″Cicero″ vizitohet nga Prokuroria | Gjermania | DW | 26.09.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Cicero" vizitohet nga Prokuroria

Liria e shtypit rrezikohet nga instancat shtetërore kur gazetarët hulumtojnë sektorët sekret, si për shembull terrorizmin.

Liri e rrezikuar e shtypit

Liri e rrezikuar e shtypit


Liria e shtypit bën pjesë ndër shtyllat themelore të shteteve demokratike. Në Gjermani mund të mendosh se kjo është e vetkuptushme. Por realiteti nuk është aq shembullor sa mendohet. Rreziqet për lirinë e shtypit nuk vijnë vetëm prej kryeredaktorëve të gazetave apo drejtorëve të përgjithshëm të radio-televizioneve, të cilët duan të kursejnë dhe për të këtë nuk vënë në dispozicion para për të hulumtuar aq thellë sa duhet, por edhe prej instancave shtetërore, në ato raste kur gazetarët hulumtojnë në sektorë sekretë. Një rast i tillë ndodhi së fundi me gazetarët e revistës së përmuajshme politike "Cicero" të cilët patën një vizitë jo të këndshme në zyrat e tyre prej përfaqësuesve të prokurorisë.

Hetuesit kontrollojnë revistën "Cicero"

Hetuesit e Drejtorisë së Krimeve të landit hynë me forcë për të kontrrolluar njëkohësisht si zyrat e redaksisë të revistës politike "Cicero" edhe banesën e një prej redaktorëve të kësaj reviste, Bruno Schiara. Ata sekuestruan kompjuterat, kontrrolluan e-mailet, mbushën 15 kuti me dosje, kaseta dhe videokaseta. Aksioni i policisë zgjati deri në orën 16.00. Shkaku për këtë kontroll të pazakontë është akuza që bëhet ndaj stafit të revistës "Cicero" dhe gazetarit të saj Bruno Schiro, se kanë ndihmuar për nxjerrjen e një sekreti.

Para rreth gjysmë viti në këtë gazetë ishte botuar një artikull për terroristin Abu Musab al-Sarakawi. Në këtë artikull ishin cituar të dhëna të detajuara prej një raporti të Entit federal për Kriminalistikën, që konsiderohej si sekret. Ky institucion ngriti padijë ndaj kësaj reviste dhe gazetarit Schira duke argumentuar se kjo revistë i kishte mundësuar një prej punonjësve të këtij institucioni që të nxirrte një sekret, duke publikuar informacionet që kishin marrë prej tij. Aktakuza të tilla po kthehen gjithnjë e më tepër në një mjet të dashur të autoriteteve shtetërore për të gjetur burimin e informacioneve nga radhët e tyre, kritikon Lutz Tillmanns, drejtor ekzekutiv i Këshillit gjerman të Shtypit:

"Kolegët dhe koleget akuzohen se kanë ndihmuar për nxjerrjen e sekreteve dhe në rrethana të caktuara ligji parashikon, që hetuesia mund të veprojë edhe ndaj gazetarëve. Sipas mendimit tonë, kjo është një taktikë për të minuar të drejtën e dëshmitarit për të mos deponuar duke e futur atë dhe lirinë e shtypit në telashe."

Kodi garanton të drejtën e moskallzimit të burimit të informacionit

Në kodin e Këshillit gjerman të Shtypit, përfshihet dhe garantohet edhe e drejta për të mos kallzuar burimin e informacionit. Kjo e drejtë është një nga pikat më të diskutuara të të drejtave të shtypit. Shteti dëshiron që ta pranojë të drejtën për të mos kallzuar burimin e informacionit vetëm në formë të kufizuar. Sidomos në kuadër të ligjeve anti-terror këto kufizime janë shtuar. Në SHBA madje, pas 11 shtatorit 200,1 gazetarëve u është hequr e drejta për të refuzuar të deklarojnë burimin e informacionit. Në Gjermani kjo ka ndodhur me forma të tjera jo të drejtpërdrejta. Hendrick Zërner, zëdhënës i Shoqatës Gjermane të Gazetarëve vëren:

"Le të kujtojmë p.sh. ndryshimet në precedurën penale që u ndërmorrën vitin e kaluar. Në të tani nuk parashikohet më me hollësi çështja e mbrojtjes së informantëve, që është një element tepër i rëndësishëm i lirisë së shtypit. Në kodin e procedurës penale, prej detyrimit për të deponuar pranë organeve të drejtësisë, përjashtohen shprehimisht vetëm mjekët dhe priftërinjtë. Këto ndryshime në ligj na e vështirësojnë punën ne gazetarëve."

