1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Decentralizimi po ecën ngadalë

1 Dhjetor 2010

Autoritetet lokale i drejtojnë vërejtje qeverisë se ndarja territoriale e komunave është jo funksionale, ndërsa lëshimet e bëra në parcelat kadastrale pamundësojnë funksionimin e pavarur financiar të komunave nga qendra

https://p.dw.com/p/QMdD
TetovaFotografi: DW

Komunat me shumicë shqiptare gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësitë me ndarjen ekzistuese territoriale. Në vitin 2004, kur janë tërhequr kufijtë komunalë, nuk është mbajtur llogari për shpërndarjen e drejtë kadastrale, me të cilën komunat e reja do të fitonin më shumë fuqi ekonomike, konkretisht pavarësi financiare, që duhej të jetë përfitimi kryesor nga decentralizimi. Sipas kryetarit të komunës së Haraqinës, Basri Bajrami, pushteti qendror edhe më tej e ka të vështirë të heqë dorë nga paratë dhe nuk dëshiron t'i pavarësojë komunat financiarisht.

Kërkesë për rishqyrtimin të ndarjes territoriale

Basri Bajrami
Basri Bajrami, kryetar i komunës së HaraqinësFotografi: Fatos Musliu

Ai i përkrahur edhe nga disa homologë të tij ka parashtruar kërkesë në qeveri për rishqyrtimin e ndarjes territoriale të komunave. “Mua më është vjedhur territor nga komuna e Gazi Babës dhe Ilindenit. Këto dy komuna janë me qindra, qindra herë më të mëdha me territor dhe objekte të tjera kapitale.Gjysma e Haraqinës është në territor të komunës së Gazi Babës, kurse me adresa janë të komunës së Haraqinës. Qeverisë kjo çështje nuk i intereson shume”, thotë kryetari i komunës së Haraqinës, Basri Bajrami.

Kërkohet ndarja e drejtë kadastrale

Nëse nuk intervenohet për ndarjen e drejtë kadastrale, komunat nuk do të mund të ekzistojnë dhe definitivisht shkohet drejt procesit të falimentimit të tyre, thotë Bajrami.

Blerim Bexheti
Kryetari i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti.Fotografi: Fatos Musliu

Për kryetarin e komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, ndarja territoriale nuk është edhe aq kontestuese, por duhet të intervenohet në parcelat kadastrale. “Nëse do të zgjidhej problemi i parcelave kadastrale do të zgjidheshin disa mosmarrevëshje, që eksistojnë ndërmjet komunave. Vleresoj se prej aty burojnë mosmarrëveshjet se kjo parcelë, apo kjo tokë i takon kësaj, apo asaj komune”, thotë Blerim Bexheti.

Ministri i pushtetit lokal, Musa Xhaferi, thotë se kërkesat e komunave për ndarjen territoriale do të rishqyrtohen në bazë të ligjit. “Nëse është bërë ndonjë lëshim, kur janë ndarë parcelat kadastrale mes komunave, atëherë do të shohim në bazë të ligjit se a ka mundësi që ato të riparohen. Është çështje e hapur dhe ka qenë një kompromis atëherë, kur janë ndarë parcelat kadastrale të komunave dhe po të ketë ndonjë bazë ligjore kjo punë në mënyrë transparente do të debatohet”, thotë ministri Xhaferi.

Zhvillimi i procesit të decentralizimit i pakënaqshëm

Musa Xhaferi
Ministri i pushtetit lokal, Musa Xhaferi.Fotografi: Fatos Musliu

Përveç problemeve me parcelat kadastrale, kryetarët e komunave janë të pakënaqur edhe me zhvillimin e procesit të decentralizimit. “Vlerësoj se procesi i decentralizimit është ndërprerë veçanërisht në sferën e arsimit dhe në sferën e infrastrukturës së rrugëve rajonale, ku komunat kanë shumë pak donacione nga pushteti qendror”, thotë kryetari i komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski.

Edhe kryetari i Haraqinës, Basri Bajrami, është i mendimit se ka ngecje në bartjen e kompetencave nga pushteti qendror në ate lokal. “Tani as “D” nuk ka të decentralizimit, por vetëm se ditë e më shumë centalizimi është më i fortë dhe më i ashpër.”

Nga një janari i vitit të ardhshëm priten risi konkrete për ndryshimin e parcelave kadastrale dhe marrjen e ingerencave më të mëdha të komunave nga pushteti qendror.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica