1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

190112 70 Jahre Wannsee-Konferenz

20 Janar 2012

Gjenocidi nacionalsocialist kishte filluar para vitit 1942. Por konferenca e Wannsee para 70 vjetësh shënon datën, kur nisi vrasja sistematike e hebrenjve europianë.

https://p.dw.com/p/13moc
Vila e konferencës Wannsee në Berlin
Vila e konferencës Wannsee në BerlinFotografi: picture-alliance/dpa

"Zgjidhjen finale të çështjes së hebrenjve" e quanin nacionalsocialistët planin e tyre kriminal. Kështu shkruhet në protokollin e hartuar 70 vjet më parë në "Konferencën e Wannsee". Në takimin në 20 janar 1942 në një vilë në një peisazh idilik, morën pjesë 15 përfaqësues të lartë nazistë. E vetmja pikë e rendit të ditës: përfundimi i Holokaustit, i cili tashmë kishte filluar.

"Zgjidhja finale e çështjes së hebrenjve"

Ekspozita e përhershme në dhomën e konferencës Wannsee
Ekspozita e përhershme në dhomën e konferencës WannseeFotografi: GHWK

Në Nuremberg zhvillohesin proceset kundër zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme, kur zëvendësprokurorit Robert Kempner në mars 1947 i bien në duar një numër dosjesh të kësaj ministrie. Një dokument ngjall interes të veçantë. "Sekret i Rajhut!" - kështu shkruhet me ngjyrë të kuqe në faqen e parë. Gjetja është një sensacion. "Protokolli i konferencës", siç është titulluar në mënyrë burokratike teksti prej 15 faqesh, konsiderohet si provë vendimtare për zhdukjen sistematike të hebrenjve europianë. Në protokollin e konferencës së Wannsee, numri i tyre vlerësohet në 11 milionë.

30 kopje ka pasur dokumenti i ashtuquajtur "zgjidhja finale e çështjes së hebrenjve". Vetëm kjo kopje ka mbetur. Ajo përbën bazën dhe parakushtin për shtëpinë e konferencës Wannsee në funksionin e saj të sotëm.

Interesimi për historinë bashkëkohore

Vila luksoze ndodhet jashtë shtegut turistik në kufirin jugperëndimor të qytetit. Megjithatë shumë të interesuar për historinë marrin rrugën e gjatë deri në vilë. Që prej hapjes në vitin 1992 numri i vizitorëve thuajse është dyfishuar, dhe së fundi arrinte në 105.000 vetë, thotë me kënaqësi drejtori i monumentit përkujtimor, Norbert Kampe:

Drejtori i monumentit përkujtimor, Norbert Kampe.
Drejtori i monumentit përkujtimor, Norbert KampeFotografi: picture-alliance/dpa

"Në fillim ne nuk e prisnim që historia bashkëkohore të luante një rol kaq të madh në formimin e të rinjve apo në turizëm. Berlini perceptohet si një vend ku mund të informohesh mirë në lidhje me historinë. Krahas teatrove dhe muzeve, këtu ka dhe një panoramë të pasur monumentesh përkujtimore për diktaturën nacionalsocialiste dhe komuniste. Dhe kjo ofertë perceptohet shumë intensivisht."

Dy të tretat e vizitorëve vijnë nga jashtë, pjesa më e madhe nga Izraeli. Kjo ka të bëjë shumë me Adolf Eichmann-in, i cili si drejtuesi i autoritetit të sigurisë së Rajhut, pati shkruar protokollin e konferencës së Wannsee 70 vjet më parë. Si një prej kriminelëve më të kërkuar të luftës, atij iu bë një proces publik në Jeruzalem në vitin 1961.

Enigma "Konferenca e Wannsee"

Enigma e konferencës Wannsee - shumë pyetje mbi rolin e saj në zhdukjen e hebrenjve
Enigma e konferencës Wannsee - shumë pyetje mbi rolin e saj në zhdukjen e hebrenjveFotografi: dpa - Bildfunk

Të dhëna konkrete se si duhej të zhdukeshin hebrenjtë nuk gjenden në protokoll. Por një lexim i kujdesshëm bën të qartë se me formulimin "evakuuim në Lindje" nuk nënkuptohej asgjë tjetër. Megjithatë historiani Eberhard Jäckel, në fillim të viteve 1990 e konsideronte konferencën e Wannsee një "enigmë". Ndërkohë në këtë drejtim është avancuar shumë, thotë historiani Peter Klein, i cili me rastin e 70 vjetorit të konferencës së Wannsee, organizoi një konferencë ndërkombëtare historianësh në Berlin. Dy interpretime karakterizuan diskutimin, shpjegon Klein: "Së pari që pak para ftesës së parë për konferencën e Wannsee është hartuar vërtet një vendim nga Hitleri. Ai i është përcjellë bashkëpunëtorëve më të ngushtë (...). Ka edhe një interpretim të dytë sipas të cilit konferenca e Wannsee përbën vetëm një hap në rrugën e vrasjes masive të të gjithë hebrenjve."

Konferenca e Wannsee ishte hapi vendimtar në rrugën drejt "zgjidhjes përfundimtare të çështjes së hebrenjve. Takimi drejtohej nga shefi i policisë së sigurisë, Reinhard Heydrich. Gjysma e pjesëmarrësve ishin akademikë. Pra bëhej fjalë për një grup njerëzish me formim shumë të lartë akademik, të cilët në mënyrë rutinë, apersonale vulosën zhdukjen e hebrenjve. 15 historianë përpiqen tani të depërtojnë në botën e tyre të mendimeve, në psiqikën e tyre. Për këtë qëllim ata kanë ndërmarrë një projekt teatri dokumentar.

Memoriali si strukturë me oferta pedagogjike

Konferenca e Wannsee mbetet edhe sot 70 vjet më vonë një temë shumë komplekse. Këtë drejtori i vendit përkujtimor Norbert Kampe e përjeton shpesh në një mënyrë të ndryshme, kur vizitorët janë grupe të rinjsh. Atëherë diskutohen tema aktuale si neonazismi dhe esktremizmi i djathtë. Në këtë mes ka edhe situata delikate, kur për shembull në grupin e të rinjve ka nxënës me prindër palestinezë apo arabë: "Atëherë thuhen edhe fraza si: 'Ajo që Hitleri u ka bërë atëherë hebrenjve përpiqen tani ta bëjnë izraelitët me palestinezët'. Në këtë rast është shumë e rëndësishme të bëhet e qartë se ku qendrojnë dallimet kryesore. Ndaj frazave dhe formulimeve të tilla na duhet të reagojmë shumë fleksibël (...) dhe me shumë përgjegjësi. Shpresa jonë është që të mund të ndihmojnë për të sqaruar."

Shtëpia e konferencës Wannsee është një strukturë pedagogjike thekson Norbert Kampe vetkuptueshmërinë dhe pretendimin e memorialit tashmë 20 vjeçar. Në aspektin historik ajo mbetet megjithatë një vend i fajtorëve, e lidhur me fabrikën e vrasjeve të nacionalsocializmit.

Autor: Marcel Fürstenau

Redaktoi:E. Xhani