1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akuzat kundër kryeministrit Thaçi: Reagimet nga EULEX dhe politika kosovare

16 Dhjetor 2010

Zyrtarë të misionit EULEX në Kosovë shprehen se prokurorët e këtij misioni akuzat për krime lufte dhe krim të organizuar i marrin shumë seriozisht, por për të zhvilluar hetime nevojiten fakte të bazuara.

https://p.dw.com/p/QcIK
EULEX

Pohimet e EULEX-it erdhën pas publikimit në media të një raporti të hetuesit të Këshilit të Evropës Dik Marty, i cili kryeministrin kosovar Hashim Thaçi, e cilëson si” bosin e mafias në Kosovë”.

Në lidhje me këtë raport dhe akuzat që Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka qenë e përfshirë në trafikim organesh të serbëve, reagon edhe ish shefi-shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku. Ai i hedh poshtë pohimet e hetuesit të Këshillit të Evropës Dick Marty, i cili në një raportin që do të paraqesë të enjten (16.12) para Këshillit të Evropës, thotë se në vitin 1998-1999, UÇK-së ka rrëmbyer serbë, u ka hequr organet në Burrel të Shqipërisë, për t'i shitur më pas ato në tregun e zi.

Kosovo Gespräche in New York Kosovos Premierminister Agim Ceku
Agim Çeku ka qenë në fund të vitit 1998 dhe në fillim të vitit 1999 shef i shtabit të përgjithshëm të UÇK-sëFotografi: AP

Agim Çeku: Shpifje dhe nuk ka asgjë të vërtetë

Gjenerali Agim Çeku tha të mërkurën në Prishtinë se kjo temë tashmë është e tejkaluar, sepse sipas tij edhe Kosova edhe Shqipëria ka kohë që i kanë hapur dyert hetuesve të Këshillit të Evropës dhe për këtë nuk ka pasur fakte. “Një gjë e tillë është shpifje dhe këtu nuk ka asgjë të vërtetë”, thotë gjenerali Agim Çeku, i cili në fund të vitit 1998 dhe në fillim të vitit 1999 ishte shef i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së.

Kosovo Unabhängigkeit Ministerpräsident Hashim Thaci Erklärung im Parlament in Pristina
Pas fitores në zgjedhje Thaçi përballet me akuza të rëndaFotografi: AP

Për raportin e Dick Marty, ka reaguar me një komunikatë për media edhe ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës Jakup Krasniqi. Ai thotë se "shpreh indinjatën e thellë për këtë projekt-raport absurd të mbushur me trillime të pastra, fakte dhe hamendësi të paqena dhe të pavërtetuara nga drejtësia ndërkombëtare... Shpreh indinjatën time të thellë me faktin që raportuesi i Këshillit të Evropës guxon të zëvendësojë Prokurorinë e cila është shumë më e specializuar dhe ka shumë më tepër mjete ligjore për të vlerësuar rëndësinë e provave të mbledhura", thuhet në deklaratën e presidentit në detyrë, Jakup Krasniqi.

Reagimi i EULEX-it

Ndërkohë zyrtarë të Misionit Evropian për Gjyqësi dhe Policinë, EULEX, thonë se ky mision mund të zhvillojë hetime për krime lufte dhe krim të organizuar vetëm nëse për këto ka fakte. Ata thonë se nëse raportuesi Dik Marti, i cili në raportin e tij, kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, e cilëson si bosin e mafias në Kosovë, duhet të paraqesë fakte, sepse misioni EULEX merret vetëm me fakte të bazuara.

Zëdhënësja e misionit EULEX, Kristina Herodes thekson: “Misioni EULEX i merr shumë seriozisht akuzat për krime lufte dhe krim të organizuar. Sidoqoftë, prokurorët e misionit EULEX, hetimet e tyre i bazojnë vetëm në fakte dhe nëse dikush ka fakte konkrete që mbështesin akuzat, ateherë këtë ne mund të shqyrtojmë seriozisht, sikundër që ky mision tashmë ka shumë raste për krime lufte dhe krim të organizuar që është duke i shqyrtuar”.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi