Ukrainë: Shpërthime rreth centralit bërthamor në Zaporizhia
21 Nëntor 2022
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) në centralin bërthamor ukrainas në Zaporizhia ka pasur gjatë fundjavës disa shpërthime të forta. Ekspertët e IAEA në terren kanë raportuar për disa sulme përreth dhe në territorin e centralit më të madh bërthamor të Evropës. Drejtori i Përgjithshëm i IAEA, Rafael Grossi, tha se këto veprime janë "jashtëzakonisht shqetësuese".
Shpërthimet e fundjavës kanë dëmtmtuar ndërtesat, por dëmet e identifikuara në sisteme dhe pajisje nuk janë "kritike" dhe nuk ndikojnë ndaj sigurisë bërthamore. Viktima në njerëz apo të plagosur nuk ka pasur.
Akuza të ndërsjellta
Ministria ruse e Mbrojtjes akuzoi forcat e armatosura ukrainase për goditjen me artileri gjatë fundjavës të centralit bërthamor në Zaporizhia. Vetëm të dielën në mëngjes objekti është qëlluar me dymbëdhjetë predha të kalibrit të madh, u tha agjencive ruse të lajmeve zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov. Sipas tij një nga predhat goditi çatinë e një stacioni special, por rrezatimi në afërsi të centralit bërthamor është "normal”.
Agjencia bërthamore ukrainase Energoatom, tha nga ana tjetër, se centralin Zaporizhia e kishte qëlluar Rusia. Edhe Energoatom foli për të paktën dymbëdhjetë sulme gjatë të dielës në mëngjes.
Moska dhe Kievi e bëjnë prej muajsh njëri-tjetrin përgjegjëspër sulmet përreth dhe në territorin e centralit bërthamor në Zaporizhia. Objekti ndodhet në rajonin Zaporizhia, që ndodhet jo shumë larg fronti dhe të cilin Rusia e ka shpallur si të aneksuar. Në tetor presidenti rus Vladimir Putin nxori një dekret duke e shpallur centralin bërthamor në Zaporizhia nën administrimin rus.