1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lirohet i arrestuari i dyshuar për vjedhjen e të dhënave

8 Janar 2019

Policia ka arrestuar një person të dyshuar për vjedhjen dhe publikimin e të dhënave personale të shumë politikanëve dhe personave publik. Bëhet fjalë për një 20-vjeçar. Ndërkohë ai është liruar.

https://p.dw.com/p/3BBHb
Deutschland Bundesamt für Sicherheit in der Informationstechnik (BSI)
Fotografi: picture-alliance/dpa/O. Berg

Autoritetet gjermane të sigurisë thonë se 20-vjeçari nga Mittelhesseni, e ka pranuar ndërkohë fajin. Ai ka përmendur si motiv, zemërimin për disa deklarata të politikanëve, gazetarëve apo personave të njohur të jetës publike. Kjo është vjedhja më e madhe e të dhënave personale të politikanëve dhe figurave të njohura publike në Gjermani. Personi i dyshuar për këtë vjedhje është arrestuar të dielën, kumtoi Zyra Federale e Kriminalistikës, BKA. Por arrestimi është bërë publik sot në mëngjes. Ndërkohë bëhet e ditur se i arrestuari është liruar, por pa dhënë detaje për shkaqet. Policia ka bastisur edhe vendbanimin e këtij personi. Shumë media në Gjermani konfirmojnë se ky person e ka pranuar veprën. Ndërsa BKA i konfirmoi të dhënat në një konferencë shtypi.

Nuk ka pasur bashkëpunëtorë

Mediat njoftojnë se personi i arrestuar nuk ka pasur ndonjë bashkëpunëtor por ka vepruar i vetëm, për shkaqe zemërimi me sjelljet e politikanëve dhe porsonave të njohur. Gazeta "Spiegel Online" i referohet hetuesisë dhe pohon se nuk ka të dyshuar të tjerë. Thuhet se 20-vjeçari nuk ka pasur as lidhje me shërbimet e huaja sekrete.

Ditët e fundit janë publikuar të dhëna personale të rreth 1000 politikanëve, prominentëve, gazetarëve dhe personave të tjerë. Rreth 50 raste janë vlerësuar si të rënda, sepse bëhet fjalë për vjedhjen dhe keqpërdorimin e një sasie të madhe të të dhënave personale. BKA ka bastisur të dielën edhe vendbanimin e një dëshmitare, ndërkohë që janë marrë në pyetje edhe dëshmitarë të tjerë.

Për herë të parë të dhënat janë publikuar përmes rrjetit Twitter, në fund të dhjetorit. Por për shkak të ditëve të festave, ato kanë zgjuar vëmendjen e opinionit pas Vitit të Ri. Qeveria federale ka kërkuar përmirësimin e gjendjes tek autoritetet e sigurisë në internet. Muajt e ardhshëm do të punësohen më shumë forca në këto shërbime.

bc/rk/pg (dpa, afp)