Franca ndalon rrjetet sociale për nën 15 vjeçarët
28 Janar 2026
Deputetët në Asamblenë Kombëtare të Francës miratuan të hënën një projektligj që do të ndalonte fëmijët nën 15 vjeç të përdorin mediat sociale. Për ndalimin votuan 116 deputetë dhe 23 votuan kundër.
Legjislacioni tani do të shkojë në Senat, dhomën e sipërme të Parlamentit. Presidenti i Francës Emmanuel Macron është shprehur në mbrojtje të ndalimit, duke thënë se është i nevojshëm për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët francezë nga koha e tepërt para ekranit.
Ai e vlerësoi votimin e së hënës si një "hap të rëndësishëm" dhe theksoi në një postim në platformën X se "truri i fëmijëve tanë nuk është për shitje. As për platformat amerikane, as për rrjetet kineze".
Çfarë përmban projektligji
Projektligji propozon ndalimin për fëmijët nën 15 vjeç që të kenë qasje në mediat sociale dhe në "karakteristikat e mediave sociale" të integruara në platforma më të gjera. Megjithatë, ai përjashton enciklopeditë online dhe platformat arsimore.
Platformat e prekura do të duhet të zbatojnë mekanizma efektivë të verifikimit të moshës për të bllokuar aksesin për adoleshentët. Legjislacioni gjithashtu zgjeron ndalimin ekzistues të telefonave inteligjentë në shkollat fillore edhe në shkollat e mesme.
Autoritetet duan që masat të hyjnë në fuqi në fillim të vitit shkollor 2026 për llogaritë e reja.
Pse e vendos Franca këtë ndalim?
Franca do të ishte vendi i dytë që do të vendoste një ndalim të tillë, pasi Australia kohët e fundit ndaloi mediat sociale për ata nën 16 vjeç.
Në një kohë që përdorimi i mediave sociale është rritur, është rritur edhe shqetësimi për kohën e tepërt para ekranit. Dhe frika është e madhe për ndikimin e saj negativ në zhvillimin dhe shëndetin mendor të fëmijëve.
Agjencia franceze e shëndetit publik ANSES deklaroi këtë muaj se platforma si TikTok, Snapchat dhe Instagram kanë disa efekte të dëmshme tek adoleshentët, veçanërisht vajzat.
Ndër rreziqet e listuara janë bullizmi kibernetik dhe ekspozimi ndaj përmbajtjes së dhunshme.
Mbështetje e gjerë për ndalimin
Duket se ka mbështetje të gjerë në vend për kufizimin e aksesit të të miturve në mediat sociale.
Një sondazh i Harris Interactive në vitin 2024 zbuloi se 73% e popullsisë mbështeti ndalimin e aksesit në mediat sociale për personat nën moshën 15 vjeç.
"Me këtë ligj, ne po vendosim një kufi të qartë në shoqëri dhe po themi se mediat sociale nuk janë të padëmshme", deklaroi deputetja e qendrës Laure para dhomës kur prezantoi projektligjin.
"Fëmijët tanë po lexojnë më pak, po flenë më pak dhe po e krahasojnë veten më shumë me njëri-tjetrin", vazhdoi ajo. "Kjo është një betejë për lirinë e mendimit".
Deputeti i ekstremit të djathtë Thierry Pérez deklaroi se projektligji ishte një përgjigje ndaj një "emergjence shëndetësore". "Mediat sociale u kanë lejuar të gjithëve të shprehen, por me çfarë kostoje për fëmijët tanë?" tha Pérez.
(dw/rtr, afp)