1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dita Ndërkombëtare kundër Torturës: Ende ekziston kultura e mosndëshkimit të fajtorëve

25 Qershor 2011

Fenomenet e ushtrimit të torturës, trajtimit çnjerëzor dhe degradimit të personit janë ulur në mënyrë të ndjeshme vitet e fundit në Shqipëri. Por ende raportohet për raste spontane.

https://p.dw.com/p/11iv5
Pamje simbolike. Ne shumë shtete të botës tortura është praktikë normaleFotografi: picture-alliance/dpa

Para 26 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare kundër Torturës, organet e drejtësisë, autoritetet zyrtare dhe rrjeti i shoqatave joqeveritare që punojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut janë vënë në lëvizje nga një rast ekstrem i ushtrimit të torturave të rënda ndaj një të arrestuari nga policia e shtetit. Sipas raportimeve të ditëve të fundit, një i arrestuar, banor i zonës rurale në Vlorë është ndaluar nga njësi të forcave speciale nën një dhunë çnjerëzore me procedura të dyshimta, edhe kur është vërtetuar se nuk ka pasur asnjë rrethanë kërcënimi ose rreziku për policinë. Ky rast që po hetohet nga prokuroria edhe nga shërbimi i kontrollit të brendshëm të Ministrisë së Brendshme ka rikthyer edhe një herë debatin mbi fenomenin e ushtrimit të torturave ndaj qytetarëve.

Një nga institucionet që përballet me fenomene të tilla është Avokati i Popullit. Në këtë institucion nga viti 2008 është ngritur një mekanizëm i veçantë kombëtar për parandalimin e torturës. Drejtuesi i këtij mekanizmi, Ervin Karamuço, thotë për DW se në Shqipëri ka një ndryshim të dukshëm në mënyrën se si trajtohen rastet e evidentuara. Është bërë në një kohë të shkurtër ratifikimi i akteve më të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat janë përfshirë në legjislacionin shqiptar.

Ervin Karamuco UNO Tag gegen Folter
Ervin KaramuçoFotografi: DW

Burgjet - me potencial rrezik për ushtrim dhune apo torture

Megjithatë institucioni i Avokatit të Popullit merr herëpashere raporte për raste sporadike, të cilat, sipas Karamuços, ndiqen me shumë vëmendje, duke grumbulluar informacion dhe evidenca nga të gjitha palët. Ambientet më të ekspozuara ndaj fenomenit të ushtrimit të torturës, trajtimit çnjerëzor dhe degradimit janë sistemi i burgjeve, komisariatet e policisë, repartet ushtarake, spitalet e të sëmurëve mendorë etj. Ka ende për fat keq personel që nuk është ndërgjegjësuar për parandalimin dhe evitimin e rasteve të ushtrimit të torturës, thotë Ervin Karamuço për DW.

“Disa nëpunës ende të painformuar mirë, disa nëpunës të patrajnuar mirë, disa nëpunës që janë agresivë në disa raste për shkak të problemeve të tyre personale të bartura, të cilët në performancën e tyre në detyrë shkaktojnë torturë, trajtim çnjerëzor dhe degradim. Aktualisht ne kemi konstatuar edhe nga raporti vjetor i mekanizmit tonë, përfshirë në raportin e institucionit të Avokatit të Popullit, se është përmirësuar dukshëm performanca në burgje dhe në sistemin e paraburgimit. Por ndërkohë mbeten ende gjëra për t'u korrigjuar në lidhje me veprimtarinë e policisë së shtetit. Sidomos gjatë fazës së shoqërimit të personave, të ndalimit ose arrestimit të tyre, marrjes në pyetje, leximit të të drejtave, njoftimit të familjarëve, doktorit, psikologut në rast se është i mitur, përdorimit të mjeteve jo të zakonshme në zyrat e hetimit etj.”

Institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri ka një bashkëpunim të ngushtë me autoritetet, por dhe me rrjetin e organizatave joqeritare, kryesisht ato që punojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave e lirive të njeriut. Në kooperim me Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Avokati i Popullit është duke ndërtuar një rrjet vëzhgimi dhe informimi në qendrat dhe ambientet më të ekspozuara ndaj fenomeneve të të torturës, trajtimit çnjerëzor dhe degradimit të personit, në burgje, stacionet e policisë, repartet ushtarake, spitalet psikiatrike etj. Në këtë mënyrë sigurohet në kohë të shpejtë cilido rast, që më pas mund të ndiqet me procedura rigoroze për të zbuluar rrethanat dhe shkaktarët.

Nisma sensibilizuese për parandalimin e torturave

Organizata që punon më shumë me këto probleme është Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës, QShRTT, në Tiranë, si pjesë e një network-u ballkanik të krijuar rreth 15 vjet më parë me mbështetjen e një organizate ndërkombëtare me seli në Kopenhagen. Qendra ka një seksion të veçantë të trajtimit psikologjik dhe mjekësor të viktimave të torturës. Adrian Kati drejtues i QShRTT-së, thotë për DW se në mënyrë sistematike po ndiqen nisma sensibilizuese për parandalimin dhe dënimin ligjor të rasteve që evidentohen. Më shumë sipas tij këto nisma gjejnë terren në rradhët e personeleve të burgjeve, paraburgimit, apo nëpër mjediset policore ku bëhen ndalime dhe arrestime të personave, mbi të cilët dyshohet se janë shkelës të ligjit.

Albanien Adrian Kati Folter
Adrian KatiFotografi: DW

Një pjesë e rëndësishme e punës së kësaj qendre është trajtimi i atyre që janë viktima nga tortura. Adrian Kati shpjegon se ka shumë pak raste ka, që këta njerëz të kenë gjetur atë dëmshpërblimin e plotë sipas neneve që ka Kushtetuta e Shqipërisë, qoftë tek konventa kundër torturës, që me dy fjalë mund të përmblidhen në këtë formë: kush dëmton, zhdëmton dhe se ai njeri që ka qënë në një situatë të ngjashme torture duhet që shteti të përdorë gjithë forcën për ta kthyer në gjendjen e paratorturës”.

Kultura e mosndëshkimit të fajtorëve

Adrian Kati thotë se opinioni i Qendrës që drejton, por dhe i shoqatave të tjera brenda ose jashtë vendit, është se në Shqipëri ekziston kultura e mosndëshkimit të fajtorëve dhe përgjegjësve të ushtrimit të dhunës e torturës.”Kjo lidhet shumë me historinë e mosndëshkimit të krimeve që u bënë në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri nën petkun se ashtu ishin ligjet dhe urdhërdhënia”. Ervin Karamuço, drejtues i mekanizmit kombëtar për parandalimin e torturës pranë Avokatit të Popullit thotë se ky institucion ka të gjitha të drejtat për t'iu drejtuar autoriteteve me propozime për ndjekje penale, për rivënien në vend të një të drejte të shkelur për rastet e konstatuara si ushtrim torture, trajtimi çnjerëzor a degradim të personit, ose çdo shkelje tjetër të së drejtave dhe lirive se qytetarëve”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi