1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aziatikët në Gjermani - shënjestër e dhunës dhe stereotipeve

Manasi Shailaja Gopalakrishnan
24 Mars 2021

Stereotipet racore për aziatikët në Gjermani janë të shumta dhe shpesh kalojnë në sulme fizike. Ashtu si në SHBA dhe në të gjithë botën, COVID-19 ka nxitur më tej racizmin anti-aziatik.

https://p.dw.com/p/3r0xU
Deutschland Anschlag auf Asylbewerberheim in Rostock-Lichtenhagen 1992
Sulmi ndaj një qendre azili në Rostok, gusht 1992Fotografi: picture-alliance/dpa

"Ej kinez, aziatik, pse ke ardhur këtu?" Këto fjalë iu drejtuan Zacky-t, një student indonezian në Gjermani, teksa ai ecte në një rrugë në Berlin. Më pas ai u godit nga një burrë ndërsa po ecte pranë Muzeut Historik të Natyrës në qytet.

Zacky Khairul Umam Nahdatul Ulama Deutschland Berlin
Zacky Khairul Umam Nahdatul UlamaFotografi: Zacky Khairul

Puspa, një tjetër indoneziane, studente në Universitetin e Bonit, ka përjetuar gjithashtu përvoja personale të racizmit. Pasi kishte dalë nga shtëpia e një miku natën e Vitit të Ri, dikush i hodhi një fishekzjarr. Bazuar në eksperiencat e mëparshme, ajo ishte "mjaft e sigurt" se kjo ngjarje ndodhi sepse ajo kish veshur hixhab.

Prodhuesi i dokumentarëve nga Kina me banim në Berlin, Popo Fan, rrëfen përvojat e tmerrshme me racizmin në metronë e Berlinit. Në vitin 2019, para pandemisë, Fan ishte në stacionin Kottbusser Tor dhe një person i tha atij që të "kthehej mbrapsht, andej nga kish ardhur ".

Deutschland Eröffnungsveranstaltung der Berlinale Talents 2017
Popo FanFotografi: P. Himsel

Gjatë këtij incidenti ishin të pranishëm shtatë ose tetë persona. "Askush nuk më ndihmoi , madje as nuk më hodhën sytë” – tha ai. "Ata po merreshin me celularët e tyre ose kthenin kokën nga ana tjetër”. 

Racizëm i rrënjosur në shoqërinë gjermane 

Ndërsa qëndrimet raciste ndaj njerëzve me origjinë aziatike kanë qenë në fokus pas shpërthimit të pandemisë COVID-19 dhe origjinës së pretenduar të saj në qytetin Wuhan në Kinë, paragjykimet ndaj aziatikëve kanë ekzistuar prej shumë kohësh në Gjermani.

Nën regjimin nazist, kinezët që jetonin në Gjermani u dëbuan ose u dërguan në kampe përqendrimi dhe punë të detyruar. Por racizmi më i përhapur anti-aziatik do të ndodhte në dekadën pas ribashkimit gjerman.

Deutschland Opfer des Brandanschlages auf Ausländerheim in Hamburg 1980
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në shënjestër ishin kryesisht emigrantë nga Vietnami, të cilët erdhën fillimisht në Gjermaninë Lindore si pjesë e një programi për të sjellë punëtorë nga regjimet e tjera komuniste. Pothuajse 60,000 punëtorë me kontratë nga shteti i Azisë Juglindore po jetonin në Gjermaninë Lindore kur Muri i Berlinit ra në vitin 1989.

Dy vjet më vonë, neo-nazistët sulmuan tregtarët vietnamezë në Hoyerswerda, Saksoni. Ata ngritën një pritë jashtë një strehe emigrantësh dhe sulmuan banorët.

Trazirat më të rënda anti-emigrantësh ndodhën në Rostock-Lichtenhagen në 1992, kur rreth 2000 ekstremistë të djathtë sulmuan dhe hodhën granata në një rezidencë banimi të mbushur me punëtorë vietnamezë, me kontrata të ligjshme pune. Mijëra ‘spektatorë'  thuhet se duartrokitën ekstremistët, ndërsa policia bëri thuajse asgjë për të ndaluar sulmet.

 

"Imazhi i kësaj ngjarjeje formësoi kategorinë e njerëzve që po luftojnë sot kundër racizmit në Gjermani,” tha Ferat Ali Kocak, një aktivist anti-racizëm me qendër në Berlin. "Tashmë është e qartë që për arsye të ndryshme, racizmi anti-aziatik, edhe nëse nuk është gjithmonë i dukshëm, është i ankoruar fort në shoqërinë gjermane."

Që nga shpërthimi i COVID-19 në Gjermani vitin e kaluar, ky paragjykim është bërë gjithnjë e më i dukshëm.

Stereotipet në kulturën popullore

Racizmi anti-aziatik në Gjermani ka forma të ndryshme, thotë Popo Fan, i cili vëren se televizioni gjerman nuk përmban thuajse aspak protagonistë aziatikë. Edhe kur aziatikët shfaqen në ekran ata priren të kenë rolin e  "një kamariereje në një restorant aziatik", ose një "vajzë të re që punon në një banjë", tha ai.