1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini reagon për përgjimin e kancelares

dpa,afp,rtr / aud25 Tetor 2013

Përgjimi i dyshuar i NSA-së pritet të jetë temë e negociatave për formimin e qeverisë gjermane. Kancelarja Merkel tha se ka arsye të mira, që edhe SHBA kanë nevojë për miq në botë.

https://p.dw.com/p/1A6LE
Fotografi: picture-alliance/Sven Simon

Qeveria gjermane sipas saj nuk ka të dhëna se përgjimi i dyshuar i celularit të kancelares gjermane, Angela Merkel është kryer nga Ambasada e SHBA-së në Berlin. Për këtë aktualisht nuk kemi të dhëna, tha zëvendëszëdhënësi i qeverisë gjermane, Georg Streiter të premten para gazetarëve në Berlin. Ai theksoi se në verifikimin që po kryhet tani, "diplomacia është rruga e duhur". Në raportin me SHBA është arritur aktualisht një gjendje, "e cila nuk mund të vazhdojë kështu më tej". Tani çështja është që të krijohet besim i ri.

Në lidhje me zvarritjen e sqarimeve të aferës së NSA-së, e cila u rigjallërua përmes informacioneve se mund të jetë përgjuar celulari i kancelares Merkel, Streiter tha "Ne në fakt kemi mbërritur sërish atje ku u nisëm në qershor". Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Andreas Peschke tërhoqi edhe njëherë vëmendjen për thirrjen e ambasadorit të SHBA-së në Ministrinë e Jashtme gjermane: kjo mënyrë veprimi "shumë e pazakontë" në trajtimin e një partneri shumë të ngushtë, tregon se Gjermania pret nga amerikanët, që "kjo çështje të trajtohet me seriozitetin e duhur".

Nuk përjashtohet ngritja e një komisioni hetimor parlamentar

Afera e përgjimit të celularëve do të jetë një temë edhe në bisedimet e koalicionit për formimin e qeverisë së re. Kryetari i CSU-së, Horst Seehofer tha të premten (25.10.) se përmirësimi i mbrojtjes së të dhënave duhet të bëhet objekt negociatash. "Kjo me siguri duhet të përfshihet në marrëveshjen e koalicionit, si një nga detyrat më urgjente të koalicionit të gjerë", i tha kryeministri i Bavarisë gazetës "Süddeutsche Zeitung". Ai tha më tej se ai që "përgjon kancelaren, ai përgjon ushtrinë, ai përgjon ekonominë, ai përgjon personat privatë". "Unë jam me të vërtetë i revoltuar, që një komb i madh, demokratik bën shkelje të tilla në një mënyrë fare të dukshme", u shpreh i zemëruar kryetari i CSU-së lidhur me aksionet e përgjimit të NSA-së.

Georg Streiter, zëvendëszëdhënës i qeverisë gjermane
Georg Streiter, zëvendëszëdhënës i qeverisë gjermaneFotografi: picture-alliance/dpa

CDU-ja nuk e përjashton ngritje e një komisioni hetimor të Bundestagut për aferën e përgjimit të NSA-së. "Në parim unë nuk e kundërshtoj dëshirën për të ngritur një komision hetimor", tha sekretari i Grupit Parlamentar Unionist, Michael Grosse-Brömer në përgjigje të një kërkese të tillë të partisë "E Majta". "Nëse konstatohet një lidhje me Bundestagun, ne mund të flasim me gjithë qejf për këtë", i tha ai numrit të së premtes (25.10) të gazetës së Lajpcigut, "Leipziger Volkszeitung".

Grosse-Brömer tha më parë më tej se zhvillimet e fundit e kanë dëmtuar në mënyrë masive besimin në punën e shërbimeve të fshehta amerikane. Marrëdhëniet transatlantike, shumë të rëndësishme për Gjermaninë dhe gjithë Evropën, vuajnë nga një mungesë masive besimi. Kundër kësaj ne duhet të punojmë tek të dyja palët."

Sekretari i Grupit Parlamentar socialdemokrat në Bundestag, Thomas Oppermann tha se "ne duhet të përgatitemi që sulme mund të vijnë edhe nga shtete mike". Kancelarja Merkel u shpreh në mënyrë më diplomatike: Miqësia dhe partneriteti midis SHBA dhe shteteve anëtare nuk është rrugë me një drejtim: ne jemi të interesuar për këtë, por besoj se ka arsye të mira, që edhe SHBA-ja ka nevojë për miq në botë."

Komunikimi telefonik i kancelares është i mbrojtur

Qeveria gjermane, ndërkohë e konsideron të mbrojtur komunikimin e kancelares Angela Merkel, megjithë dyshimin për përgjimin nga SHBA. Rrugët e komunikimit të Merkelit janë "absolutisht të sigurta", tha të premten zëvendëszëdhënësi i qeverisë gjermane. Biseda të rëndësishme për politikën shtetërore, Merkeli zakonisht i zhvillon me linjën tokësore, fikse të telefonit në mënyrë të koduar. Në rast nevoje, për telefonata të tilla në dispozicion të saj është edhe një telefon celular i mbrojtur në mënyrë të veçantë. Streiteri tha më tej se kryetarja e qeverisë, si çdo qytetar, ka të drejtë të komunikojë në mënyrë të lirë dhe pa pengesa.

Së shpejti, "përfaqësues të nivelit të lartë të qeverisë gjermane" do të udhëtojnë për në Uashington, për të biseduar atje me përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë dhe të shërbimit të fshehtë, NSA.