Por edhe përpara 11. shtatorit nuk kanë munguar rastet e kontrrolleve, bastisjeve dhe sekuestrimeve në zyrat e redaksive. Që prej vitit 1987 janë regjistruar 150 të tilla. Në fakt në asnjë rast nuk u dënua asnjë gazetar, por prokuroria ia doli mbanë disa herë ta arrinte qëllimin e saj, pra të merrte vesh emrat e disa informantëve.

Megjithë zhurmën që ka shkaktuar rasti i fundit i bastisjeve në zyrat e redaksisë së revistës politike "Cicero" edhe vetë gazetarët janë të mendimit, që në rastin e temave tepër të ndjeshme dhe të përdorimit të materialeve të tilla si ai i rastit të kësaj gazete, autori duhet të ishte i ndërgjegjshëm se përmes publikimit, mund të hynte në konflikt interesash me shtetin.

Gazetari i "Cicero" mund të ishte treguar më i kujdesshëm

Një nga gazetarët më me përvojë në gjermani në fushën e gazetarisë investigative është Hans Leyendecker, i cili punon për gazetën "Süddeutsche Zeitung". Ai ka zbuluar disa prej skandaleve më të mëdha politike në historinë e RFGJ, si p.sh. aferën e donacioneve ilegale të ish-kancelarit Helmut Kohl. Ai tregon se ndaj tij nuk janë ndërmarrë asnjëherë hetime duke shtuar se reporteri i revistës "Cicero" mund të ishte treguar më i kujdesshëm:

"Në artikullin e botuar tek revista "Cicero" tregohet tepër qartë se autori ka disa të dhëna, që i ka marrë nga një dosje, që përmbante një raport sekret. Më tej në artikull jepen numra telefoni etj. Po në një artikull, ku shkruhet për çështjen "Sarkawi" nuk ka nevojë për të tilla detaje. Duket sikur gazetari po tund këmbanën duke thënë, hej, shikoni se ç'gjëra të rëndësishme kam në dorë. Historia është e rëndësishme dhe gazetaria investigative, dhe kjo mund të bëhet edhe pa tërhequr gjithmonë vëmendjen duke thënë, se dikush ka në dorë materiale sekrete."

Megjithatë edhe Hans Leyendecker e dënon me forcë të ashtuquajturin përgjim digjital të telefonave, pra regjistrimin e të dhënave për bisedat telefonike apo e-mailet. Ai kujton rastin e një gazetari të "Dresdner Morgenpost", i cili dyshohej se kishte marrë informacione prej Drejtorisë antikorrupsion të landit. Prokuroria urdhëroi që të regjistroheshin lista me numrat e telefonit, me të cilët ishte lidhur gazetari, duke pasur kështu në dorë të dhëna të sakta se me kë kishte folur ai. Njoftimi për zhvillimin e këtyre hetimeve shkaktoi një valë të madhe protestash të gazetarëve në të gjithë Gjermaninë.

Gazetari ka të drejtë të mos deklarojë burimin e informacioneve

Shoqata e gazetarëve gjermanë kërkon, që në ligj të bëhen sërish ndryshime për të sanksionuar të drejtën e gazetarit, për të mos treguar përpara organeve hetimore, burimin e informacioneve. Në rast të kundërt, liria e shtypit do të përballet me rreziqe të tjera. Në kodin aktual për procedurës penale i lihet në dorë gjykatësit, hetuesit apo prokurorit për të vendosur nëse do të bëjë kontrroll në zyrat e një redaksie. Dhe ata janë të detyruar që të gjykojnë nëse aksione të tilla janë të përligjura dhe nëse shkaqet që i çojnë të marrin vendime të tilla janë më të rëndësishme se sa liria e shtypit.


  • Data 26.09.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2j
  • Data 26.09.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2j