As armë, as pendim | Bota | DW | 08.10.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

As armë, as pendim

Pas raportit të Duelferit Bushi zihet ngushtë

Kryeinspektori amerikan për armët e Irakut Charles Duelfer

Kryeinspektori amerikan për armët e Irakut Charles Duelfer

Ajo që dihej që prej njëfarë kohe shpallet tani edhe zyrtarisht: Iraku nuk zotëronte më armë të asgjësimit në masë përpara pushtimit amerikan dhe megjithëse Sadam Huseini synonte sigurisht që të prodhonte përsëri armë kimike, gjatë regjimit të inspektimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara nuk pati programe konkrete për riprodhimin e ndonjë arme të shkatërrimit në masë.

Kuptohet që publikimi i raportit të Duelferit vjen në kohën më të papërshtatshme për presidentin Bush. Në fazën përfundimtare të fushatës së tij zgjedhore presidenciale bazamenti i krejt politikës së tij për Irakun po shembet si një shtëpi prej letre: jo armë të shkatërrimit në masë, jo lidhje të qarta me El Kaidën. Ligjshmëria e luftës nuk ekzistonte.

Dhe kaq nuk mjafton. Paul Bremer, ish-administratori civil i Bushit në Irak, i hodhi këtë javë benzinë zjarrit. Sipas tij, SHBA kishin shumë pak trupa në Irak që të siguronin vendin pas rrëzimit të Sadamit dhe të garantonin një ndërtim paqësor.

Të gjitha këto bashkohen në një shuplakë të zhurmshme për Xhorxh Bushin dhe kundërshtarët e atëhershëm të luftës mund të ndjejnë edhe një herë kënaqësi. Mbetet të shihet nëse kandidati presidencial kundërshtar i Bushit Xhon Keri mund të nxjerrë dobi nga këto përfundime jo aq të reja.

Ai nuk do të mund të rrezikojë shumë, sepse edhe vetë ishte për një kohë të gjatë për Luftën e Irakut dhe e pati bërë këtë vlerësim mbi të njëjtën bazë të dhënash të gabuara të shërbimit të fshehtë si edhe presidenti.

Por i dëmshëm për Bushin mund të jetë demonstrimi i patundshmërisë. Ndërkohë gabimet e politikës së tij në Irak duken aq sheshit saqë nuk mund të mohohen më as edhe nga përkrahësit më besnikë të Bushit. Në pikën kur vendosmëria dhe forca kthehen në pabindshmëri dhe kështu në dobësi, është mbërritur në sytë e shumë zgjedhësve.

Si anë të mira të qeverisë Bush mbeten tri arritje: një vrasës, një torturues vihet përpara përgjegjësisë. Regjimi i tij i pallogaritshëm nuk duhet mbajtur më nën kontroll. Të gjithë diktatorët e tjerë e morën mësimin, se nuk mund të luhet pa pasoja si macja me miun me pjesën tjetër të botës.

Por këtu fillojnë edhe pyetjet e kahut tjetër: A duhej kryer një luftë sulmuese për të arritur këtë synim? A ishte e pashmangshme që të humbnin jetën thuajse 30.000 vetë?

Këtyre pyetjeve amerikanët duhet t'u përgjigjen për më pak se katër javë dhe ata vendosin se si duhet gjykuar një president në detyrë për faktin që tek ai nuk dallohet as një fije dyshimi dhe autokritike. Edhe vazhdimin e kaosit në Irak Xhorxh Bushi e shet si përparim.

Mirë që në këtë fushatë zgjedhore bëhet fjaë për bilancin e mbajtësit të postit dhe jo më për karakterin e sfiduesit.

  • Data 08.10.2004
  • Autor Daniel Scheschkewitz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArS5
  • Data 08.10.2004
  • Autor Daniel Scheschkewitz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArS5
Reklamë