1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Priftërinj katolikë gjermanë deklarohen homoseksualë

24 Janar 2022

Mbi 120 priftërinj dhe punonjës të kishës katolike në Gjermani janë deklaruar si homoseksualë. Ata kanë nisur një fushatë e bëjnë thirrje për t'i dhënë fund diskriminimit institucional kundër personave LGBTQ.

https://p.dw.com/p/460i6
Köln, flamur ylber para katedrales Sh.Martin, 2017
Fotografi: Oliver Berg/dpa/picture alliance

Të dielën, Kisha Katolike në Gjermani u përball me thirrje të reja për mbrojtje më të mirë të të drejtave të LGBTQ dhe për t'i dhënë fund  diskriminimit institucional kundër homoseksualëve.

Rreth 125 persona, duke përfshirë priftërinj të mëparshëm dhe priftërinj aktualë, mësues, administratorë të kishës dhe vullnetarë, u identifikuan si homoseksualë dhe queer. Ata i kërkuan kishës të merrte parasysh kërkesat e tyre dhe të eleminonte "deklaratat e vjetruara nga doktrina e kishës" për çështjet e seksualitetit dhe ato gjinore.

Anëtarët e komunitetit të Kishës postuan shtatë kërkesa në mediat sociale si pjesë e nismës "OutInChurch". Në këto kërkesa thuhet që homoseksualët duhet të jenë në gjendje të jetojnë pa frikë dhe të kenë qasje në të gjitha llojet e aktiviteteve dhe profesioneve në kishë pa diskriminim.

Kisha të marrë përgjegjësinë për diskriminimin

Ata theksojnë se orientimi i tyre seksual nuk duhet të konsiderohet kurrë si shkelje e besnikërisë prej tyre ose arsye për largim nga profesioni i tyre. Ata i bëjnë thirrje kishës që të rishikojë deklaratat e saj mbi seksualitetin, duke u bazuar në "konstatimet teologjike dhe të shkencave humane".

Krahas kërkesës për të drejta të barabarta, punonjësit kërkojnë gjithashtu që kisha të marrë përgjegjësinë për diskriminimin që ka treguar ndaj njerëzve të këtij komuniteti gjatë historisë, dhe i bëjnë thirrje ipeshkvit të marrë përgjegjësitë e tij në emër të kishës.

Njëri nga bashkëiniciatorët, Pastori Mönkebüscher nga Hamm, i tha radios gjermane Deutschlandfunk se nuk kishte qenë e lehtë të mblidheshin 125 njerëz. Mund të kishin qenë shumë më tepër. Kjo temë sot ende është e njollosur me turp.

Ipeshkvi shpreh respekt

Kryeipeshkvi i Hamburgut, Hesse, shprehu vlerësimin e tij për iniciativën. Ai bëri të ditur se kishte respekt për personat që pranonin orientimin e tyre seksual në këtë aksion. Ai mendon se një kishë, ku dikush duhet të fshihet për shkak të orientimit të tij seksual, nuk mund të jetë në mendjen e Jezuit. Nuk duhet të kesh frikë nga autenticiteti dhe transparenca, theksoi Hesse.

Dore me flamur me ylber te homoseksualeve
Fotografi: lev dolgachov/Zoonar/picture alliance

Mönkebüscheri tha se reagimet duhej të vazhdojnë. Ideja se homoseksualiteti nuk është një gjë e mirë vazhdon të jetë e pranishme. Ipeshkvi i Ahenit, Monsinjor Dieser, ishte pastori i parë katolik që kërkoi që kisha e tij të njihte fajin e saj ndaj homoseksualëve: ai tha se ata ishin "zhvlerësuar dhe kriminalizuar" nga kisha.

Nisma mbështetet nga shoqata të shumta kishtare si Komiteti Qendror i Katolikëve Gjermanë. Rrjeti u bën thirrje të gjithë personave LGBTIQ+ që punojnë me kohë të plotë ose vullnetarë për Kishën Katolike që t'i bashkohen nismës. U bëhet thirrje ipeshkve që të deklarojnë publikisht mbështetjen e tyre për manifestin. LGBTIQ do të thotë lezbike, homoseksual, biseksual, trans, inter dhe queer, shenja plus tregon identitete dhe gjini të tjera.

Cili është qëndrimi i Vatikanit?

Vatikani, selia e Papës dhe Kishës Katolike, vendosi vitin e kaluar që priftërinjtë nuk mund të bekonin lidhjet e të njëjtit seks dhe se ato bekime ishin të pavlefshme.

Por kjo masë ringjalli gjithashtu debati mbi këtë çështje dhe shkaktoi rezistencë të konsiderueshme në pjesë të Gjermanisë.

Vitin e kaluar, të paktën dy ipeshkvë gjermanë, duke përfshirë kardinalin Reinhard Marks të Mynihut, njërin nga këshilltarët kryesorë të Papës, dolën në favor të një lloj bekimi "baritor" të lidhjeve të të njëjtit seks.

Në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, famullitë kanë filluar gjithashtu të bekojnë bashkimet e të njëjtit seks si martesë, me thirrje në rrittje që ipeshkvët të institucionalizojnë martesat e homoseksualëve.

rm/fb (dlf, dpa, KNA)