Arrestime të shumta pas sulmit të rëndë në Stamboll | Evropa | DW | 14.11.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Arrestime të shumta pas sulmit të rëndë në Stamboll

Pas shpërthimit fatal të një bombe në rrugën tregtare Istiklal, policia turke ka arrestuar shumë persona. Thuhet se sulmi ka lidhje me Partinë e ndaluar të Punëtorëve Kurdë PKK.

Ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu, njoftoi herët në mëngjes të hënën se shërbimet e sigurisë kanë arrestuar dhjetëra persona që dyshohen për sulmet me lëndë shpërthyese në zonën e këmbësorëve në qendër të Stambollit. "Sipas njohurive tona, organizata terroriste PKK është përgjegjëse për sulmin", theksoi ai. Në të njëjtën kohë, Soylu njoftoi hakmarrje. Ministri i Brendshëm nuk ka konfirmuar ende deklaratat e mëparshme të presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe zëvendësit të tij Fuat Oktay se "një grua" ishte përgjegjëse për atentatin. Ndërkohë flitet për 21 arrestime të tjera.

Si pasojë e një sulmi me lëndë shpërthyese në shëtitoren Istiklal janë vrarë gjashtë persona të dielën, ndërsa janë plagosur më shumë se 80 persona të tjerë. Në kohën e sulmit në këtë shetitore kishte shumë njerëz. Ndonëse e dielë, dyqanet në këtë pjesë të Stambollit janë të hapura.

Partia PKK - Partia e ndaluar e Punëtorëve të Kurdistanit - lufton kundër shtetit turk që nga mesi i viteve 1980. Në të kaluarën, ajo u fajësua vazhdimisht për sulme të përgjakshme. PKK është e klasifikuar edhe si një organizatë terroriste nga shumica e vendeve perëndimore, duke përfshirë SHBA-në dhe Gjermaninë.

"Vendstrehimi i terroristëve"

PKK është aktualisht në qendër të mosmarrëveshjes për anëtarësimin në NATO të aplikuar nga Suedia dhe Finlanda si rezultat i luftës në Ukrainë. Udhëheqja në Ankara akuzon Suedinë në veçanti si një "vendstrehim për terroristët" - që po vonon edhe pranimin e dy vendeve të Evropës veriore në aleancën veriatlantike ushtarake, NATO.

Turqia, anëtare e NATO-s, ndërmerr rregullisht veprime ushtarake kundër pozicioneve të PKK-së në juglindje të vendit dhe në veriu të Irakut dhe Sirisë. Dhjetëra mijëra njerëz kanë humbur jetën si pasojë e konflikteve gjatë dekadave të fundit. Përpjekja për vendosjen e një armëpushimi ka dështuar në verën e vitit 2015.

bc/wa/mak (dpa, rtr, afp)