Cilat do të jenë mesazhet ruse në Bosnje-Hercegovinë? | Ballkani | DW | 21.09.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Cilat do të jenë mesazhet ruse në Bosnje-Hercegovinë?

Vizita e shefit të diplomacisë ruse Sergej Lavrov në Bosnje-Hercegovinë vjen në kohën e fushatës elektorale. Të rëndësishme do të jenë mesazhet që dërgohen në Sarajevë dhe Banjalukë.

Ministri i Jashtëm rus Serbej Lavrov viziton këtë të premte (21.09) Bosnje-Hercegovinën, ku pritet të theksojë përkushtimin e Rusisë ndaj Marrëveshjes së Dejtonit. Lavrov ka planifkuar që në Sarajevë të takojë anëtarët e Presidencës, e më pas edhe ministrin e Jashtëm Igor Crnadak. Pastaj do të vizitojë edhe Banjalukën kur do të pritet nga presidenti i Republikës Serpska, Milorad Dodik, por edhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.

Ndonëse respetkohet korrektësia e Moskës - sepse Lavrovi fillimisht viziton Sarajevën e më pas Banjalukën - vizita e Lavrovit në këtë vend konsdierohet më shumë si mbështetje e Republikës Serpska. Analisti Xhevad Kuçukaliq thotë se vizitat në prag të zgjedhjeve nuk janë me vend, sepse mund të intepretohen si mbështetje për ndonjë politikan të caktuar.

„Dodiku më së shumti do të donte që Lavrovi të vizitojë vetëm Banjalukën dhe të mos shkojë fare në Sarajevë. Por Lavrov është një diplomat me përvojë dhe nuk do të bënte gabime të tilla. Dodiku do të përpiqet ta shfrytëzojë këtë vizitë për forcimin e pozitës së tij. Por vizitën e Lavrovit do të përpiqen ta shfrytëzojnë edhe rivalët e Dodikut, Mladen Ivaniq dhe Igor Crnadak", thotë ai për DW. Sipas tij, bisedimet për raprotet bilaterale duhet të zhvillohen në Sarajevë dhe jo në qendrat e entiteteve administrative.

Analistët thotë se influenca ruse në këto rajone nuk ka qenë e madhe sa kohë që Perëndimi ka pasur rol aktiv në Bosnje-Hercegovinë. Kjo sepse atje kanë qenë edhe trupat e NATO-s dhe Euforit.

Shtimi i influencës ruse

Profesori i mërrëdhënieve ndërkombëtare Adnan Huskiq mendon se me zvogëlimin e pranisë perëndimore në Bosnje-Hercegovinë është shtuar influenca ruse. Ndërkohë që mendimet mes forcave perëndimore dhe ruse për gjendjen në këtë vend nuk janë të njëjta.

„Forcimi i ndikimit rus në Bosnje-Hercegovinë shihet edhe nga procesi i privatizimeve në Republikën Serpska, ku Gazpromi rus është bërë pronar i një pjese të madhe të industrisë së naftës. Me marrjen e kësaj industrie, Rusia ka forcuar edhe ndikimin e saj politik në rajon - në veçanti në Serbi dhe Republika Serpska", thekson Huskiq për DW.

Ai thotë se Rusia kurrë nuk e ka fshehur se kundërshton anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO. Ndërsa me mbështetjen e "neutralitetit" të Bosnje-Hercegovinës, Rusia po përpiqet të pengojë rrugën e këtij vendi drejt BE. Moska angazhohet që status quoja e tanishme të vazhdojë në këtë rajon.

Raportet ruso-turke në Bosnje-Hercegovinë

Në veçanti interesante duken raportet ruso-turke në Bosnje-Hercegovinë dhe rajon. Influenca e tyre në këto vende është evidente. Ndërkohë që roli i Turqisë ka fituar peshë në veçanti pas prishjes së raporteve të Turqisë me administratën e presidentit Trump.

„Turqia ka mundur të konsiderohet partner i sigurt para këtyre mosmarrëveshjeve. Por me rritjen e tensioneve me presidentin Trump, Turqia po largohet nga vlerat perëndimore. Ndaj do të jetë interesante të shihen raportet ruso-turke në Bosnje-Hercegovinë dhe në rajon. Në veçanti kur dihet se Rusia ka influencë të fuqishme në RS ndërsa Erdgoani në Sarajevë", thotë Huskiq. Ndërkohë që Bosnje-Hercegovinë duhet të mbrojë interesat e veta dhe të vazhdojë rrugën drejt integrimeve evropiane.