Autonomia e Kornuellit
2 Gusht 2014Pozicioni mbi det dhe plazhe, që janë ndër më të bukurit në Angli: banorët e Kornuellit (Cornwall) e dinë prej kohësh që ata dhe vendi i tyre janë diçka e veçantë.
Ata kanë flamurin e tyre dhe gjuhën e vet. Dhe që prej muajit prill dhe ata kanë fituar zyrtarisht edhe statusin e një pakice kombëtare, të njohur nga BE-ja - sikurse Skocia dhe Uellsi.
Fonde për zhvillimin rajonal
Howard Curnow, jeton në Kornuell dhe thotë: "Ne nuk duam të holla, edhe pse kjo natyrisht që do të ishte një gjë e mirë. Por ajo për të cilën bëhet fjalë është ndjenja që tani kur të më pyesin për kombësinë mund të them se jam kornuellas dhe jo anglez."
Gjithësesi qeveria britanike konfirmoi së fundi se do t'u japë për administrim Kornuellit dhe Ishujve Scilly 450 milionë stërlinga nga fondet e BE-së. Në kuadrin e marrëveshjeve për zhvillimin rajonal Kornuelli dhe Ishujt Scilly "do të vendosin vetë se si do t'i shpenzojnë" këto fonde. Ky vendim përbën njës kthesë prej 180 gradësh të planeve fillestare të Londrës për ta marrë vetë në orë administrimin e fondeve të zhvillimit rajonal.
Tradita kelte
Rreth një gjysmë milioni britanikë e quajnë veten kornuellas, por vetëm disa qindra syresh e flasin ende kornuellishten, e cila bën pjesë në familjen e gjuhëve kelte. Deri në Mesjetë Kornuelli qe e vetmja pjesë e Anglisë së sotme, e cila mbeti kelte dhe nuk u asimilua.
"Unë u them gjithmonë miqve të mi anglezë, se shumë kohë para se ju të shfaqeshit këtu, në këto treva ishim ne keltët banorët kryesorë të ishullit." - thotë Loveday Jenkin që i përket partisë Mebyon Kernow (Djemtë e Kornuellit).
Shpresa për më shumë turistë
Banorët e Kornuellit kanë shije të hollë dhe shpresojnë se krahas bukurive dhe ushqimeve, statusi i ri i autonomisë do t'i sjellë më shumë turistë rajonit. Plazhet e Kornuellit janë ndër më të mirët e botës për të bërë surf.
"Nuk do të çuditesha nëse tani do të vijnë në Kornuell edhe më shumë vizitorë dhe do t'u kushtojnë më shumë vëmendje thesareve tona," - thotë Phoebe Wild, punonjës i galerisë Penwith Gallery St. Ives.