Diplomacia ka prioritet | Gjermania | DW | 24.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Diplomacia ka prioritet

Angazhimi i mundshëm i ushtarëve gjermanë në Lindjen e Mesme i rënduar nga hija e së kaluarës

Olmert dhe Shtajnmajer në Tel Aviv

Olmert dhe Shtajnmajer në Tel Aviv

Ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer, duket se arriti një sukses të konsiderueshëm gjatë takimit me kryeministrin izraelit Ehud Olmert. Deri atëherë, Izraeli kishte rrefuzuar dërgimin e një trupe ndërkombëtare në Libanin e Jugut. Ndërsa të djelën, Olmert deklaroi se një trupë e tillë mund të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit, në qoftë se ajo do të përbëhej nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe do të mandatohej nga OKB-ja.

Edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, ishte shprehur më parë për dërgimin e një trupe të tillë. Por a do të mund të ketë edhe ushtarë gjermanë në këtë trupë? Një pyetje që në Berlin shihet me mjaft rezerva. Ministri gjerman Shtajnmajer:

"Jemi në fillim të debatit, ku ende nuk është përcaktuar detyra një misioni të tillë. Aktualisht po diskutohet, në se një mision i tillë do të vijë në ndihmë të ushtrisë libaneze apo do të merret kryesisht me kontrollin ndërkufitar apo detyra të tjera në rajon. Unë mendoj, se argumentet duhen shqyrtuar në këtë radhitje: Cila është detyra e këtij misioni? Cila do të duhet të jetë përbërja e tij? Kush mund të marrë pjesë në të? Dhe më duket e saktë, që diskutimi për pjesëmarrjen e gjermanëve në këtë mision zhvillohet me mjaft kujdes. Kjo ka të bëjë edhe me të kaluarën e vështirë të përbashkët ndërmjet Gjermanisë dhe Izraelit."

Me rezerva të ngjashme shprehet edhe kancelarja Angela Merkel. Nuk duhet harruar se cili është shkaku dhe cilat janë pasojat e konfliktit. Ushtari i rrëmbyer nga Hisbollahu duhet të lirohet, sulmet me Katjusha të ndalen. Pastaj duhet të ndalojë edhe Izraeli sulmet e tij, thotë kancelarja. Para se të mendojmë a të dërgojmë ushtarë gjermanë në kuadër të një trupe të mundshme, duhet të mendojmë se si të forcojmë qeverinë libaneze, thotë Merkel:

"Sepse kjo qeveri ka patur një zhvillim shumë të mbarë. Dhe duhet të pranojmë kritikën, që nuk arritëm ta zbatojmë rezolutën 1559, që thotë se qeveria libaneze duhet të mbledhë forcat, për të çarmatosur Hisbollahun duke marrë kështu kontrollin mbi Libanin. Këtu duhet ta ndihmojmë qeverinë libaneze. Se si konkretisht, për këtë do të diskutojmë. Por që ta përfshijmë veten në një konflikt akut, nuk më duket e domosdoshmë në këtë moment."

Ky qendrim i rezervuar i Berlinit përkon me atë të të gjitha partive në Bundestag. Ai rezulton nga e kaluara. Në kohën e nazizmit janë vrarë miliona hebrej nga gjermanët. Se çfarë mund të sillte përfshirja e gjermanëve në konfliktin e Lindjes së Mesme, e parashikon Valter Kolbov, ekspert i socialdemokratëve për çështje të mbrojtjes:

"Në rastin më të keq mund të ndodhë, që një ushtar gjerman të detyrohet të qëllojë mbi ushtarë izraelitë. E kjo është e papërfytyrueshme."

Politikanë të tjerë socialdemokratë, si për shembull, kryetari i partisë Kurt Beck, është në gjendje ta përfytyrojë këtë në rrethana të caktuara. Ai thotë se ushtarët gjermanë në Lindjen e Mesme do të ishin gjithsesi diçka e jashtëzakonshme, por në qoftë se trupa merr një mandat robust të OKB-së, nuk do të ishte kaq e pamendueshme. Dhe disa vëzhgues e konsiderojnë deklaratën e Merkelit të interpretueshme si më poshtë: Ajo që në këtë moment nuk ka prioritet, mund të vijë më vonë, kur të sqarohen hollësitë rreth trupës.

Politikanë në Berlin megjithatë sigurojnë, se tani e gjithë puna është përqendruar në fushën diplomatike për të arritur një armëpushim ndërmjet Izraelit dhe Hisbollahut. Ekipet e krizave të qeverisë gjermane, diplomatë dhe punonjës të shërbimit sekret gjerman po përpiqen që të arrijnë një afrim të palëve në konflikt, konfirmoi të hënën ministri i shtetit për çështje të jashtme, Gernot Erler.

"Ne kemi dërguar për bisedime në Damask, Bejrut por edhe në OKB ekipe sondimi, të përbërë nga specialistë të rajonit. Para së gjithash në këto bisedime do të sqarohet, se a ka ndonjë mundësi të bëhet këmbim me të burgosur. Së fundi edhe Hisbollahu është treguar i gatshëm për negociata. Këto ekipe janë duke sheshuar rrugën për to."

  • Data 24.07.2006
  • Autor Dafne Antahopulos
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar00
  • Data 24.07.2006
  • Autor Dafne Antahopulos
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar00