1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A mund arrihet një kompromis në Bruksel?

Angelina Verbica (dpa, rtr)23 Nëntor 2012

Bisedimet në Bruksel për planifikimin financiar të BE-së janë më të vështira se kurrë më parë. Të gjitha shtetet anëtare këmbëngulin në kërkesat e tyre.

https://p.dw.com/p/16ogD
Kancelarja gjermane Angela Merkel në samitin në Bruksel.
Fotografi: Reuters

Në ditën e dytë të konsultimeve për buxhetin e Bashkimit Evropian për vitet 2014-2020 kancelarja Angela Merkel është shprehur pesimiste lidhur me arritjen e një marrëveshjeje këtë premte. Ajo tha në Bruksel, se ka shumë gjasa, që të jetë i nevojshëm një takim i dytë. Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje. "Ka një largim të mëtejmë në qëndrime. Dhe në qoftë se ne kemi nevojë për një takim të dytë, atëherë do të gjejmë kohë për të", tha Merkel.

Sipas informacioneve të agjencive Presidenti i Këshillit, Herman Van Rompuy, paraqiti një projektbuxhet pak më të ndryshuar, që parashikon për vitet 2014-2020 shpenzime prej një bilion eurosh. Ai u refuzua si shumë i lartë nga të ashtuquajturit kontribues neto, ndër të cilët edhe Gjermania, që japin në arkën e BE-së më shumë se sa marrin nga Brukseli. Kancelari austriak, Werner Faymann, tha në Bruksel se nuk ka akoma asnjë shenjë për një marrëveshje. Presidenti francez, François Hollande, kishte shprehur që pas ditës së parë të negociatave dyshime të forta në lidhje me suksesin e takimit. Buxheti i BE duhet të miratohet nga shtetet anëtare në mënyrë unanime.

Presidenti francez Francois Hollande dhe kancelarja gjermane Angela Merkel
Samit i kërcënuar nga dështimiFotografi: Reuters

Shkurtimet të pashmangshme

Në rradhë të parë kryeministri britanik, David Cameron, kërkon shkurtime të konsiderueshme. Cameron e cilësoi të pamjaftueshëm propozimin e ri të presidentit të Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, për kompromis. Nuk është koha për të lëvizur paratë nga "një pjesë e buxhetit në tjetrën. Shkurtimet janë të pashmangshme", tha Cameron. "Kjo ndodh në shtëpitë tona dhe kjo duhet të ndodhë edhe këtu". Që para fillimit të takimit Cameron kishte kërcënuar me veto,në qoftë se nuk do të plotësoheshin kërkesat e tij. Ai kërkoi shkurtime prej rreth 200 miliardë eurosh.