1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrestohet Ante Gotovina

8 Dhjetor 2005

Ante Gotovina është arrestuar. Ai u arrestua gjatë natës në Spanjë, në ishullin e kanareve Tenerifa dhe më në fund ai ndodhet në burg, prej nga do të transferohet në Hagë", deklaroi kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Del Ponte.

https://p.dw.com/p/AqhG
Ish gjenerali kroat Ante Gotovina akuzohet për krime lufte
Ish gjenerali kroat Ante Gotovina akuzohet për krime lufteFotografi: AP

I shumëkërkuari nën akuën për krime lufte, ish-gjenerali kroat Ante Gotovina është arrestuar në Tenerifa dhe ndodhet tani në burg, deklaroi kryeprokurorja e tribunalit të Hagës, Karla del Ponte sot në Beograd.

Del Ponte duke falenderuar autoritet spanjolle për mbështejen që kanë dhënë, theksoi: "Ante Gotovina është arrestuar. Ai u arrestua gjatë natës në Spanjë në ishullin e kanareve Tenerifa dhe më në fund ai ndodhet në burg, prej nga do të transferohet në Hagë".

Zëdhënësi i Tribunalit të Hagës, Xhim Landejëll vuri në dukje, se Gotovina është një prej figurave më të spikatura ndër të akzuarit të Hagës dhe personi që do të duhej të ish paraqitur me kohë në Tribunal: "Ai i është shmangur për katër vjet rresht arrestimit dhe ka qenë objekt i shumë rezolutave të Këshillit të Sigurimit, në të cilat Gotovina përmendet në mënyrë specifike që duhej arrestuar dhe ekstraduar në Hagë."

Në bazë të akuzave ish-gjenerali dyshohet të jetë përgjegjës për vrasjen e 150 serbëve dhe dëbimin e 150.000 njerëzve nga Krajina. Në këtë rajon në Lindje të Kroacisë, i banuar kryesisht nga serbë, në vitin 1995 u zhvillua një ndër ofensivat e fundit të luftës në Ballkan.

Gotovina u akuzua në vitin 2001 dhe qysh prej asaj kohe humbi çdo gjurmë. Qeveria në Zagreb shpesh herë pat deklaruar se Gotovina është larguar nga vendi dhe nuk dihej vendodhja e tij. Spekulimet që vinin nga Zagrebi, se gjenerali ishte feshur në një manastir në Bosnjë-Hercegovinë deri tani nuk kanë mundur të konfirmohen. Kryeministri Ivo Sanader, shpesh herë është përbetuar, se dëshiron të bashkëpunojë me Tribunalin e Hagës, por thjeshtë atij i kanë munguar informacionet për vendndodhjen e tij.

Presidenti Stipe Mesiç në një intervistë për DW pat theksuar: "Eshtë detyrimi ynë që të verifikojmë gjurmët, ne duhet të raportojmë për këtë prokurorët e Hagës derisa ata të arrijnë në përfundimin, që Kroacia nuk mund ta ekstradojë gjenerali Gotovinën, pasi ai nuk ndodhet në Kroaci. Kjo është ajo që duhet të dëshmojmë ne. Ne kemi ndërmarrë gjithcka për ta gjetur atë, por ai nuk ndodhet në Kroaci."

Megjithatë Tribunali i Hagës kishte mendimin, se jo të gjitha instancat zyrtare në Kroaci kanë qenë të hapura për bashkëpunimin lidhur me çështjen Gotovina. Tribunali i Hagës e kish vendosur në shkallën e emergjencës arrestimin e Ante Gotovinës krahas serbëve të akzuar dhe të shumëkërkuarve në Bosnjë, Radovan Karaxhic dhe Ratko Mlladic.

Kryeprokurorja del Ponte thotë: "Tribunali për krime lufte nuk do t´i mbyllë portat për aq kohë sa nuk është bërë procesi për Karaxhicin, Mlladicin dhe Gotovinën."

Mospërmbushja e kërkesës për ekstradimin e ish-gjeneralit këtë vit u bë edhe shkas për shtyrjen e hapjes së bisedimeve për pranimin e Kroacisë në BE. Bisedimet duhej të kishin nisur qysh më 17 mars, por pasi u shtynë pë rmuaj të tërë, ato u hapën në fillim të tetorit. Kjo u kapërcye me presionin që ushtroi Austria duke e kushtëzuar këtë me biseidmet mes BE-së dhe Turqisë. Por me arrestimin sot të Ante Gotovinës në Spanjë i jepet fund tani përfundimisht edhe grindjes mes Brukselit, Zagrebit dhe Hagës, që këtej e tutje i përket së shkuarës.