Christian Schmidt, po apo jo? | Ballkani | DW | 30.06.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Christian Schmidt, po apo jo?

Për Bosnje-Hercegovinën e debatua sërish në Këshillin e Sigurimit në takimin e zhvilluar me kërkesë të Rusisë, e cila nuk është dakord me zgjedhjen e gjermanit Christian Schmid në postin e përfaqësuesit të Lartë për BH.

UN Web TV I Bisera Turkovic

Ministrja e Jashtme e Bosnjë Hercegovinës, Bisera Turkoviç

Posti i Përfaqësuesit të Lartë është krijuar nga marrëveshja e Dejtonit më 1995. Valentin Inzko, që e mban prej 12 vitesh bëri të ditur se largohet më 1 gusht dhe Bordi Drejtues i Këshillit për zbatimin e paqes, vendosi të emërojë Christian Schmidt në këtë post. Por "Rusia nuk është dakord me zgjedhjen dhe mënyrën si është bërë zgjedhja,” shkruan securitycouncilreport.org. Prandaj ky vend thirri të martën (29.06) takimin e djeshëm të Këshillit të Sigurimit.

Çfarë po ndodh?

Këshilli për zbatimin e paqes është krijuar me Dejtonin. Në të bëjnë pjesë Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Presidenca e BE-së, Komisioni Europian, Organizata e Konferencës Islamike, që përfaqësohet nga Turqia. Dora ekzekutive e Këshillit është Bordi Drejtues, i cili kryesohet nga Përfaqësuesi i Lartë. Të gjitha këto janë rregulluar me Dejtonin.

Grupi i P3 (Francë, SHBA dhe Mbretëri e Bashkuar) dhe vendet europiane që janë anëtare të Këshillit të Sigurimit aktualisht duan që posti i Përfaqësuesit të Lartë të vazhdojë të ekzistojë, dhe mbështesin emërimin e gjermanit, Christian Schmidt në këtë post. Rusia nuk e mbështet këtë zgjedhje dhe e quan "shkelje të praktikave të përdorura”. Rusia kërkon që emërime në poste të tilla të larta të bëhen me miratim unanim si të Bordit Drejtues të Këshillit për zbatimin e paqes ashtu edhe të Këshillit të Sigurimit të OKB. Kurse grupi P3 dhe vendet europiane kanë mendimin, se nuk është e nevojshme që Këshilli i Sigurimit të finalizojë vendimet e Bordit.

Deutschland Christian Schmidt NEU

Christian Schmidt

Debate në Këshillin e Sigurimit

Rusia kërkon që posti i Përfaqësuesit të Lartë të hiqet, "sepse BH nuk përbën më rrezik për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”. Rusia thotë se autoritetet në BH duhet të marrin vendimet për zhvillimin e vendit pa ndërhyrje nga jashtë. Ky ishte edhe qëndrimi që mbajti ambasadori rusi pranë OKB, Vassily Nebenzia, në fjalën e mbajtur në Këshillin e Sigurimit.

Kurse vendet e P3, e mbështesin postin e Përfaqësuesit të Lartë, sepse „Bosnjë Hercegovina nuk i ka plotësuar kushtet e duhura" për ta hequr këtë post. Kështu për shembull, Sheraz Gasri, koordinatore politike në përfaqësinë e Francës pranë OKB, e quajti "të brishtë” situatën në Bosnjë Hercegovinë, ku janë duke bërë punën e tyre dinamika shqetësuese. "Tensionet midis komuniteteve janë në rritje. Disa liderë kërkojnë ndarjen duke kërcënuar integritetin territorial të vendit”, tha Gasri.

"Asnjë nga etnitetet nuk ka të ardhme jashtë Bosnjë Hercegovinës” tha Richard Mills, ambassador i SHBA pranë OKB në fjalën e tij. SHBA i mbetet besnike principeve të Dejtonit dhe Mills thotë se nuk ekziston mundësia e "ndarjes paqësore”. Për të riskicimi i kufijve të Ballkanit nuk është pjesë e axhendës. Edhe Mills mendon se Përfaqësuesi i Lartë duhet zgjedhur nga Bordi Drejtues dhe jo nga Këshilli i Sigurimit.

DW Interview Valentin Inzko

Valentin Inzko

Ministrja e Jashtme e Bosnjë Hercegovinës, Bisera Turkoviç, prezente në takimin e Këshillit të Sigurimit, theksoi rëndësinë e madhe që vendi i saj i jep postit të Përfaqësuesit të Lartë, në procesin e zbatimit të paqes. Duke përdorur fjalor mjekësor Turkoviç tha se "imunizimi kolektiv i sistemit politik dhe ligjor në Bosnjë Hercegovinë nuk ka përfunduar. Nëse përpjekjet e 25 viteve të fundit ndërpriten, atëherë ekziston rrezik."

Mbas fjalimit të saj, Turkoviç pati replika me ambasadorin rus, i cili ka marrë një letër nga Milorad Dodiku, ku thuhet se ministrja nuk ka të drejtë të mbajë deklarata para Këshillit të Sigurimit për këtë çështje. Sipas Dejtonit, "në çështjet e politikës së jashtme duhet të arrihet marrëveshje midis gjithë etniteteve”.

Ambasadori i Estonisë, Sven Jürgenson, që mban presidencën e radhës në Këshillin e Sigurimit, siguroi se nuk është e nevojshme që Këshilli i Sigurimit të ndërhyjë në çështjen e emërimit të Përfaqësuesit të Lartë dhe se Christian Schmidt mund të fillojë më 1 gusht punën si Përfaqësues i lartë. Në muajin nëntor Këshilli i Sigurimit, do të diskutojë për zgjatjen e mandatit të forcës ndërkombëtare të drejtuar nga BE, EUFOR ALTHEA.