Art Cologne, panairi më i madh i artit
Art Cologne është zanafilla e të gjitha panaireve të artit dhe një emblemë, me të cilën shquhet Gjermania. Në Art Cologne sivjet 221 galeri nga 25 vende të botës prezantojnë risitë e tyre.
Gjuetari dhe preja
Qeni nuk e ka parë lepurin. Duket sikur ai po nuhat në drejtim tjetër. Piktura "Frika e lepurit" u realizua nga Franz Marc në vitin 1912. Art Cologne e ofron atë për shitje në vlerën e 9,4 milionë eurove, shumë kjo që e bën atë veprën më të kushtueshme të artit. Galeria Thomas, që sivjet feston jubileun e 50 vjetorit, e prezanton këtë si veprën e vetme në stendën e saj në këtë panair.
Gjermania si treg
Drejtuesi i ri artisitik Daniel Hug vitet e fundit i ka dhënë impulse të reja panairit Art Cologne. Ende shumica e galeristëve vazhdojnë të jenë nga Gjermania, por në të gjejnë treg edhe artistë amerikanë nga SHBA-ja si Paul Mc Carthy, i cili përfaqësohet nga galeria Hauser & Wirth. Vepra "Burri alpinist" kushton në panair 1,8 milionë dollarë.
Ata që thonë gjithmonë "Po, po, po"
Edhe amerikani nga SHBA-ja Richard Jackson tërheq vëmendjen me skulpturën e tij "Bobble Head". 120.000 dollarë kërkon galeria Hauser & Wirth për autoportretin e artistit. Ashtu si figurat kolovitëvse që varen ndonjëherë tek pasqyra e veturës, edhe koka e skulpturës prej tekstili me fije qelqi kolovitet para - prapa.
Përshëndetje me buqeta lulesh nga Pekini
Art Cologne i kushton vëmendje artistit kinez Ai Weiwei. Tapeti me lule e pret vizitorin në hyrje të panairit. Nën secilën buqetë ka një datë. Çdo mëngjes disidenti kinez, i cili aktualisht nuk lejohet të udhëtojë jashtë vendit, vendos një buqetë lulesh në koshin e biçikletës para ateliesë së tij të vrojtuar me kamera. Kjo do të vazhdojë kështu derisa qeveria t'ia kthejë pasaportën Ai Weiwei.
Kutia pa supë
Andy Warhol me kutitë e tij të supës Brillo dhe Campbell shumë shpejt pati tërhequr vëmendjen. Galeria Thaddaeus Ropac prezanton tani në stendën e saj diçka të rrallë: vetëm pesë herë Warhol këtë kuti nuk e krijoi me letër por me kanavacë të stampuar me teknikën ofset. Paketa artistike e supës mund të blihet për 1,25 milionë dollarë.
Loja e rruazave prej qelqi
Rruazat plot efekt Jean-Michel Othoniel i ka varur anë e mbanë stendës së galerisë Karsten Greve. Kuptohet që ato s'janë të përshtatshme të përdoren si bizhuteri, sepse disa prej tyre peshojnë disa kilogramë. Artisti parizien prodhimin e rruazave ua beson mjeshtrave të qelqit në Murano. Rruazat mbahen bashkë nga konstruksione të rënda çeliku. Ato kushtojnë rreth 75.000 dhe 87.000 euro.
Art mural
Për herë të parë pas 20 vjetësh galeristja londineze Victoria Muro është rikthyer në Art Cologne. Me vete ajo ka sjellë vepra të dyshes së artistëve skandinavë Elmgreen dhe Dragset. "Pinakoteka e Modernes" titullohet kjo shtresë e hollë muri, e cila është hequr prej murit të Muzeut të Mynihut dhe sërish është vendosur në një tabllo kanavace. Çmimi i saj është 48.000 paund.
Naftë në vend të telajos së kanavacës
Mbështetja e brezave të rinj luan një rol të rëndësishëm në Art Cologne. Në stendën "New Positions" prezantohen artistë të rinj. 29 vjeçari libanez Rayyane Tabet nga Bejruti hulumton pasojat e industrisë së naftës në botën arabe. Ai i ka shndërruar në një skulpturë logot e firmave Esso, Mobiloil dhe Caltex. Një seri fotografishë tregon, se si ka ndryshuar pejzazhi prej tubacioneve naftësjellëse.
50 vjet histori e filmit
Artistë të videos kanë një pozitë të vështirë. Në shumicën e rasteve në ekspozitat apo bienalet e mëdha punimet e tyre mbeten në hije. Art Cologne për herë të parë i përkushtohet temës së artit të filmit me sektorin e ri "Film Cologne". Në një bar të filmit të krijuar enkas tregohen vepra të artistëve ndëkombëtarë. Kush nuk ka kohë, mund ta shohë këtë program edhe në internet nga shtëpia.
Në kursin e suksesit
Sekreti i suksesit të Art Cologne, sipas shefit të panairit Hug, është lidhja me vendin e organizimit si dhe me traditën e fortë të rajonit Rheinland. Pjesë e kësaj është edhe rigjallërimi i aksit Këln - Nju Jork. Një seksion i ri mbështet bashkëpunimin mes galerive gjermane dhe amerikane. "Vajza me delfin dhe majmun" e Jeff Koon ofrohet për shitje.