Demokrati Warnock fiton vendin në Senat në Georgia | Bota | DW | 07.12.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Demokrati Warnock fiton vendin në Senat në Georgia

Fitore edhe për presidentin e SHBA Biden. Shteti i Georgias votoi për vendin e fundit të lirë në Senat në Uashington. Demokratët tani kanë një shumicë solide në Dhomën e Kongresit.

Raphael Warnock

Raphael Warnock

Mbajtësi demokrat i postit Raphael Warnock ka fituar zgjedhjet e shumëpritura të pjesshme në shtetin amerikan të Georgias, duke forcuar shumicën e partisë së presidentit Joe Biden në Senat. Pasi u numëruan pothuajse të gjitha votat, Warnock fitoi me 50.8 për qind ndaj ish-yllit të futbollit amerikan Herschel Walker të Partisë Republikane. Kandidati i mbështetur nga ish-presidenti Donald Trump fitoi 49.2 për qind.

Pjesëmarrja ishte e lartë si në qendrat e votimit ashtu edhe në votimet me postë, tha drejtuesi i zgjedhjeve Gabriel Sterling për CNN. "Njerëzit në Georgia ishin shumë të motivuar për të votuar."

Balotazhi sigurisht që nuk kishte rol vendimtar përsa i përket ndarjes së pushtetit në Senatin amerikan. Megjithatë, ai tërhoqi shumë vëmendje, jo vetëm sepse rezultati i Walker-it u pa si një tjetër sinjal për shanset e Trumpit në ofertën e tij tashmë të paralajmëruar për zgjedhjet presidenciale të 2024-ës.

Shumicë e qartë në Senat

Gjatë Midterms, zgjedhjeve të ndërmjetme për Kongres në nëntor, Partia Demokratike vërtet që humbi shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Por në dhomën tjetër të Kongresit, Senat, ajo ishte në gjendje të mbronte shumicën e saj shumë të vogël. Demokratët kishin garanci se do të merrnin 50 nga 100 mandatet. Partia në pushtet tani ka fituar vendin e 51-të me Georgia dhe kështu kontrollon qartë dhomën e rëndësishme.

Herschel Walker

Herschel Walker

Fakti që u zhvillua një balotazh midis Warnock-ut, 53 vjeç, dhe Walker-it, shtatë vjet më i madh se ai, është për shkak të ligjit zgjedhor të Georgias. Shteti jugor kërkon që një kandidat të marrë më shumë se 50 për qind të votave. Më 8 nëntor, Warnocku doli përpara Walker-it, por nuk mori një shumicë absolute. Në raundin e parë kishte ende një kandidat të tretë.

Sfiduesi bie në sy negativisht

Pastori baptist Warnock është senatori i parë amerikan me ngjyrë i Georgias. Por në raundin e dytë, sytë ishin kryesisht te sfiduesi i tij, pasi Walker-i gjatë fushatës tërhoqi vëmendjen negativisht. I sapoardhuri në politikë kishte zbukuruar biografinë e tij, për të mos përmendur akuzat për dhunë në familje të ngritura ndaj Walker-it nga ish-bashkëshortja e tij. Përveç kësaj, dy gra e akuzuan atë se i kishte shtyrë të abortonin pasi kishin pasur një lidhje me të. Kjo tërhoqi edhe më shumë vëmendjen, pasi Walkeri e paraqiste veten si kundërshtar ultra-konservator i abortit. Ai i mohoi këto akuza.

Kandidati që u bë legjendar si futbollist i kolegjit ka tërhequr rregullisht tallje nga komentuesit me deklarata të çuditshme, si p.sh. kur bëri fantazi për vampirët dhe ujqërit gjatë një takimi të fushatës.

Biden dhe Trump nuk u shfaqën

Presidenti Biden nuk e vizitoi Georgian gjatë fushatës zgjedhore, duke pasur parasysh mbështetjen e tij të ulët. Në vend të kësaj, në këtë shtet shkoi ish-presidenti demokrat ende popullor Barack Obama erdhi në shtet. Përqindja e votuesve me ngjyrë në Georgia është më e lartë se në shumë shtete të tjera.

Mbështetësi i Walker-it, Trumpi, gjithashtu nuk shkoi në Georgia. Duke u përballur me refuzimin e fortë nga votuesit e mesit politik, 76-vjeçari e lejoi veten të bindet nga këshilltarët e tij se do t'i bënte Walker-it më shumë dëm sesa mirë në fushatën elektorale. Të hënën në mbrëmje, Trump e mbështeti kandidatin e tij në një aktivitet digjital - pa dobi.

aud/sti/se/mak (afp, ap, dpa, rtr)