Çorientim apo kalkulim? | Bota | DW | 16.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Çorientim apo kalkulim?

Fokusi i opinionit botëror është drejtuar tek Rusia dhe Kina. Prej këtyre vendeve Perëndimi llogarit me pengesa dhe kundërshtime, nëse do të bëhet fjalë për një qëndrim unik të Këshillit të Sigurimit kundër programit atomik të Iranit si për shembull në formën e sanksioneve.

Tempulli i Konfuziusit në Tianjin

Tempulli i Konfuziusit në Tianjin

Institute kërkimore të shkencave politike kineze e kanë sot të vështirë të vlerësojnë qëndrimin e Pekinit lidhur me acarimin politik për çështjen e Iranit. Bashkëpunëtorët e këtyre Instituteve nuk përgjigjen më shumë se "vështirë të thuhet" ose "unë nuk e di" ndaj pyetjeve të gazetarëve. Megjithatë një ekspert i cili nuk donte të identifikohej me emër mendon se Pekinit i shkakton shqetësime të forta fakti që të pozicionohet në Këshillin e Sigurimit për çështjen e Iranit. Prandaj fillimisht Kina po pret dhe është orientuar nga Rusia.

Profesori Götz Neuneck nga Instituti për Kërkime Shkencore në fushën e Politikës së Sigurisë dhe Paqes pranë universitetit të Hamburgut, i vlerëson kështu interesat e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit lidhur me çështjen e Iranit:
"Rusia dhe Kina janë të interesuara të kenë kontakte të qëndrueshme me Iranin përsa i përket furnizimit me energji, pasi kanë lidhur kontrata me Iranin. Prandaj nuk duhet pritur që në do çdo rast të pesë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të jenë të një mendjeje. Megjithatë duket se vendet që zotërojnë armë bërthamore dhe që ulen në tavolinë si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së janë të një mendjeje se Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore."

Nga ana tjetër Kina ka rezerva për të pranuar mospërhapjen e armëve bërthamore. Dyshohet se Kina prej vitesh ka shpërndarë në mënyrë ilegale teknologji për prodhim armësh duke përfshirë edhe ato bërthamore. Nga ana tjetër roli që kërkon të luajë Kina ndaj vendeve në zhvillim dhe vendeve në etapën e industrializimit nuk mund të realizohet me një politikë shumë strikte bërthamore. Profesori Neuneck ka këshilluar Kofi Ananin në Konferencën e OKB-së për mospërhapjen e armëve bërthamore dhe ka bërë këtë konstatim për qëndrimin e Kinës: "Ka rënë në sy se Kina është paraqitur në Konferencën e mospërhapjes së armëve bërthamore në Nju Jork si përfaqësuese e Botës së tretë. Dihet se Kina dëshiron të jetë fuqi drejtuese në botën e tretë dhe kjo do të jetë një nga arësyet që Kina parimisht nuk do t´ia mohojë Iranit të drejtën që t´i bashkangjitet zhvillimeve bërthamore. Në përputhje me këtë qeveria do të ngurrojë dhe ndoshta mund të vendosë veton kundër ndonjë kërkese apo formulimi tjetër të Këshillit të Sigurimit."

Sa i përket Rusisë, Neuneck sheh në politikën e mospërhapjes së armëve bëthamore një afërsi më të madhe me SHBA. Në përputhje me këtë ishte Rusia dhe jo Kina ajo që i ofroi Iranit territorin e saj për pasurimin e uranit jashtë vendit. Ndonëse kjo përpjekje e Moskës për zgjidhjen e konfliktit në fund të fundit nuk funksionoi, edhe Pekini mund të kish bërë një ofertë të tillë, pasi edhe Kina i zotëron kushtet teknike. Por Kina heshti.

Në vend të kësaj Pekini kërkon, sipas medieve franceze, që Irani t´u bashkangjitet urtë dhe pa rënë në sy organizatave rajonale që dominohen nga Kina, si për shembull i ashtuquajturi grup i Shangait i përbërë nga Rusia, Kina dhe pesë vende të Azisë Qendrore. Përpjekja e Kinës për mos tensionimin e krizës bërthamore të Iranit mund t´ia dalë edhe nëse çështja arrin deri tek një votim në Këshillin e Sigurimit për sanksione ndaj Iranit: "Kina mund të jetë në gjendje që të vendosë një veto në mbrojtje të Iranit, si rjedhojë nuk mund të ketë asnjë rezolutë të Këshillit të Sigurimit. Atëhere gjithçka do të varet nga formulimet dhe kërkesat lidhur me atë se çfarë pritet konkretisht nga Irani. Unë mendoj, se në një rezolutë të parë do të kërkohet fillimisht qartësi edhe lidhur me rolin e Agjensisë Ndërkombëtare Atomike në të ardhmen. Unë nuk parashikoj që tani mund të vendosen sanksione të ashpra."



  • Data 16.01.2006
  • Autor Shi Ming
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArMe
  • Data 16.01.2006
  • Autor Shi Ming
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArMe
Reklamë