëve të tij që të luftojnë për mbrojtjen e Tripolit.

Perëndimi përgatitet për humbjen e Gaddafit

Festohet fitorja
Festohet fitorjaFotografi: dapd

Kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri thirrje pushtetmbajtësit libian Muammar Al-Gaddafi që të tërhiqet nga kreu i shtetit. Ai duhet të dorëzohet mundësisht shpejt, në mënyrë që të evitohet gjakderdhja e mëtejshme, tha kryetarja e Unionit Kristiandemokrat, Angela Merkel, në një intervistë televizive. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha se ka ardhur koha që të krijohet një Libi e re mbi bazat e lirisë dhe demokracisë. Zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu: "Unë mendoj se ajo që ne po shohim sonte është shkatërrimi i regjimit. Dhe sa më shpejt që kolonel Gaddafi ta kuptojë se nuk ka asnjë mënyrë që ai të fitojë këtë luftë, që e ka filluar kundër popullit të tij, do të jetë më mirë për të gjithë, në mënyrë që populli libian të mund të fillojë tranzicionin drejt demokracisë, që ata duan dhe e meritojnë", tha Lungescu. Në Uashington një zëdhënës i presidentit amerikan, Barack Obama, tha se ditët e Gaddafit janë të numëruara.

Autor: dpa/ea

Redaktoi: av