1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Anijet sot mund të jenë më të sigurta

13 Prill 2012

100 vjet më parë Titaniku shihej si i pambytshëm. Por fatkeqësia e rreth 1500 vetëve që humbën jetën tregoi se ky ishte iluzion.

https://p.dw.com/p/14dZK
Fotografi: dapd

Fatkeqësitë e rënda në anije shkaktohen kryesisht nga tre arsye: Si në rastin e Titanikut anija përplaset me një pengesë, përshembull përplaset me bazamentin dhe uji futet brenda me furi. Ose në anije shpërthen zjarri apo ndonjë lëndë shpërthyese. Por, edhe valët e mëdha monstruoze të detit mund ta lëkundin anijen dhe ta dëmtojnë.

Për të gjitha këto skenarë vlen se pasojat duhet të kontrollohen kur anija përbëhet nga kompartmente të mbyllura dhe të padepërtueshme nga uji, thotë Peter Bronsart, profesor për ndërtimin e anijeve në Universitetin e Rostokut: "Nëse keni një dëmtim në një anë, atëherë duhet bërë kufizimi i pjesës së përmbytur të anijes. Kjo kërkon një ndarje si në drejtim të gjatësisë ashtu edhe në drejtim tërthor dhe atë vertikal. Kjo çon në mënyrë të pashmangshme në një byk të dyfishtë, i cili është i nevojshëm për arsye të forcës."

Dyert dhe portat në anije duhet të jenë shumë të qëndrueshme ndaj presionit të ujit
Dyert dhe portat në anije duhet të jenë shumë të qëndrueshme ndaj presionit të ujitFotografi: Fotolia

Midis kompartmenteve të veçanta ekzistojnë dyer dhe porta, të cilat duhet të mbyllen shpejt nga ura. Tek Titaniku pati 15 të tilla dhe 16 kompartmente të ndara. Pesë të parat u përmbytën nga përplasja me ajsbergun. Meqenëse muret ndarës nuk ishin të lartë sa duhet, uji hyri edhe në sektorë të tjerë.

Në anijet moderne ka ende shumë pika të dobta

Ndarja e anijes nuk ndihmon vetëm kundër përmbytjeve por edhe kundër zjarrit: "Anija ndahet në zona të veçanta zjarri, përgjatë sektorëve. Kjo shërben që masat për shuarjen e zjarrit ose evakuimi të mund të bëhen nga njerëzit."

Anije më e madhe e pasagjerëve e ndërtuar në Gjermani "Disney Dream" është e gjatë 340 metra
Anije më e madhe e pasagjerëve e ndërtuar në Gjermani "Disney Dream" është e gjatë 340 metraFotografi: picture-alliance/dpa

Megjithë ndarjen që bëhet, në anijet moderne ka shumë pika të dobta, thotë Olle Rutgersson, i cili zhvillon koncepte të reja për sigurinë e anijeve në Universitetin Chalmers në Göteborg të Suedisë. Shqetësimin më të madh ai e ka për përmbysjet: "Sipas mendimit tim kryqëzorët që kemi sot nuk janë ndërtuar aq mirë dhe me aq siguri si Titaniku. Tek Titaniku ishte bërë një gabim i madh, muret e padepërtueshme nga uji nuk ishin bërë të larta sa duhet. Nëse muret do të ishin bërë siç bëhen sot, atëherë anija do ti mbijetonte aksidentit."

Rasti i Costa Concordia-s, i cili ngeci më 13 janar në një cektinë dhe u përmbys, tregon se anijet turistike  moderne janë më pak stabile se sa ishte Titaniku: "Siç e pamë, anije të tilla e kanë të vështirë të përballojnë një çarje. Në fakt Costa Condordia u përmbys shumë më shpejt dhe në mënyrë më të rrezikshme se Titaniku".

Interesat ekonomike në kundërshtim me masat e sigurisë

Rutgersson kërkon që muret e bordit të bëhen më të larta dhe që anët e jashtme të anijes të ndërtohen nga njësi të mbyllura dhe të notueshme. Por interesat ekonomike janë shpesh të kundërta. Pronarët e anijeve duan që anijet turistike të kenë në anët e jashtme sa më shumë hapësirë me dritare të mëdha. Tek anijet e mallrave ata druhen se kjo kufizon kapacitetin e ngarkesës.

Sistemet kompjuterike mbledhin informacione në gjithë anijen dhe llogarisin çfarë pritet të ndodhë
Sistemet kompjuterike mbledhin informacione në gjithë anijen dhe llogarisin çfarë pritet të ndodhëFotografi: MARSIG

Siguria në anije fillon para se të ndodhin aksidentet. Në bazë të teknikave moderne të navigimit dhe parashikimeve globale të motit, anijet qëllon që të bien rrallë në vështirësi. Ato janë mjetet më të sigurta të transportit. Dhe kur ndodh fatkeqësi, në rreth 80 përqind të rasteve fajin e ka njeriu, thotë profesori nga Rostoku, Bronsart.

Në mënyrë që kapitenët, oficerët dhe ekipi i anijeve moderne të marrin vendimet e duhura në raste emergjence, Dirk Dreissig zhvillon sisteme kompjuterike të teknikës maritime. Këto sisteme mbledhin informacione nga sensorë, kamera dhe pajisje matëse në gjithë anijen dhe llogarisin në rastin e një incidenti, çfarë pritet të ndodhë. "Si duhet vepruar kur në sallën e makinerive bie flakë, çfarë duhet bërë kur zjarri bie në hapësirën e ngarkesës, në kuvertën e anijes? Atëherë ka module që llogarisin stabilitetin në rastin e dëmtimit të trupit të anijes. Çfarë ndodh me anijen nëse kompartimente të caktuara hapen dhe në to futet ujë? Pastaj ekzistojnë module për evakuimin. Në çfarë drejtimi duhet të largohen njerëzit?"

Kapiteni është autoriteti më i madh në bord

Sistemet kompjuterike tregojnë se cilat janë ende rrugët e lira në anije
Sistemet kompjuterike tregojnë se cilat janë ende rrugët e lira në anijeFotografi: MARSIG

Sistemi kompjuterik i dërgon këto udhëzime tek ura. Vendimin përfundimtar se kur duhet vënë në përdorim sistemi i shuarjes së zjarrit ose kur u bëhet thirrje pasagjerëve për të lënë anijen, e merr në fund të fundit kapiteni. "Ligjet ndërkombëtare detare thonë se kapiteni është autoriteti më i madh në bord. Ai duhet të marrë të gjitha vendimet dhe të ruajë gjakftohtësinë, nëse vendimet kanë shkuar në drejtim të gabuar."

Sistemet kompjuterike nuk mund të pengojnë që të mos ndodhin incidente, por mund të ndihmojnë të merren masat e duhura. Dhe ato janë vendosur paraprakisht së bashku me pronarët e anijet, dhe janë për kapitenin dhe ekipin të detyrueshme.  

Autor: Fabian Schmidt / Aida Cama

Redaktoi: Esat Ahmeti