1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bogdanoviq: Beogradi vlerëson se raportet mes shqiptarëve dhe serbëve po keqësohen

Marina Maksimovic17 Shkurt 2009

Në një vjetorin e pavarësisë mungon dialogu, ndërkohë që bashkësia ndërkombëtare po bën shumë pak për të fituar besimin e joshqiptarëve në Kosovë. Kështu thotë ministri për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviq.

https://p.dw.com/p/GwBr
Fotografi: DW 60

Goran Bogdanoviq është i vetdijshëm se pavarësinë e Kosovës e kanë njohur disa nga vendet më të rëndësishme në botë. Ai pohon se Kosovën megjithatë e ka njohur më pak se një e treta e vendeve anëtare të OKB-së. Sa i përket qëndrimit të shteteve anëtare të BE-së, Bogdanoviq thotë: "Është e vërtetë që Kosovën e kanë njohur 22 shtete anëtare të BE-së, por pesë vende të tjera ende nuk e kanë njohur. Ato pohojnë se kurrë nuk do ta njohin Kosovën, që është mirë, sepse dëshmon se në BE nuk ka një qëndrim i përbashkët."


Ministri Bogdanoviq e quan hipokrizi propozimin e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi për vendosjen e raporteve diplomatike mes Beogradit dhe Prishtinës. "Një propozim i tillë është absolutisht i papranueshëm sepse as kjo e asnjë qeveri tjetër e Serbisë, kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosvës dhe nuk do të vendosin raporte diplomatike me të ashtuquajturin shtet të Kosovës."


Bogdanoviq është i mendimit se Serbia duhet të bisedojë me Kosovën për zgjidhjen e statusit përfundimtar, me argumentimin se ai nuk është zgjidhur. Megjithatë nënvizon rëndësinë e dialogut të serbëve lokalë me shqiptarët, me synim zgjidhjen e problemeve të përditshme dhe pajtimin e domosdoshëm mes popujve. "Ne kemi pasur edhe më parë probleme, sepse luftra ka pasur edhe mes serbëve dhe kroatëve si dhe serbëve dhe boshnjakëve. Procesi i pajtimit mes këtyre popujve po shkon përpara. Në këtë drejtim duhet të shkojmë edhe në raport me shqiptarët. Në këtë moment duket e pamundur, por duhet të bëjmë të gjitha që janë në mundësinë tonë për pajtimin mes popujve, sepse pajtimi është në interesin e serbëve dhe shqitparëve."


Goran Bogdanoviq pohon se Serbia në mars do të kërkojë një senacë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku do të kërkohet transformimi i Forcës kosovare të Sigurisë dhe çmilitarizimi i Kosovës.