Debat për mënyrën e zgjedhjes së presidentit në Kosovë | Ballkani | DW | 25.03.2011
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Debat për mënyrën e zgjedhjes së presidentit në Kosovë

Në Kosovë analistët kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët. Sipas tyre zgjedhja e tij po bëhet pjesë e pazareve politike.

default

Sheshi Nënë Tereza

Përfaqësues të partive politike në Kosovë, thonë se zgjedhja e postit të presidentit të Kosovës nga deputetët në parlament, ka treguar se posti i presidentit i nënshtrohet kalkulimeve me numra të votave të deputetëve dhe rrjedhimisht kjo praktikë po e zbeh rolin unifikues që duhet të ketë presidenti i vendit. Ata thonë se duhet ndryshuar Kushtetuta e Kosovës dhe presidenti të zgjidhet drejpërdrejt nga qytetarët.

Sipas Kushtetutës aktuale, presidenti është kreu i shtetit dhe ai duhet të përfaqësojë unitetin e popullit. Nga praktikat e deritashme në Kosovë, presidenti është zgjedhur në bazë të marrëveshjeve që ka arritur partia fituese e zgjedhjeve me partnerët e koalicionit. Vet presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli, zgjedhja e të cilit vazhdon të kontestohet nga partitë politike opozitare, është ithtar i idesë që presidenti të zgjidhet drejpërdrejt nga qytetarët.

Gati nisma për ndryshimin e Kushtetutës

Ndërkohë, njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, profesori, Arsim Bajrami, thotë për progamin tonë se nisma për ndryshimin e Kushtetutës, pika ku flitet për zgjedhjen e presidentit tashmë është diskutuar në instancat më të larta politike dhe ai beson se kjo do të ndodhë brenda kësaj legjislature në mënyrë që në mandatin e ardhshëm presidenti të zgjedhet drejpërdrejt nga qytetarët.

Bajrami: “Kjo do të krijojë një legjitimitet të drejpërdrejtë të presidentit, do të shmangë krizat politike dhe do të sigurojë që presidenti të jetë në funksion të plotë të unitetit të kombit dhe të jetë në kapacitet të plotë kushtetues për të ushtruar funksionet e veta kushtetuese”.

Bajrami është i mendimit se ndryshimet kushtetuese edhe në pika tjera janë të domosdoshme, sepse gjatë madatit tre vjeçar të Kushtetutës është vënë re një lloj vakuumi. “Mendoj se reforma kushtetuese do të fokusohet edhe në legjislacionin zgjedhor ku ne duhet të ndërrojmë Kushtetutën sa i përket sistemit elektoral dhe poashtu përmes ndryshimeve kushtetuese ne duhet të plotësojmë disa vakuume që janë vërejtur në funksionimin tre vjecar të kësaj Kushtetute”, thotë Arsim Bajrami.

Analistët kritikojnë praktikën e pazarit mes partnerëve për koalicion

Edhe analistët politikë mendojnë se praktikat e deritashme që presidenti të zgjidhet nga marrëveshjet politike mes partnerëve të koalicionit, po sjellin pasoja me vete. Sipas analistit Ymer Mushkolaj, kjo praktikë është treguar joefikase dhe e dëmshme për qëndrueshmërinë e institucioneve. “Presidenti i zgjedhur nga parlamenti natyrisht që vjen si pjesë e kompromiseve dhe pazareve politike dhe për mua është e palogjikshme që të pritet që të kemi një president që do ta luaj rolin unifikues, duke pasur parasysh gjithmonë se në cfarë forme po zgjedhet presidenti”, thotë Ymer Mushkolaj.

Zipas analistit Mushkolaj, zgjedhja e presidentit drejpërdrejt nga qytetarët do të ishte forma më e mirë që do ta mbante të unifikuar skenën politike kosovare. Në këtë formë presidenti do të mund të ndihej me komod, thotë ai, për shkak se më nuk do të ishte pjesë e pazareve politike dhe aq më tepër siç ndodh në Kosovë nuk do të ishte një lloj monedhe për kusuritje ndërmjet intitucionesh”, thotë Ymer Mushkolaj.

Pavarësisht nëse legjislativi i vendit arrin që në këtë madat ta ndryshojë kushtetutën në pikën ku flitet për zgjedhjen e presidentit, mandati i presidentit aktual Behxhet Pacolli, mbetet i pandryshuar për pesë vjet. Ndryshimet kushtetuese sipas njohësve të Kushtetutës mund të praktikohen vetën në mandatin pasues.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi