Bashkëpunim ndërkufitar kundër përmbytjeve
2 Dhjetor 2010Në Ulqin u takuan Ministri i Bujqësisë, Pyjeve dhe Ujërave të Malit të Zi Simoviq dhe homologu i tij shqiptar Mediu. Ata të shoqëruar nga një grup ekspertësh të fushave të ndryshme, pasi shqyrtuan hollësisht situatën e krijuar në të dy anët e kufirit pas reshjeve të shumta, prurjeve të lumenjve dhe Liqenit të Shkodres dhe përmbytjeve që janë prezente, propozuan masa konkrete për të tejkaluar situatën e krijuar.
Mediu: kemi hasur mirëkuptim dhe gatishmëri për bashkëpunim
Ministri Farmir Mediu vlerësoi pozitivisht takimin dhe tha se tek pala malazeze kanë hasur një mirëkuptim dhe gatishmëri për bashkëpunim në tejkalimin e situatës: "Ne sot ramë dakord që të ngremë një grup teknik, i cili do të shqyrtojë problemet e emergjencës, ballafaqimin e përbashkët me këto probleme, duke konsideruar te gjithë rrjedhën e lumit Buna, ndërhyrjen e përbashkët në problemet, që kemi në kushtet e emergjencës, por sidomos për të dalë në zgjidhje definitive, të cilat nuk mund të jenë të tilla, nëse nuk kemi një bashkëpunim reciprok."
Simovic: Situata të tilla kërkojnë angazhime të përbashkëta
Nga ana tjetër Ministri i Bujqësisë dhe Ujërave në Qeverinë e Malit të Zi Millutin Simoviq duke vlerësuar bashkëpunimin midis dy vendeve tha se situata të tilla kërkojnë angazhime të përbashkëta:
‘Kemi rënë dakord që grupet e ekspertëve mos të presin asnjë moment, por menjeherë të hartojnë platformën e veprimit të përbashkët, e cila do të jetë bazë për hartimin e planit, që do të ketë synim menjanimin e çdo pengese në Lumin Buna dhe të mundesojë rrjedhën normale, me qëllim të shmangjes së përmbytjeve, që janë shkaktuar në të dyja anët e kufirit."
Sipas dy ministrave platforma e hartuar nga ana e ekspertëve të të dyja vendeve duhet të jetë e gatshme para takimit të dy kryeministrave Gjukanoviq–Berisha, që pritet të realizohet me 13 dhjetor. Përndryshe në Mal të Zi ditëve të fundit është zgjeruar dukshëm harta e përmbytjeve dhe deri tani 11 qytete në jug dhe në veri te vendit janë prekur nga përmbytjet dhe dëmet vlerësohen tejet të mëdha.
Autor: Vera Katana
Redaktoi: Angjelina Verbica