A do të ketë Maqedonia e Veriut qeveri teknike? | Ballkani | DW | 02.01.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

A do të ketë Maqedonia e Veriut qeveri teknike?

Maqedonia e Veriut në periudhën e ardhëshme duhet të kryesohet nga një qeveri teknike deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit.

Qeveria teknike e njohur edhe si "Qeveri e Përzhinos” është model i zgjedhjes së qeverisë. Koncepti qeveri teknike është pjesë e Marrëveshjes së Përzhinos të arritur në vitin 2016 mes ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe kryeministrit aktual Zoran Zaev pas krizës serioze politike që shkaktoi regjimi Gruevski.

"Për shkak të mosbesimit në institucionet, që erdhi si rezultat i sundimit autokrat të VMRO-DPMNE-së deri në vitin 2016, është parashikuar që 100 ditë para ditës së zgjedhjeve, pas dorëheqjes paraprake të kryeministrit, kuvendi të zgjedhë qeveri të re, kalimtare, për zbatimin e zgjedhjeve parlamentare, të kryesuar nga një kryeministër i ri, të cilin e cakton partia në pushtet”, shpjegon kryeministri Zaev.

LSDM propozon ministrin Spasovski për kryeministër të qeverisë teknike

Qeveria teknike formohet njëqind ditë para zgjedhjeve që do të thotë nga 3 janari Maqedonioa e Veriut duhet të ketë qeveri teknike meqënëse liderët e katër partive më të mëdha kanë arritur marrëveshje që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamenmtare me 12 prill. Sipas procedurës, parlamenti e konfirmon dorëheqjen e me këtë bie e tërë qeveria, e më pas presidenti Stevo Pendarovski duhet t'i japë mandatin ministrit të Brendshëm Oliver Spasovski, i cili nga LSDM-së ishte propozimi për kryeministër teknik. Spasovski më pas duhet të propozojë qeverinë e re, ndërsa parlamenti duhet ta votojë atë dhe kjo përbërje qeveritare do të drejtojë vendin gjatë periudhës deri në zgjedhjet e 12 prillit dhe formimin e qeverisë së re.

" Mendoj se do ta bëjnë këtë dhe bashkërisht do të hyjmë në atë qeveri kalimtare që duhet t'i përfundojë të gjitha këto procedura deri në zgjedhje. Jemi të gatshëm të vazhdojmë me dinamikën e tillë dhe të punojmë me përkushtim për qytetarët në periudhën parazgjedhore, për shkak se Maqedonia e Veriut nuk guxon t'i lejojë vetes që të ndalen projektet dhe të ketë ngecje të reformave. Përkundrazi duhet në mënyrë energjike, të fuqishme të ecim përpara për shkak të qytetarëve dhe ardhmërisë së Maqedonisë së Veriut”,shprehet Spasovski.

VMRO-DPMNE-ja opozitare ka propozuar Dragan Kovaçkin për ministër të ri të Brendshëm në qeverinë teknike, ndërsa tek pushteti ky propozim hapi dilemën nëse është në përputhje me Kushtetutën, pasi ishte theksuar se bëhet fjalë për ushtarak që shërben në ushtri. Kovaçki vjen nga armata dhe ka gradën e kolonelit.

Në qeverinë kalimtare opozita përveç ministrit të Brendshëm, merr edhe ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, si dhe zëvendësministra plotësues të financave, shoqërisë së informacionit dhe administratës si dhe të bujqësisë.

Edhe me qeveri teknike duhet të vazhdohen reformat

Kryeministri në largim Zoran Zaev shfaqi shpresë se qeveria teknike nuk do të keqpërdoret nga opozita. "Shpresoj sinqerisht se qeveria teknike nuk do të keqpërdoret nga opozita e tanishme që të mos na ndodhë zvarritje e periudhës kalimtare deri në zgjedhjet ose të periudhës pas tyre. Përkujtoj se ata tani hyjnë në qeveri dhe se kanë përgjegjësi të sigurojnë që qeveria të vazhdojë punën vetëm për interesat e qytetarëve”, thekson Zaev.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski thotë se qeveri teknike duhet të sigurojë minimumi mjedisin për shprehje demokratike, në kushte të veprimtarisë së fuqishme politike të pushtetit dhe makinerisë propaganduese të paguar shtrenjtë që synon ta paraqesë të zezën si të bardhë. "Qeveria aktuale tenton të ushtrojë kontrollin e plotë partiak të administratës dhe punësime, për të mundësuar më shumë kuadro partiake para zgjedhjeve. Ai është i bindur se kuadrot e VMRO-DPMNE-së në qeverinë teknike do të japin maksimumin e tyre për vënien në lëvizje të proceseve dhe sigurimin e zgjedhjeve korrekte", shprehet Mickovski lider i opozitës.