1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë presin gjermanët nga 2006?

Anne Passow30 Dhjetor 2005

Sondazhi i fundit i Emnid krahason pritshmëritë gjermane me ato ndërkombëtare për vitin 2006

https://p.dw.com/p/Aqrb
Vit i ri, shpresa të reja
Vit i ri, shpresa të rejaFotografi: dpa - Report

Në Gjermani nata e ndërrimit të viteve shoqërohet nga një traditë: shkrirja e plumbit. Miq të mbledhur për të festuar natën e vitit të ri shkrijnë në tiganë të vegjël mbi një flakë copëza plumbi. Sapo këto arrijnë trajtë të lëngshme i hedhin në ujë. Më pas të pranishmit përpiqen të interpretojnë së bashku format e çuditshme, që formon plumbi i ftohur dhe të parathonë kështu të ardhmen.

Çfarë do të sjellë viti që vjen?

Çfarë dua të arrij unë vitin që vjen? Këto pyetje i bëjnë vetes shumë vetë në fillim të çdo viti të ri. Çfarë presin njerëzit përreth globit nga 2006 - kësaj pyetjeje i jep përgjigje sondazhi i institutit Emnid i cili merret me studimin e opinioneve. Prej mëse 50 vjetësh instituti pyet njerëzit për pritjet e tyre për vitin e ri. Këtë vit Emnid pyeti për llogari të kanalit N24 rreth 70.000 vetë.

"Dëshira ime më e madhe është thjesht të kem shëndet vitin që vjen. Të gjitha të tjerat le të mbeten kështu siç janë!" "Dëshëroj të shoh së shpejti prindërit e mi që janë në Gjerogji. Dua gjithashtu të mbaroj kualifikimin dhe të gjej një vend pune!" "Në sferën private ndoshta pak më shumë kohë të lirë. Nga politikanët pres që të realizojnë vërtet reformat e lajmëruara dhe që ato të ndihen edhe tek njerëzit e thjeshtë!" "Dua të reduktoj kaloritë dhe të ndërpres duhanin!" "Unë shpreshoj që ekonomia të përmirësohet!"

Të kemi shëndet të mirë, të gjejmë punë, të jemi pranë familjes, rritje ekonomike.

Gjermanët kanë shumë pritje për 2006, të mira apo të këqija. Sipas një studimit të institutit për analizën e opinioneve, Emnid, rreth 31% e tyre janë pak a shumë pesimistë për vitin e ri. 29% të gjermanëve besojnë përkundrazi se situata do të përmirësohet. Megjithatë këtë vit gjermanët janë relativisht më optimistë se vitet e tjera, thotë Klaus-Peter Shëpner nga Emnid: "Interesante është se gjermanët po rifitojnë përsëri optimizëm. Gjermania ka qenë vitet e kaluara në krye të listës së pesimistëve. Gjermanët kishin për vete por edhe për ekonominë dhe situatën në tregun e punës kryesisht vlerësime negative."

Klaus Shëpner dhe kolegët e tij intervistuan për llogari të kanalit televiziv N24 njerëz nga 70 vende dhe i pyetën se çfarë presin nga viti i ri. Ky studim kryhet çdo vit nga Emnid. Ajo çfarë i ka rënë në sy Shëpnerit këtë vit është, se ShBA të cilat kanë qenë në të kaluarën gjithnjë në krye të listës së optimistëve, nuk e shohim më të ardhmen me ngjyra aq rozë sa më parë. Edhe australianët janë më pesimistë nga sa pritej dhe vlerësojnë veçanërisht unitetin e brendshëm të vendit të tyre si tepër të keq.

Përkundrazi vendet nga Lindja e Largët dhe shumë vende në zhvillim e shohin 2006 me më shumë optimizëm. Klaus Shëpner:"Pritjet pozitive janë ato që kanë të bëjnë në rradhë të parë me vetë qytetarët, pra që gjërat do t'u shkojnë më mirë në sferën private. Së dyti që ekonomia në disa vende të ketë përmirësime me efektet përkatëse në tregun e punës."

Gjermanët më optimistë se më parë

Optimizmi për tregun e punës po fillon të ndihet sërish edhe në Gjermani, thotë Shëpner. Ngadalë njerëzit po fillojnë të besojnë se do të gjejnë punë megjithëse ka ende mbi katër milionë të papunë. Gjermanët kanë më shumë besim edhe në situatën ekonomike në vend. Klaus Shëpner përmend disa nga arsyet për këtë:"Kjo ka të bëjë me faktin që ka filluar të veprojë një politikë e cila ngjall një lloj besueshmërie. Shtetasit gjermanë po rifillojnë të kenë besim tek politika."


Shumë njerëz pra do ta nisin pa frikë 2006. Kjo është pozitive mendon një qytetar nga Boni:"Më parë kisha gjithnjë disi frikë nga viti i ri. Por në jetë kam mësuar një gjë: frika është këshilltare e keqe. Prandaj përpiqen ta mposht frikën. Qëkurse kam më pak frikë gjërat shkojnë shumë më mirë."