1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdojnë diferencat mes bashkësisë ndërkombëtare dhe Iranit

dpa/dw8 Prill 2013

Gjatë negociatave të fundit mbi programin e diskutueshëm bërthamor iranian përsëri nuk u arrit ndonjë përparim.

https://p.dw.com/p/18BDi
Fotografi: Reuters

Bashkësia ndërkombëtare dhe Irani vazhdojnë të kenë edhe pas negociatave të reja mbi programin bërthamor të Teheranit diferenca të mëdha. Pozicionet janë larg njëri-tjetrit, tha e ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme Kethrinë Eshton pas bisedimeve dyditore në Almatë të Kazakistanit.

"U bë e qartë se pozicionet e grupit 5 +1 dhe Iranit janë larg në substancë. Prandaj ne ramë dakord që të gjitha palët të kthehen në kryeqytetet e tyre për të rivlerësuar pozicionet ku janë në këtë proces."

Mes palëve nuk ka "mirëkuptim reciprok", tha edhe zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Riabkov. Megjithatë, ai u shpreh për një "hap përpara". Negociatorët iranianë kishin mbajtur në bisedime një qëndrimin "vërtet konstruktiv", tha Riabkov.

Gespräche über iranisches Atomprogramm 05.04.2013
Negociatori iranian Said Xhalili dhe Kethrinë EshtonFotografi: Reuters

Edhe një diplomat i lartë amerikan u shpreh për një "cilësi tjetër të bisedimeve." Këto ishin shumë më të thelbësore se më parë, por palët nuk kanë arritur ende tek "thelbi". Irani kërkon shumë për ato që është i gatshëm për të bërë. Kërkesat e Teheranit janë disproporcionale.

Sekretari i Jashtëm britanik William Hague tha se qëndrimi i Iranit ishte ende "larg" nga ajo që është e nevojshme për të mundësuar një zgjidhje. Britania dhe aleatët e saj, megjithatë, hynë në bisedime me "dëshirë dhe vullnet të mirë".

Negociatori iranian Said Xhalili, nga ana e tij, e bëri tërthorazi grupi 5 +1 përgjegjës për dështimin e bisedimeve. Fuqitë e mëdha duhet të fitojnë së pari besimin e popullit të tij. Për këtë ata duhet të tregojnë sinqeritet dhe të sillen në mënyrë të përshtatshme. Pasurimi i uraniumit është e drejtë e pamohueshme e Iranit, theksoi ai.

Grupi 5 +1 është i gatshëm për bisedime të mëtejshme me Iranin, sepse beson se mund të arrihet një rezultat, tha Eshton në përfundim të bisedimeve në Almatë. E ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme tha se me homologun e saj iranian Said Xhalili do të diskutohet për vazhdimin e bisedimeve, por vendi dhe data e raundit të ardhshëm të bisedimeve nuk janë bërë ende të njohura.

Verhandlungen über das iranische Atomprogramm in Kasachstan
Pamje nga bisedimet dyditore në Almatë të KazakistanitFotografi: Reuters

Eshton është kryenegociatorja e të ashtuquajturit grupi 5 +1, i përbërë nga pesë fuqitë me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB, SHBA, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe dhe Gjermania.